Autore: Gjylsime Kosiqi, Orgesa Piku

Fshati Popinar në Maqellarë po përballet me mungesë investimesh dhe kushte të vështira infrastrukturore, duke mbetur i lënë pas dore nga institucionet. Rruga që lidh këtë zonë me pjesën tjetër të vendit është plotësisht e shkatërruar, duke e bërë kalimin të vështirë. Banorët e fshatit thonë se 2 vite më parë u bë një ndërhyrje e vogël në këtë rrugë, duke mbushur vetëm disa gropa.

“Rruga është e shkatërruar plotësisht. Makinat e kanë të vështirë qarkullimin, duke marrë parasysh edhe lartësinë e relievit malor. Kjo na rrezikon jetën. Për herë të fundit është rregulluar para 2 vitesh dhe atëherë vetëm kanë mbushur disa gropa dhe pjesët më të dëmtuara”, thotë Havziu, banor i Popinarës.

Më tej, ai shton se kalimi në këtë rrugë bëhet më i vështirë gjatë stinës së dimrit për shkak të ngricave dhe rrëshqitjes së dherave.

“Shumë herë na ndodhur që të mbetemi në rrugë nga rrëshqitjet e dheut ose gropat e mëdha, sidomos në dimër dhe vjeshtë, pasi rruga është me akull dhe është i vështirë kalimi në të”, shprehet i shqetësuar i moshuari. 

Banorët thonë se nëse do të investohej në rregullimin e rrugës, Popinara mund të bëhej një destinacion turistik shumë i vizituar. Mirëpo, për fat të keq, për momentin ai ka mbetur një vend i harruar.

“Nëse do të kishte investim, mendoj që do të kishte një numër më të madh turistësh, pasi Popinara është një zonë malore dhe me bukuri që i ka fal natyra”, shprehet Besmiri.

Ekspertët e turizmit janë shprehur herë pas here se Popinara ka potencialin për të qenë një nga destinacionet më të preferuara për turizmin malor në Shqipëri. Megjithatë, për ta realizuar këtë mundësi është thelbësore që investimet në infrastrukturë të bëhen pjesë e prioriteteve të zhvillimit të zonës. Rruga e shkatërruar është një barrierë që pengon zhvillimin e saj dhe vetëm me përmirësimin e kushteve infrastrukturore, kjo zonë mund të shndërrohet në një destinacion të njohur dhe të frekuentuar nga shumë vizitorë.

*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Fiqiri Dine” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.