12 minuta kohë ka një mjek në spitalin Onkologjik për të vizituar 40 pacientë në ditë. Kjo nëse do të punojë 8 orë dhe nuk do të ketë asnjë minutë pushim. Të dhënat zyrtare tregojnë se janë 220 persona që marrin shërbim çdo ditë në këtë spital ku numri i mjekëve dhe infermierëve është i kufizuar. Gjendja paraqitet edhe më e vështirë në pavionin e kimioterapisë. Aty ka vetëm 19 poltrona dhe numri i të sëmurëve në ditë që marrin këtë shërbim është 70 deri në 80 përsona. Procesi i kimioterapisë është individual dhe mjekimi për një person zgjat minimumi dy orë. Nëse ilaçet janë në spital dhe ti kryen procesin në ditën e parashikuar, quhesh me fat…
Prej 11 muajsh, Blerta e prekur nga kanceri i gjirit trajtohet në spitalin Onkologjik në QSUT. 53-vjeçarja nga Tirana duhet të presë me orë të tëra pasi vendet janë gjithnjë plot dhe stafi është i mbingarkuar.
“Mjeku ka shumë pacientë. Është e pamundur për të nëse në ditë kryen 40-50 vizita. Kjo nuk do shumë llogari, nëse do të kryejë 40 vizita në ditë ai ka vetëm 12 minuta kohë për secilin prej nesh. Është një ngarkesë jo normale për një mjek që duhet të punojë me urgjenca për jetën çdo ditë”, thotë ajo.
Në spitalin Onkologjik marrin shërbim masatarisht në një ditë 220 pacientë. Disa janë për konsulta, disa marrin kimioterapi, radioterapi apo ndërhyrjeve kirurgjikale.
Spitali Onkologjik ka 68 shtretër në njësitë përkatëse dhe 19 poltrona për spitalin ditor.
Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit të vitit 2023 u evidentuar se numri i poltronëve ‘shtrat virtual’ është në sasi të vogël vetëm 19 poltrona, ndonëse gjatë ditës trajtohen me kimioterapi 75-80 pacientë, të cilët nuk janë vetëm nga qarku Tiranë, por nga i gjithë vendi, duke sjellë për pacientët dhe familjarët e tyre kosto për transport dhe akomodim.
Sfida për të siguruar ilaçet
5 muaj më parë, Roza është diagnostikuar me kancer gjiri. Ajo thotë se operacionin dhe kimioterapitë i bëri në privat, për shkak të eksperiencave jo të mira të të afërmeve të saj në spitalin publik të Onkologjikut.
“Duke pasur parasysh çfarë kisha dëgjuar për spitalin onkologjik, vendosa që operacionin edhe kimion ta bëja në privat. Pjesë të terapisë kam edhe herceptinën. Herceptina është shumë e shtrenjtë edhe zgjat një vit, vendosa të futem në sistem. Aty jam përballur me menaxhimin skandaloz të shërbimit onkologjik në Tiranë”, tregon 45-vjeçarja.
Veç radhëve të gjata, gruaja thotë se është përballur me mungesë komunikimi dhe arrogancë në këtë spital.
“Radhë pa fund, trajtimi mizerje që nga ana e policit te dera. M’u desh të paguaja një person të më ndihmonte, sepse do harxhoja gjithë ditën te onkologjiku. Kam paguar me lekë tek zyra e kirurgut, nivel skandaloz i komunikimit në atë zyrë”, thotë e shqetësuar 45-vjeçarja.
Duke iu referuar raportit të KLSH për vitin 2023, mjeku Ilir Alimehmeti thotë se ka mungesë medikamentesh të kimioterapisë.
“KLSH thekson mungesën e agjentëve të kimioterapisë pasi hetoi 13 medikamente kimioterapie, me vonesa të tenderave dhe furnizimit që shkojnë nga 12 deri në 34 ditë në kundërshtim me përshkrimin e recetës mjekësore thekson KLSH. Nëse do të kishte pasur mjaftueshëm medikamente kimioterapi dhe të ishin të shpërndara si duhet në territor, do të minimizoheshin kushtet e zhvillimit të abuzimeve/korrupsioneve”, thotë Alimehmeti.
Në muajin qershor në Spitalin Onkologjik u zbulua se si një grup mjekësh, farmacistësh, por edhe drejtuesish të QSUNT-së bënin ‘pazare’ me jetët e të sëmurëve me kancer, duke shkaktuar reagime të forta publike.
Ndërsa, në një artikull të publikuar në korrik të këtij viti, Faktoje raportoi se buxheti i vogël, korrupsioni dhe keqmenaxhimi i shtyjnë pacientët që vuajnë nga kanceri të bëjnë zgjedhje të vështira në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
Rritet numri i të sëmurëve me kancer
Referuar të dhënave nga QSUNT, numri i rasteve të shtruara në spitalin onkologjik, në periudhën 1 janar 2024 deri në 30 qershor 2024 është 10,317 persona.
“Theksojmë, se rast quhet çdo prezantim i pacientit në spital. Numri i rasteve të diagnostikuara me patologji tumorale për herë të parë, për periudhën 1/01/2024 – 31/06/ 2024 është në total 1849 pacientë”, bën të ditur Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
INSTAT, në raportet “Shkaqjet e Vdekjeve, 2022” dhe “Shkaqet e Vdekjeve, 2023” informon për 3.233 vdekje nga kanceri në vitin 2022 (13.5% e totalit të vdekjeve në 2022) dhe 3.336 vdekje nga kanceri në vitin 2023 (15.7% e totalit të vdekjeve në 2023), pra mesatarisht rreth 9.1 vdekje në ditë, në trend rritës nga viti i mëparshëm.
Mirëpo, mjeku Alimehmeti thekson se të dhënat e OBSH-së flasin për një situatë edhe më të rëndë.
“Sipas raportit për vitin 2022 të Agjensisë Ndërkombëtare për Kërkimin mbi Kancerin të OBSH-së, numri i rasteve të reja me kancer në vitin 2022 ka qenë 8.019, ndërsa numri i vdekjeve 4.955, ndërkohë që në Shqipëri u raportuan vetëm 3.233 vdekje në këtë vit, pra janë raportuar nga Shqipëria 34.6% më pak se sa realiteti i përllogaritur nga OBSH-ja”, argumenton ai.