“Manifestit” që Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tundte në duar nga podiumi i Kuvendit në seancën e 5 dhjetorit për faljen e gjobave të paekzekutuara (nga disa inspektoriate) në zonat rurale, deputeti i PD-së, Flamur Noka iu përgjigj me të njëjtën përpjekje të gjithmbarshme.
“Tani zonjë (Spiropali) a mund të më shpjegoni, a mos vallë ujku është veshur me lëkurën e qengjit. A ishit ju që ju thoshit shqiptarëve që koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund. Që burgosët 38 mijë shqiptarë se pse rregulluan një dritare, një parvaz, apo një kotec pulash. A ishit ju që keni burgosur 38 mijë shqiptarë edhe për një 5 mijë lekësh të vjetra energji elektrike. Si do t’i jepni ju llogari atyre familjeve që njerëzit u kanë vrarë veten, për shkak të burgut që i keni futur ju. Se tani, po ju thoni shqiptarëve që po vijnë zgjedhjet, se këta përbindësha, këta ujqër, të tërbuar na paskan veshur lëkurën e deles…”, tha Flamur Noka në seancën e 5 dhjetorit në Kuvend.
Konteksti
Aksionet e qeverisë “Rama” kundër ndërtimeve pa leje nisën në mënyrë të organizuar pas ardhjes së tij në pushtet në vitin 2013, me fokus të veçantë goditjen e ndërtimeve të paligjshme. Prej vitit 2014, fushata u intensifikua me operacione masive kundër ndërtimeve pa leje, por edhe vjedhjes së energjisë elektrike. Përgjatë viteve, aksione të tilla kanë hasur në disa problematika, që lidhen me kundërshtimet nga komunitetet lokale, akuza për selektivitet si dhe impakti social dhe ekonomik që ka sjellë ndaj shtresave më të varfëra. Qeveria i ka adresuar aksionet si mundësi për të bërë shtet, ndërsa opozita i ka parë si masa represive. Ndaj dhe debati për aksione të tilla, në kontekste zgjedhore siç po i trajton politika, merr të tjera përmasa. Duke filluar nga ligjërimi publik i politikanëve në vend.
Fakt
Deputeti i PD-së, Flamur Noka, tha gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend më 5 dhjetor se janë burgosur 38 mijë qytetarë për ndërtime pa leje dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Një shifër kjo e konsiderueshme, fiks në ditën kur socialistët kishin ardhur me një draft, që do të lehtësonte barrën për ata banorë të zonave rurale, që nuk kishin paguar gjobat ndër vite kryesisht për ndërtimet pa leje. PS nuk ka ende një shifër konkrete se sa është numri i atyre që përfitojnë nga ky draft. Nga PD-ja kemi një shifër për gjithë procesin madje edhe verdiktin; 38 mijë të burgosur. Noka nuk përcaktoi periudhën kohore që prekte kjo shifër dhe nuk saktësoi gjithashtu se cilit burim zytar i referohej. Sali Berisha, në anën tjetër, gjatë pjesëmarrjes në Forumin “Të drejtat e shkelura” tha se, “38 mijë qytetarë ka arrestuar Edi Rama në vitin 2015, për fatura drite”
Për të verifikuar vërtetësinë e deklaratës së deputetit Noka mbështetur më pas edhe nga Berisha, Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë për informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, mbi të dhënat që ajo disponon nga viti 2013 e deri më sot për numrin e të burgosurve për veprat penale: ndërtime pa leje dhe vjedhje të energjisë elektrike.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve na vuri në dispozicion të dhënat statistikore nga viti 2020 e deri më sot. Para kësaj periudhe nuk ka statistika konkrete që i referohen dy veprave në fjalë.
Referuar përgjigjes nga Drejtoria e Burgjeve, për katër vitet e fundit, të burgosur për veprat penale për ndërtim pa leje janë 6 ndërsa të dënuar për vjedhje të energjisë elektrike (për të njëjtën periudhë 2020-2024) janë vetëm 15.
Në mungesë të një përgjigje shteruese nga Drejtoria e Burgjeve, Faktoje.al iu drejtua Policisë së Shtetit për të marrë një informacion më të plotë se sa të shoqëruar, të arrestuar ka pasur nga periudha 2013-2014 e deri më sot për ndërtimet pa leje dhe vjedhje të energjisë elektrike.
“Në përgjigjje të kërkesës suaj, informojmë se gjatë periudhës 2014-2024, janë vënë në pranga në total, 1992 shtetas për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike” dhe 767 shtetas për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Gjithsej 2759, shifër larg asaj që Flamur Noka raportoi në Kuvend.
Përfundim
Referuar përgjigjes zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, deklaratën e deputetit njëherazi Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, se u burgosën 38 mijë qytetarë për ndërtime pa leje dhe vjedhje të energjisë do ta kategorizojmë të pavërtetë.