Pesha e fakteve në kohën e manipulimit të informacionit dhe çmimet “Baxhaku”

Në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, kolegë, gazetarë, ambasadorë të vendeve të BE-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të parlamentit u mblodhën për të reflektuar mbi rolin e së vërtetës në demokraci

21

Nga Jona Cenameri

Në një sallë të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, ku zakonisht rrëfehen histori përmes muzikës dhe skenës, këtë herë u tregua një histori tjetër, ajo e së vërtetës.

Më 1 prill, Faktoje, me mbështetjen e GIZ dhe Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta mblodhi gazetarë, diplomatë dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve dhe për të ndarë Çmimet Kombëtare “Fatos Baxhaku”.

Një datë e zgjedhur për t’iu kundërvënë simbolikisht 1 Prillit, ditës së gënjeshtrave.

“E vërteta nuk është gjithmonë e lehtë për t’u gjetur, por kur gjendet ka fuqi dhe ndikim”, tha moderuesja e aktivitetit, gazetarja Arlinda Çausholli.

Një hyrje që e ktheu fokusin te thelbi i profesionit.

Puna e Faktojes

Aktiviteti u mbështet ndërkohë edhe në një tjetër dimension, punën konkrete të Faktoje gjatë vitit të kaluar.

Në vitin 2025 Faktoje ka realizuar:

•          963 shkrime të publikuara

•          172 deklarata të verifikuara nga politikanë dhe zyrtarë

•          87 premtime të analizuara

•          mbi 600 lajme të rreme të verifikuara

•          qindra video dhe materiale edukative për publikun

Drejtoresha ekzekutive e Faktoje, Klodiana Kapo, e vendosi diskutimin në kontekstin e sotëm

“Informimi i saktë nuk është luks, është domosdoshmëri”, nënvizoi ajo.

Kapo përshkroi një realitet ku lajmet e rreme dhe propaganda përhapen me një ritëm të pakontrollueshëm.

“Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë lajme, video, opinion, ‘ekspertë’, që dinë gjithcka për cdo gjë. Dhe në të njëjtën kohë, kurrë nuk kemi qenë kaq të pasigurt për cfarë është e vërtetë dhe kjo është sfida jonë. Në këtë realitet, të qendrosh për faktet nuk është zgjedhje morale dhe gjithnjë e më shumë është një zgjedhje demokratike”, tha ajo.

Më tej, foli gazetari me përvojë, Llazar Semini:

“…Gazetari gjithmonë duhet të mendojë që të ketë parasysh të mos i besojë asnjë lajmi, sepse e vërteta asnjëherë nuk bërtet fort por ajo duhet verifikuar dhe jo rastësisht 2 Prilli është përzgjedhur si Dita Ndërkombëtare e Fakteve, për të promovuar rëndësinë që duhet të ketë vërtetimi i burimit për një lajm, por edhe për të luftuar fort këtë periudhë të lajmeve të rreme që ndodhin në botë”

Në vijim, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, e vendosi diskutimin në një plan më të gjerë: “Manipulimi i informacionit nuk është qëllim në vetvete, por një mjet për të ndikuar perceptimet, për të minuar institucionet dhe për të prodhuar mosbesim” Ai theksoi se këto mekanizma ndikojnë drejtpërdrejt në demokraci dhe në vendimmarrje, duke e kthyer dezinformimin në një çështje sigurie dhe stabiliteti.

Brunilda Milkani, Menaxhere e Projektit rajonal te GiZ, Sustain Media, financuar nga BE dhe Qeveria Gjermane, në anën tjetër, e ktheu fokusin te trashëgimia profesionale: “Fatos Baxhaku ishte një pasuri në jetët tona dhe një frymëzim për gazetarinë shqiptare”

Një kujtesë që e vendosi konkursin “Baxhaku” jo vetëm si çmim, por si vazhdimësi standardesh.

Ambasadori i Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Reinout Vos, theksoi se: “Demokracia mund të mbijetojë vetëm në një mjedis ku njerëzit kanë akses te ajo që është realisht e vërtetë”

Konkursi “Baxhaku”

Pjesa e dytë e mbrëmjes iu dedikua ndarjes së çmimeve “Fatos Baxhaku”, një traditë tashmë pesëvjeçare që promovon gazetarinë e bazuar në fakte dhe që mban gjallë modelin e një gazetarie të përkushtuar ndaj së vërtetës.

Nga 10 temat e përzgjedhura, juria e përbërë nga tre gazetarë ndau katër çmime, duke sjellë në skenë jo vetëm emra, por edhe këndvështrime të ndryshme mbi rolin e gazetarisë sot.

Çmimet

Çmimi i inkurajimit iu dha Armand Brahos, i cili e zhvendosi vëmendjen nga qendra drejt periferisë, duke theksuar se “gazetaria jashtë Tiranës është po aq e rëndësishme, sepse problematikat e komuniteteve të vogla janë problematikat e gjithë Shqipërisë”

Çmimi i tretë shkoi për Gisela Troplinin, e cila në një fjali të thjeshtë, por të drejtpërdrejtë, përmblodhi thelbin e profesionit: “E vërteta është gjithmonë gazetari e mirë”

Me çmimin e dytë u vlerësua Marjo Brakaj, i cili e lidhi këtë moment me rrugëtimin e tij personal dhe profesional, duke theksuar se “Faktoje është vendi ku u brumosa si gazetar”

Çmimin e parë e fitoi gazetari Osman Stafa i cili ka investiguar me këmbëngulje problemet e shëndetësisë, duke i dhënë zë pacientëve të Onkologjikut dhe duke e trajtuar shëndetin si të drejtë themelore.

Fjala e tij nuk ishte thjesht një falënderim formal, por një rrëfim i drejtpërdrejtë i realitetit që kishte trajtuar. “Nuk janë vetëm numra… janë gra, janë nëna, janë jetë që u mohohet trajtimi,” u shpreh ai, duke e kthyer vëmendjen nga statistikat te historitë njerëzore. Më tej, ai e përkufizoi gazetarinë si një angazhim personal. “Gazetaria nuk është punë për mua… është një mision për t’u bërë zëri i tyre”