Fenomeni i përmbytjeve në vendin tonë, pasojat në bujqësi dhe dëmi i madh ekonomik. Përse po përmbytemi?
Nga SEBI ALLA
“Sa herë vjen lumi, toka ime është pothuaj e para që përmbytet”-thotë Bardhi, një 40-vjeçar nga fshati Darragjat

Lumi Drin, në mesin e majit është i qetë dhe ngjan sikur nuk bën dëm, por mjaftojnë shirat e vjeshtës dhe dimrit, e sidomos nëse ndodh hapja e digës së Hidrocentralit të Vaut të Dejës, që thuajse e gjithë zona e Nënshkodrës të përmbytet, duke sjellë pas pasoja ekonomike dhe jo vetëm. “Çdo tokë e përmbytur nuk është më si më parë. Përmbytjet në disa raste e pasurojnë tokën me lym, por ka edhe fenomene të ledhizimit, gërryerjeve dhe inerteve të ngurta të cilat tokat bujqësore mund t’i degradojnë”-thotë për Faktoje.al eksperti i çështjeve mjedisore, Lavdosh Ferruni. Përveç panikut, dëmtimit të banesave, stallave, bagëtive dhe dhe bimëve bujqësore, fatura që vjen pas është e lartë. Një studim i Bankës Botërore i publikuar në vitin 2022 përllogariti një dëm prej 2.3 miliardë dollarë i shkaktuar në 33 vitet e fundit në Shqipëri. Përveç ndryshimeve klimaterike që ndikojnë në përmbytje, prerja e pyjeve dhe dëmtimet e shtrateve të lumenjve sollën pasoja të mëdha në vendin tonë.
Rreziku në prag

Foto Atdhe Mulla
Vendi ynë renditet me risk të lartë nga rreziku i përmbytjeve. Zonat më problematike janë ultësira përënëdimore, veçanërisht pjesa e Nënshkodrës, kryesisht nga vërshimi i lumenjve Drin dhe Bunë, por edhe Vjosa në jug të vendit. “Në vitet 2010-2011 kemi pasur shumë dëme. Një pjesë e banorëve mori dëmshpërblim, nga 1-3 milionë lekë të vjetra”-thotë një banor i fshatit Dajç, ndërsa shton se u dhanë edhe ushqim për bagëtitë. Ai gjithashtu shton se edhe në vitet 2017-2018 patën dëme nga përmbytjet, por nuk kanë marrë ende dëmshpërblim, pavarësisht se ekipet e emergjencave civile dhe të pushtetit lokal plotësuan disa formularë mbi dëmen e konstatuara. Në të dyja anët e Lumit Drin, sidomos në afërsi të grykëderdhjes janë ngritur disa argjinatura, duke sjellë një lloj stabiliteti, i cili më shumë ka ardhur nga intesiteti i ulët i rreshjeve. “Ushtria ngriti disa argjinatura në vitet 2010-2011, ndërsa më pas ka pasur ndërhyrje në pastrimin e kanaleve”-thotë për Faktoje.al një tjetër banor i fshatit Darragjat.
Çfarë e “tërbon” Drinin?

