.

.

BallinaPertejNumri i spitaleve rajonale që pranojnë pacientë covid, më i madh se ato që deklaron zyrtarisht qeveria

Numri i spitaleve rajonale që pranojnë pacientë covid, më i madh se ato që deklaron zyrtarisht qeveria

EDIT NIKOLLI & INVA HASANALIAJ

Hospitalizimi i pacientëve me covid, zyrtarisht, sipas ministrisë së Shëndëtësisë po ndodh vetëm në 4 spitalet e dedikuar në Tiranë dhe 3 spitale rajonale, Durrës, Shkodër e Vlorë. Por edhe pse deklarohet se këto kapacitete nuk janë ezauruar ende, realiteti është ndryshe. Faktoje ka konstatuar se edhe spitale të tjera rajonale, prej ca kohësh kanë hapur dyert për shtrimin e pacientëve me covid.


Rritja e pandalshme e të infektuarve me Covid-19 gjatë kësaj periudhe dhe shtrimeve të shumta në spitale ka bërë që të ezaurohen kapacitetet në spitalet Covid në Tiranë.

Në një intervistë televizive në 10 shkurt, Drejtori i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj paraqiste një situatë nën kontroll sa i përket kapacitetit spitalor për hospitalizimin e pacientëve me covid, edhe pse numri i të prekuve që raportoheshin në 24 orë kishte arritur shifra rekord për Shqipërinë

Në total kemi 550 shtretër, të cilët nuk janë ezauruar deri në këtë moment, katër skenarët e parë, mbas të cilëve janë llogaritur dhe skenarë të tjerë siç janë spitalet rajonale edhe spitalet bashkiake, çdo spital rajonal të këtë një repart covidi me 30 ose 40 shtreter dhe më shumë, gjë të cilat janë gati.”

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar vetëm javët e fundit zyrtarisht hapjen e spitaleve rajonale të Durrësit, Shkodrës dhe Vlorës, me qëllim shtrimin e pacientëve me covid.

Por në një artikull të publikuar më herët, Faktoje ka zbuluar se Spitali Rajonal i Durrësit ka hapur pavionin për të prekurit nga Covid-19, që në muajin nëntor 2020. Edhe burimet brenda spitalit kanë konfirmuar për Faktoje se struktura Covid është hapur më parë sesa të zyrtarizohej nga Ministria e Shëndetësisë.  Aktualisht, ky spital pret çdo ditë 10 deri në 20 raste me Covid-19.

                                                                                Spitali Rajonal i Durrësit

Faktoje i ka dërguar edhe një kërkesë zyrtare për informacion Spitalit të Durrësit lidhur me numrin e rasteve me Covid të hospitalizuar nga kjo strukturë.

                              Kërkesë për informacion drejtuar Spitalit të Durrësit, 23 shkurt

Faktoje bëri një vëzhgim edhe në spitalin rajonal të Fierit, i cili ende nuk është deklaruar zyrtarisht i hapur për shtrimin e rasteve me covid.

                                                 Foto Spitali Rajonal i Fierit, 19 shkurt 2021

Kur u interesuam pranë burimeve konfineciale, na u pohua: “Pavioni që është hapur për të pritur pacientë të prekur nga Covid-19, ndodhet në katin e tretë, ka shumë pacientë me covid dhe  raste të shumta. Kur janë rëndë, dërgohen në Tiranë.”

Ne shkuam pranë drejtorisë së spitalit për të marrë konfirmim zyrtar lidhur me këtë çështje, por për të dytën herë informacioni i kërkuar na u refuzua.

Më 19 shkurt Faktoje shkoi edhe pranë Spitalit Rajonal të Vlorës. Kryeministri dhe ministrja e Shëndetësisë kishin njoftuar se po atë ditë do të hapej pavioni i dedikuar për të sëmurët me covid. Por të afërm të pacientëve të prekur me covid na konfirmuan se edhe në këtë spital, pavioni ishte hapur pak kohë më parë.

                                                     Spitali Rajonal i Vlorës, 19 shkurt 2021

“Ka shumë raste, unë kam vëllain të shtruar aty është rëndë me oksigjen, vij gjithmonë në orën 12 dhe i dërgojmë ushqim, komunikojmë përmes telefonit, sapo fola me të, mirë thotë, janë katër veta në dhomë”- thotë njëri prej tyre për Faktoje

“Unë kam babain me Covid, erdhëm me urgjence në spital, unë e kam shoqëruar deri në katin e katërt, aty ku është edhe pavioni, pastaj e kam lënë aty, unë tani jam dhe vetë i rrezikuar që jam i infektuar, askush nuk më tha të bëj tampon, asgjë”-thotë një tjetër qytetar që pret në oborrin e spitalit të Vlorës.

Sipas drejtueses së këtij spitali, thuajse një e treta e kapacitetit të përgjithshëm është vënë në dispozicion të pacientve me covid. “Për sa i përket kapacitetit të spitalit të Vlorës 350 krevatësh në kushtë normale, por ato të dedikuara për covid-19 janë 80 të përgatitur por në rast se keto raste të tjera do ti kalojnë këtë kapacitet do të kemi, ka prapë një repart i cili përmban edhe 40 krevatë të tjera.”

                                      Spitali i Vlorës, godina ku ndodhen pacientet me Covid, kati i katërt

Edhe nga spitali i Sarandës, raportohet se ka raste kur pacientë të prekur nga covid, shtrohen për t’u trajtuar.

                                                               Spitali i Sarandës, 24 shkurt 2021

Burime pranë spitalit të Sarandës thanë për Faktoje: “Raste me Covid vijnë çdo dite, 20/30 paciente, ato që janë më rëndë i dergojmë me urgjencë në spitalin e Tiranës kurse ato me simtoma më të lehta ose i mbajmë këtu ose i dërgojmë në shtëpi.”

Në skenarin e parë ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar se do te hapin pavionin Covid-19 spitalet rajonale, si ai i Durrësit, Shkodrës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.

Eugena Tomini zëvendësministre e Shëndetësisë dhe njëherësh anëtare e Komitetit Teknik të Eksperteve, në një intervistë televizive u shpreh:

“Kemi një transmetim komunitar, një transmetim me një insidencë të rasteve të konfirmuara, kjo reflektuar jo vetëm me pozitivitetin por edhe me rastet që kanë kërkuar shtrim spitalor, përkundrejt shtimin të kapaciteteve në nivel qendror ku kemi ezauruar rreth 80 për qind të shtreterve duke përfshirë edhe dy spitalet rajonale ai i Durrësit dhe të Shkodrës.”

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img