Investimi i shumëpritur në dy shkolla të mesme të qytetit të Elbasanit ka nisur më në fund. I premtuar gati dy vjet më parë nga bashkia Elbasan dhe i lajmëruar disa herë për fillimin e punimeve, tashmë kontratat janë lidhur dhe puna ka filluar për rikonstruksion dhe shtesë në objekt për gjimnazin Konstandin Kristoforidhi dhe shkollën e mesme artistike Onufri.
Bardha Nergjoni
Gjatë një inspektimi të kryer në investimin e shkolles “Jorgji Dilo” në 19 janar 2020, kryetari i bashkisë Gledian Llatja së bashku me deputetin e PS Taulant Balla, deklaroi se ishin në fazën përfundimtare projektet e dy shkollave të mesme në qytet, “Onufri” dhe “Konstandin Kristoforidhi”. Një vit para kësaj deklarate, në 2019 në faqen zyrtare të shkollës “Konstandin Kristoforidhi” ishte njoftuar fillimi i shpejtë i punimeve dhe ishin publikuar pjesë nga projekti për rikonstruksionin e shkollës.
U deshën gati 3 vjet që bashkia Elbasan të shpallë procedurën e tenderimit dhe të lidhë kontratat për investimet në gjimnazin “Konstandin Kristoforidhi” dhe në shkollën artistike “Onufri”. Më në fund në këto dy objekte kanë filluar punimet për rikonstruksionin e godinave ekzistuese dhe shtesat e parashikuara në projekt.
Nga të dhënat e Open Data Albania, Bashkia Elbasan ka shpallur fituese nga një procedurë e hapur, kompaninë Bajrami N sh.p.k me vlerën totale të investimit prej 119 milion e 493 mijë lekë të reja duke skualifikuar një ofertë më të vogël, për mosplotësim dokumentacioni. Kontrata është nënshkruar në 12 tetor 2022 dhe punimet parashikohen të vazhdojnë për 8 muaj. Ky objekt do të pësojë rikonstruksion total, një shtesë katër kate dhe një palestër.
Gjatë një verifikimi në terren, pamë se punimet në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” kishin nisur, por mungonte tabela informuese e projektit, e cila sipas detyrimit ligjor duhet të vendoset në kantierin e punë, në një vend të dukshëm.
Shkolla “Kostandin Kristoforidhi” në rikonstruksion, Elbasan dhjetor 2022
Ndërkohë për shkollën “Onufri” punimet do të zgjasin 11 muaj, sipas kontratës me firmën zbatuese. Kompania fituese është shpallur ERGI sh.p.k pas një procedure të hapur, ku morën pjesë 3 kompani. Ky objekt do të ketë, një shtesë 4 kate dhe palestër për aktivitetet sportive.
Tabela e punimeve në kantierin e shkollës “Onufri”, dhjetor 2022
Edhe pse janë të kënaqur që më në fund objektet e tyre shkollore do të rikonstruktohen, nxënësit e këtyre dy shkollave, tani përballen me problemin e mësimit me turne, pasi procesi mësimor do të zhvillohet në dy godinat më të afërta në orët e pasdites.
- A, nxënëse e vitit të tretë në gjimnazin “Konstandin Kristoforidhi” thotë se ky vit duket shumë i vështirë për mbi 700 nxënësit e kësaj shkolle.
“Godina ku jemi spostuar, ajo e shkollës “Dhaskal Todri” është pa ngrohje dhe pa kushte të përshtatshme. Ne do ta zhvillojmë mësimin gjatë gjithë dimrit dhe verës në këtë godinë ku prizat nuk mbajnë dhe ngrohje nuk ka. Është mjaft e vështirë për ne të përqendrohemi dhe të mësojmë në këto kushte”-thotë ajo për Faktoje.
Ndërkohë Alketi, që vjen nga rrethinat e Elbasanit, duhet të udhëtojë çdo ditë me autobus për në shkollë:
“Gjatë turnit të pasdites nuk ka autobusë në orare të përshtatshme. Koha është e ftohtë tani në dimër dhe duhet të shkoj në këmbë deri në stacion dhe më pas të mundohem të gjej një mjet. Kjo gjë ndodh çdo ditë dhe është vërtet strapacuese”.
Rudina, nëna e një nxënëseje në vitin e dytë në gjimnazin “Konstandin Kristoforidhi” thotë:
“Ky do ishte viti kur mësimi do zhvillohej normalisht pas pandemisë, por kjo shkollë nuk mund të ketë normalitet. Sinqerisht mendova se sakrifica jonë mbaroi me pandeminë dhe vajza do mundohej të rikuperonte. E di sa e vështirë është të bëhet mësim kur është ftohtë dhe pa kushte siç është shkolla “Dhaskal Todri”. Edhe këtë vit mund ta konsideroj të humbur për fëmijën tim”.
E njëjta sakrificë ka përfshirë edhe të gjithë nxënësit e shkollës artistike. Ata do të ndjekin mësimin në gjimnazin gjuhësor “Mahmut Ali Cungu” që nuk përshtatet aspak për specifikën e shkollës Onufri.
Prindi i një nxënësi në profilin e pianos thotë se e ka të vështirë ta çojë fëmijën në turnin e dytë dhe sidomos pasdite dhe pa ngrohje. “Duhet t’u sigurohet këtyre fëmijëve ngrohje dhe të mundohen institucionet t’i krijojnë kushtet. Nuk mund të lihen artistët e të ardhmes në këtë gjendje”-thekson ndër të tjera ai.
Ne i kemi bërë një kërkesë për informacion bashkisë Elbasan në lidhje me situatën e krijuar, por deri tani në publikimin e këtij artikulli nuk kemi një përgjigje.