Nga Patris Pustina
Përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit dhe Izraelit, i shkaktuar nga vrasja e udhëheqësit iranian Ali Khamenei në një sulm izraelito-amerikan ndaj Teheranit më 28 shkurt, u shoqërua me një vërshim dezinformimi në media dhe rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse.
Faktoje ka verifikuar dhe përgënjeshtruar disa prej tyre në dy javët e fundit.
Gjeni më poshtë një përmbledhje.
Panik për mbledhje klikimesh
Një numër postimesh u mbështetën në tituj dhe tone sensacionaliste për të bërë shumë zhurmë për asgjë. Për shembull, në një metodë tipike të peshkimit për klikime, faqe në Facebook pretendonin se “Irani nis sulme drejt Evropës. Shumë afër Maqedonisë dhe Shqipërisë,” duke i ftuar përdoruesit e alarmuar të zbulojnë detajet e fundit në një artikull të lidhur në komente.
Megjithatë, në brendinë e artikullit, zbulohet se bëhej fjalë për dy raketa që Irani lëshoi drejt Qipros, rreth 1340 km larg Shqipërisë, në vijë ajrore, ku ka dy baza ushtarake Mbretëria e Bashkuar.

Vendosmëria për të mbledhur klikime me anë të ngjalljes së panikut qëndron edhe pas një postimi të shpërndarë në mënyrë identike nga dhjetëra faqe në Facebook, që lajmëronte tensionim të situatës pasi “Rusia futet në lojë,” shoqëruar me ftesën e zakonshme për klikime për të mësuar më shumë. Ndërkaq, pasi lexuesi/ja e klikon, ai/ajo zbulon se artikulli citon një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse që dënon sulmin amerikano-izraelit kundër Teheranit, por nuk përmban asnjë kërcënim, zotim apo insinuatë se Rusia ka ndërmend të përfshihet në konflikt, apo të “futet në lojë” Përkundrazi, në mënyrë gati ironike, duke marrë parasysh luftën 4-vjeçare në Ukrainë, deklarata përfundon me një thirrje për diplomaci dhe zgjidhje paqësore.

Një tjetër ‘lajm’ që u shpërnda gjerësisht në peizazhin mediatik shqipfolës ishte pretendimi se Irani do të sulmonte bazën e Muxhahedinëve, një grupi opozitar iranian që strehohet në Manëz që në 2018.

Siç Faktoje ka sqaruar në një artikull të mëparshëm, ky pretendim bazohet vetëm në artikullin e një medie azere, i cili citonte një deklarate të fshirë nga një kanal jo-zyrtar.
Lufta e gjeneruar
Pamjet e gjeneruara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI) kanë lulëzuar në kontekstin e konfliktit.
Një sërë mediash dhe faqesh në rrjete sociale qarkulluan pa verifikuar një imazh të gjeneruar me AI si të ishte vërtet një pamje e kufomës së Ali Khamenei nën rrënoja. Kjo paçka faktit se që në sy të parë në imazh spikasin disa gabime logjike. Asnjë nga shpëtuesit nuk duket se ka interes për trupin, por përkundrazi po shikon me vëmendje pllakën e betonit mbi të. Ndërkaq, burri në të djathtë ka hipur mbi pllakën masive të betonit që po shtyp viktimën, duke i shtuar peshën e plotë trupit të tij.

Një video e gjeneruar me AI u shpërnda nga mediat si video reale e sulmit iranian në Aeroportin Ndërkombëtar të Dubait mbrëmjen e 28 shkurtit, megjithëse ajo, gjithashtu, përmbante mospërputhje logjike të dukshme: sjellja e pakuptimtë e njerëzve që rreshtohen përpara sporteleve bosh apo vrapojnë drejt shpërthimit, në vend që të ikin prej tij; njerëzit që sfidojnë ligjet e materies duke kaluar tejpërtej ndarjeve të hekurta, duke u bashkuar me njëri tjetrin, apo zhduken ndërsa ecin; dhe një shkrim i pakuptimtë, megjithëse në stilin e alfabetit arab, që shfaqet në ekranet e mëdhenj.

