Policia “ngre duart”, nuk merr përsipër protestën e opozitës

Koçiu: “Kjo lidhet drejtpërdrejt me protestat e kaluara dhe dhunën që ka pasur gjatë atyre protestive”

32

Sebi Alla Në një deklaratë zyrtare të pazakontë, Policia e Tiranës njoftoi se ka refuzuar të marrë përsipër sigurinë dhe marrjen e masave për zhvillimin e protestës së thirrur nga opozita.

“Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit”, thuhet në njoftim.

Deklarata ngre shumë pikëpyetje mbi formulimin dhe “arsyet” e refuzimit për mbarëvajtjen e protestës, por edhe se kush do mbajë përgjegjësi për çdo shkelje ligjore gjatë zhvillimit të protestës.

Duke vijuar më tej në deklaratë thuhet se: “Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit ‘Për tubimet’, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi”

Ministrja

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu, gjatë një konference për mediet, e pyetur se përse Policia e Tiranës ka deklaruar se nuk merr përsipër mbarëvajtjen e tubimeve, tha se policia do të garantojë rendin dhe sigurinë. “Kjo është një procedurë që lidhet drejtpërdrejt me protestat e kaluara dhe dhunën që ka pasur gjatë atyre protestave. E drejta për t’u tubuar dhe manifestuar është e kujtdo. Policia e Shtetit ka për detyrë të garantojë ruajtjen e rendit dhe sigurisë dhe për këtë është dhe do të jetë aty”, u shpreh Koçiu.

Ajo ngriti shqetësim për praninë e të miturve në kryerjen e akteve të dhunës. “Një shqetësim është përdorimi i të miturve, të shmangim sa më shumë këtë fenomen. Organizatorët duhet të distancohen nga përdorimi i të miturve për akte të turpshme, akte dhune gjatë protestës. Është një nga gjërat më të poshtra, shfrytëzimi i miturve në protesta për akte dhune”, tha Koçiu.

Problemi

Në vitin 2021 Gjykata Kushtetuese e gjeti në shkelje të kushtetutës paragrafin e parë të nenit 262 të Kodit Penal ku për protestat dhe tubimet citonte se duhej marrë leje nga policia.

Që nga ajo kohë çdo tubim apo protestë zhvillohet pa marrë leje nga asnjë institucion, por organizatorët janë të detyruar të njoftojnë policinë, që kjo e fundit të marrë masat.

Duke iu referuar ligjit nr 8773 për Tubimet, në nenin 3, për mbarëvajtjen e protestave thuhet: “Policia e Shtetit garanton dhe mbron të drejtën e çdo personi për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore dhe pa armë. Ndalimi ose shpërndarja e një tubimi lejohet vetëm në rastet e parashikuara në këtë ligj. Në çdo rast, zbatimi i masave për ndalimin dhe shpërndarjen e një tubimi paqësor e pa armë bëhet në mënyrë të shkallëzuar”.

Përfundim

Reagimi i Policisë së Tiranës për të mos marrë përsipër zhvillimin e tubimit që do të mbahet nga opozita mund të jetë një formë për të krijuar një lloj pasigurie, në mënyrë që qytetarët të mos bashkohen në protestë.

Gjithsesi, detyrimi ligjor dhe funksional i Policisë së Shtetit është ruatja e rendit dhe sigurisë publike. Në rastet e protestave, që nga viti 2021 policia nuk aprovon leje, por është e detyruar të sigurojë mbarëvatjen e çdo proteste në sigurim të rendit apo mbrojtje të institucioneve.