Tre kaskada Hidrocentralesh mbi lumin Drin përveç prodhimit të anergjisë elektrike do të shërbenin edhe si tampon për të mos lejuar përmbytjet nga intesiteti i lartë i rreshjeve, por në disa raste keqmenaxhimi i digave solli përmbytje masive. “Prania e 3 digave të mëdha në një seri favorizon ruajtjen e vëllimeve të mëdha të ujit, megjithëse, në rast mosfunksionimi, ose vonesa në rregullimin e derdhjes mund të favorizojnë përmbytjet në drejtim të rrjedhës së poshtme, veçanërisht nëse ka një mbivendosje me valët e përmbytjeve që vijnë nga Mali i Zi (Liqeni i Shkodrës)”-thuhet në raportin e hartuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, e cila i referohet lumit Drin dhe Bunë.
Ndërtime pranë zonës së rrezikut
Ndonëse shkakun kryesor të përmbytjeve ekspertët e lidhin më dëmtimin masiv të pyjeve dhe devijimin nga shfrytëzimi pa kriter i shtratit të lumenjve, një tjetër fenomen lidhet me ndërtimet.
“Prerjet e pyjeve janë shkaktari kryesor i përmbytjeve, pasi eleminimi i pemëve të larta bën që uji të vërshojë me intesitet të lartë në lumenj dhe tejmbushja e tyre shkakton përmbytje”-thotë eksperti i çështjeve mjedisore Lavdosh Ferruni, ndërsa sugjeron se përmbytja në të vërtete nis nga zonat malore për tu kthyer në mjaft problematike në ultësirën perëndimore, veçanërisht në afërsi të grykëderdhjes së lumenjve. Nga ana tjetër banesa të shumta dhe njësi shërbimi janë ndërtuar pas viteve 90’ në zona fushore dhe shumë pranë brigjeve të lumenjve. “Në dekadat e fundit, presioni antropogjen në fushën e përmbytjeve është rritur ndjeshëm, duke përfshirë zhvillimin e paplanifikuar, urbanizimin e shpejtë dhe ndërtimin e vendbanimeve të reja në zonat me risk të lartë përmbytjeje”-konstaton Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Përmbytjet në qytete
Në dy vitet e fundit po shihet një problematikë përmbytjesh edhe në zonat urbane, të cilat më parë nuk përfshiheshin në pjesën e rrezikut. Një prej tyre është edhe Vlora dhe sipas eskspertit të mjedisit Lavdosh Ferruni kjo situatë lidhet me intesitetin e ndërtimeve. “Ndërtimet me intesitete të lartë dhe betonizimi i pjesëve periferike ka bërë që të shtohen rastet e përmbytjeve edhe në zonat urbane, veçanërisht në Vlorë, por edhe qytetate të tjera”-thotë Ferruni. Sipas tij, në situatë të tillë për të ndaluar këtë fenomen nevojiten edhe ndërhyrje ligjore. “Nevojitet detyrim ligjor që një hapësirë e caktuar e territorit pranë zonave urbane të mos preket nga ndërtimet, por të lihet në mënyrë natyrale, sepse nëse preket ndikon drejtëpëdrejtë në prishjen e skosistemit dhe përmbytjet janë pasojë”-shprehet eksperti mjedisor Lavdosh Ferruni.




Foto Atdhe Mulla
Investimet e munguara
Pavarësisht shtimit të fondeve për ngritje argjinaturash dhe hapjes së kanaleve kulluese, për dy vitet e ardhshme parashikomet buxhetore për parandalimin e përmbytjeve janë më të ulëta dhe mund të sjellë rrezik përmbytjesh, e ndikuar edhe nga ndryshimet klimaterike. Në parashikimet e buxhetit fillestar 2025 dhe buxhetet paraprake për 2026 për programin e Ministrisë së Bujqësisë “Menaxhimi i infrastruktures se kullimit dhe ujitjes”, kemi një rritje të buxhetit të planifikuar, duke shkuar nga realizuar 2.15 miliard lekë në 2023, dhe planifikuar2.55 miliard lekë në 2024, duke shkuar përkatësisht 2.88 miliard lekë në 2025 dhe 2026. “Ajo çfarë vërëhet si problematike për buxhetin paraprak të vitit 2027 është një ulje e shpenzimeve kapitale, pra e investimeve, ndërkohë që shpenzimet korrente, ato administrative dhe paga janë planifikuar që të rriten”-thotë për Faktoje.al eksperti i ekonomisë Ilir Brasha, teksa shton se “buxheti 2027 parashikon më pak investime në përmirësimin e ujitjes dhe kullimit por edhe në parandalimin e përmbytjeve”.
12 projekte, më shumë se gjysma në pikëpyetje
Nga monitorimi i statusit të zbatimit të 12 masave për ujitjen, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet rezistente ndaj klimes, 4 nuk kanë filluar, 1 është bërë plan
i për zbatim në afat të shkurtër, 5 janë në vazhdim, dhe 2 janë të pasigurtë. “Shumica e projekteve të ndërmarra për parandalimin e përmbytjeve nuk janë filluar akoma, gjë që tregon një realizim të ulët të masave që duhet të ndërmerren për të siguruar digat dhe mbrojtjen nga përmbytjet”-konstaton eksperti Brasha.

Përfundimi
Vendi ynë vijon të jetë i rrezikuar nga përmbytjet ku përveç ndikimit nga faktorë lokalë si prerja e pyjeve, dëmtimi i lumenjve dhe ndërtimet pa kriter shtohen edhe ndryshimet klimaterike që kanë ulur ditët me shi, por rritur rrezikun e përmbytjeve nga intesisiteti i lartë në periudha që nisin rreshjet. Investimet për ngritjen e argjinaturave dhe pastrimin e kanaleve kryesore kulluese nuk janë në nivelin e kërkuar, ndërsa plani kombëtar për mbrojtjen nga fatkeqësitë natyrore, përfshi edhe përmbytjet nuk shoqërohet me buxhetin e nevojshëm.