Një imazh i gjeneruar që dukej se tregonte tre vizatime avionësh luftarakë, njëri prej të cilëve ishte bombarduar, qarkulloi me pretendimin se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë sulmuar siluetat e avionëve luftarakë F-4 Phantom II në një bazë ajrore në Iran, duke pretenduar se kjo ishte një taktikë iraniane për t’i bërë amerikanët dhe izraelitët të shpërdorojnë armë të shtrenjta.

Një video e gjeneruar me pamje shpërthimesh kinematografike në horizontin e një qyteti, qarkulloi gjithashtu në rrjete sociale si pamje të raketave iraniane balistike që godasin Tel Avivin në mars 2026.

Shmangia e shpërndarjes së pamjeve të gjeneruara me AI si të vërteta nuk është gjithmonë e vështirë apo e komplikuar. Një kërkim pamor me Google Lens, në skedën “About this image” (“Rreth këtij imazhi”) tregon nëse imazhi është etiketuar si “I bërë me Google AI” duke zbuluar një gjurmë SynthID. Një zëdhënës i Google ka thënë për AFP se kur zbulohet një gjurmë SynthID, kjo do të thotë që “imazhi është gjeneruar ose modifikuar me AI.” SynthID, i lançuar nga laboratori DeepMind AI i Google në 2023, identifikon imazhet e gjeneruara me Google AI.


Përdorimi i pamjeve reale që nuk kanë lidhje me konfliktin
Përveç pamjeve të gjeneruara, edhe ato reale, po përdoren për të dezinformuar online, duke u përshkruar si të lidhura me konfliktin kur nuk janë.
Një video që pretendohet se tregon një godinë të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA) në Dubai të goditur nga raketat iraniane, në të vërtetë tregon një zjarr që shpërtheu në Sharjah, 30 km larg Dubait, në 2015, mbi 10 vite para sulmit iranian në Dubai.
Një video që pretendohet se tregon ushtarë izraelitë që prishin kamerat e sigurisë nëpër rrugë në mënyrë që mos shihen dëmet nga raketat iraniane, në fakt ishte postuar që në 2025 nga policia e Galilesë Perëndimore si pamje nga një aksion për të hequr kamera të jashtëligjshme të vendosura nga kriminelët.
Ndërsa një video që pretendohej se tregonte qytetarë izraelitë që po arratisen nga mali në Mars 2026 nga frika e luftës, gjithashtu qarkullonte në rrjet që në 2025, dhe tregonte një grup njerëzish një mal në Nepal teksa shkonin për të mbledhur një kërpudhë të rrallë dhe të çmuar.
Vdekje të parakohshme dhe deklarata patriotike të rreme
Në rrjete sociale qarkulluan gjithashtu një numër lajmesh të rreme sa i përket vdekjeve të figurave të rëndësishme ushtarake dhe politike izraelite. Komandanti i Forcave Ajrore izraelite Tomer Bar dhe Ministri Izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, u bënë vikima të parakohshme të raketave iraniane, megjithëse imazhe dhe artikuj të botuara në mediat vendase dhe ndërkombëtare i tregojnë të dy të gjallë.


Lajmërimet e vdekjes në 28 shkurt dhe 1 mars

Tomer Bar, i pari majtas, dhe Israel Katz, i dyti majtas, në një takim të mbajtur nga Katz, më 2 Mars për të vlerësuar situatën në një bunker të Forcave Ajrore.
Ndërkaq, futbollisti iranian Mehdi Taremi u çua parakohe në luftë nga mediat sportive, paçka faktit se ai ka folur vazhdimisht publikisht për të denoncuar represionin e regjimit të Ajatollahëve dhe agjenti i tij i ka mohuar publikisht pretendimet se Taremi do të linte ekipin grek Olympiacos për të shkuar në luftë për Iranin.

Përfundim
Megjithëse informimi në kohëra konfliktesh përballet me një numër sfidash si pasojë e vetë natyrës së konflikteve, dezinformimi i hasur nga Faktoje në rrjetet sociale dhe peizazhin mediatik shqipfolës kryesisht duket se buron nga mungesa e verifikimit të burimeve apo mendimi bazë kritik.






