.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëRegjistrimi i diasporës në zgjedhje - si po e shfrytëzon PS-ja boshllëkun ligjor

Regjistrimi i diasporës në zgjedhje – si po e shfrytëzon PS-ja boshllëkun ligjor

Regjistrimi i diasporës për të votuar në zgjedhjet e 11 majit 2025 ka krijuar konfuzion lidhur me rolin që partitë politike duhet dhe mund të kenë në këtë proces. Kodi Zgjedhor, përpos përcaktimit me ligj të mënyrës teknike se si diaspora do të regjistrohet për të votuar, nuk ka rregulla specifike për angazhimin politik në këtë proces duke sjellë ngritjen e pretendimeve të ndryshme.

Një prej tyre është ai i ngritur nga përfaqësuesi i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj. Në një dalje televizive ai e quajti shkelje të ligjit dhe rregullave angazhimin e partisë në pushtet dhe kryetarëve të bashkive për regjistrimin e diasporës në portalin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Haçkaj denoncoi pjesëmarrjen e kryetarit të Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë dhe ngriti shqetësimin se kjo asistencë partiake shkel mbrojtjen e të dhënave personale të votuesve.

“Kodi Penal neni 328 pika a) ka të bëj pikërisht me përdorimin e administratës për të mira zgjedhore. Është e papranueshme dhe e paligjshme në një vend normal, të dalë zoti Niko Peleshi bashkë me kryetarin e Bashkisë Korçë në një studio, që nuk e di a po e bën vullnetarisht apo paguhet Alba Service në Selanik, dhe shfaqin në video të gjithë procesin sesi i ulin njerëzit përpara ekranit dhe i regjistrojnë në sistemin PER, që është diçka komplet private. Pra, dikush tjetër i hap Kodin, ka qasje në llogarinë e tyre, i merr numrin e kartës së identitetit dhe kjo bëhet me funksionarë publik” – Florian Haçkaj, Diaspora për Shqipërinë e Lirë.

*imazh nga video e publikuar nga Niko Peleshi të regjistrimit në Selanik të shqiptarëve në platformën e KQZ

Milva Ikonomi, deputete e Partisë Socialiste, tha se ky proces regjistrimi i diasporës është krejt normal.

Procesi i asistimit për regjistrimin është proces që i takon partive ta bëjnë sepse krijimi i regjistrit të diasporës po ndodh për herë të parë” – Milva Ikonomi, deputete PS.

Të angazhuar në këtë proces regjistrimi jashtë kufijve kanë qënë edhe disa ministra të kabinetit qeveritar.

*imazh nga videoja e publikuar nga ministrja Mirela Kumbaro nga udhëtimi në Athinë për regjistrimin e votuesve nga jashtë

Informacion zyrtar

Nisur nga kjo, Faktoje kërkoi informacion nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Komisioneri për të Mbrojtjen e të Dhënave Personale për atë se çfarë i lejohet partive politike dhe çfarë jo në këtë proces regjistrimi.

Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë apo aktet nënligjore të nxjerra nga KQZ nuk parashikojnë asnjë rregull apo ndalim mbi ndihmën që mund të marrin votuesit nga jashtë vendit gjatë procesit të regjistrimit në platformën PER”. – KQZ për Faktoje

E pyetur nga Faktoje nëse është në shkelje të rregullave të Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të KQZ angazhimi i kryetarëve të bashkive gjatë orarit zyrtar të punës në procesin e regjistrimit të votuesve nga jashtë, KQZ tha se “nuk ka asnjë parashikim ligjor që të përcaktojë këtë”.

Sa i përket aspektit teknik të regjistrimit, KQZ njoftoi Faktojen se nuk ka asnjë kufizim rregullator apo teknik mbi numrin e votuesve që mund të regjistrohen nga i njëjti kompiuter.

Mbrojtja e të dhënave personale

Për shqetësimin se ky proces regjistrimi i diasporës i asistuar nga partitë politike shkel privatësinë e të dhënave personale, Faktoje iu drejtua për sqarim Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Aksesi në të dhënat e zgjedhësve, me qëllim që të konsiderohet i ligjshëm duhet të kryhet vetëm sipas parashikimeve të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”. – Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave për Faktoje

Sipas dispozitave të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, aksesi i të dhënave personale konsiderohet përpunim dhe përpunimi i të dhënave personale legjitimohet vetëm nëse plotësohet një nga kushtet e sanksionuara në nenin 6 të Ligjit. Sipas këtij neni të dhënat personale përpunohen ndër të tjera vetëm për përmbushjen e një detyrimi ligjor të kontrolluesit”vijon përgjigjja.

Nisur nga fakti se Kodi Zgjedhor nuk parashikon asnjë rregull për ndihmën që mund t’i jepet votuesve nga jashtë, atëherë ky akses mund të konsiderohet jo ligjor.

Deklarata publike e KQZ dhe Komisionerit për mbrojtjen e të Dhënave

Pak ditë pas përgjigjes së ardhur në postën elektronike të Faktoje, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Derivishi dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dolën në një deklaratë të përbashkët publike.

Ndër të tjera, dy komisionerët deklaruan se “partitë politike dhe organizatat përkatëse duhet të mbledhin dhe të përpunojnë vetëm ato të dhëna që janë absolutisht të nevojshme për qëllimet e regjistrimit të zgjedhësve”.

Shtetasit duhet të informohen në mënyrë të qartë se si dhe për çfarë qëllimi do të përpunohen të dhënat e tyre. Të dhënat e mbledhura duhet të mbrohen me masa teknike dhe organizative të përshtatshme për të parandaluar qasjen e paautorizuar, shkatërrimin ose keqpërdorimin e tyre dhe të dhënat e mbledhura për qëllime regjistrimi nuk duhet të përdoren për qëllime të tjera, si propaganda politike, pa marrjen e pëlqimit të informuar të shtetasit” – vijon deklarata.

Në këtë deklaratë, përpunimi i të dhënave nga partitë politike, edhe pse nuk parashikohet në asnjë ligj shqiptar, është konsideruar i mundur nga komisionerët kur bëhet fjalë për qëllimin e regjistrimit të votuesve nga jashtë.

Çfarë thonë ekspertët

Është mungesa e rregullimeve ligjore ajo që sipas studiuesit Afrim Krasniqi ka krijuar situatën ku sjellja e zyrtarëve për regjistrimin e diasporës po interpretohet si shkelje etike dhe jo si shkelje ligjore.

Kodi Zgjedhor ndalon përdorimin në fushatë zgjedhore të administratës brenda orarit të punës por sipas ligjit të nënpunësit civil, funksionarët e zgjedhur, si rasti i kryetarit të Bashkisë së Korçës, nuk janë pjesë e administratës publike.

Afrim_Krasniqi_per-Faktoje

Unë mendoj që është shkelje e dukshme ligjore për sa kohë që gjatë orarit të punës, qytetari që nuk mban poste politike penalizohet, kurse zyrtarët e lartë të cilët janë zgjedhur politikisht përkundrazi kanë të drejtë dhe veprojnë brenda orarit zyrtar, përdorin mjete zyrtare dhe keqpërdorin postet zyrtare në funksion të fushatës” – Afrim Krasniqi, Instituti i Studimeve Politike.

Kodi Zgjedhor e ndalon përdorimin e mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme, si dhe burimeve njerëzore të administratës publike në funksion të subjekteve zgjedhore, por që kjo të jetë e monitorueshme, do duhej një transparencë në kohë reale nga institucionet dhe partitë politike.

Krasniqi vlerëson se kjo transparencë duhet të kishte filluar prej 11 janarit – afati kur nisi regjistrimi i diasporës në zgjedhje – ku të përfshihej agjenda e kryetarit të bashkisë, angazhimi i tij në fushatë dhe aktivitete elektorale, kostot financiare personale dhe të institucionit që mbulon, si dhe të dhëna të tjera publike.

Kjo do i lejonte shoqërisë civile dhe vetë qytetarëve që të jenë të informuar nëse zyrtari abuzon apo jo me detyrën, thekson ai.

Ne kemi edhe ministra të cilët i shohim nga monitorimi në rrjet që më shumë rrinë jashtë Shqipërie sesa në Shqipëri dhe vijojnë të jenë ministra. Në një vend serioz kjo nuk ndodh dhe në një vend serioz individët që kanë poste të tilla duhet të japin dorëheqjen dhe të pezullojnë funksionin e tyre derisa të mbarojë fushata elektorale” – vijon Krasniqi.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë i tha Faktojes se ka depozituar denoncim për këto aktivitete në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Posaçme, SPAK.

Përfundim

Duket se kjo risi e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 dhe mungesa e parashikimeve ligjore për këtë realitet të ri, ka krijuar boshllëk ligjor për veprimtari elektorale të funksionarëve jashtë vendit dhe përpunimin e të dhënave të votuesve, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për sa të drejta janë ato.

Nisur nga këto të dhëna, deklarata publike të institucioneve dhe mendimi i ekspertëve, deklaratën e deputetes së Partisë Socialiste, Milva Ikonomi se asistenca nga partitë politike e votuesve nga jashtë në procesin e regjistrimit është krejt normale do e kategorizojmë gjysmë të vërtetë.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img