Nga kompromisi tek ultimatumet, propaganda e përsëritur për qeveri teknike

Qeveria teknike, kërkesë e ricikluar në çdo konflikt politik

29

Nga Jona Cenameri

Në një prononcim nga Brukseli, kryetari i PD-së Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për përqendrim pushteti dhe manipulim të procesit zgjedhor. 

Ai ngriti shqetësime “për krimin e organizuar dhe korrupsionin”, duke theksuar se “opozita sheh krijimin e një qeverie teknike si zgjidhjen e vetme për garantimin e zgjedhjeve të lira”.

Të dielën PD-ja ka lajmëruar protestë kombëtare bazuar mbi këtë kërkesë    

“O qeveri teknike, ose përballje. Këtë qeveri nuk e pranojmë kurrë më,” deklaroi Berisha edhe në shkurt të këtij viti, teksa paralajmëronte protestën e radhës.

Deklarata vjen në një klimë të tensionuar politike, ku PS ka refuzuar autorizimin e SPAK-ut për heqjen e imunitetit ndaj deputetes Belinda Balluku. 

Kërkesa për qeveri teknike nuk është e re në diskursin e PD-së, e artikuluar prej më shumë se një dekade, veçanërisht në periudha zgjedhjesh, fillimisht kur partia drejtohej nga Lulzim Basha, pas dorëheqjes së Sali Berishës dhe më tej nga ky i fiundit pas rikthimit në drejtim

Qeveria teknike 

Fillesat e kësaj kërkese, pas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste në vitin 2013, datojnë në vitin 2015, dhe 2016 nga Lulzim Basha, (asokohe kryetari i PD), duke u mbështetur paralelisht edhe nga Berisha në një kohë kur debatohej për reformën në drejtësi

Berisha deklaronte se “duhet qeveri teknike”, duke e lidhur me nevojën për qetësim politik dhe konsensus institucional, për një tjetër proces që printe në vijim, zgjedhjet.

Një vit më vonë, në zgjedhjet e 2017, politika u përfshi në një kompromis të gjerë politik që çoi në emërimin e disa ministrave teknikë

Ministria e Brendshme, e Financave, Arsimit, Drejtësisë, Shëndetësisë, dhe Mirëqenies Sociale e Rinisë, së bashku me postin e zv.kryeministrit u drejtuan përkohësisht nga opozita. 

Kjo është e vetmja herë kur kërkesa për ndërhyrje teknike në administrimin e zgjedhjeve u materializua pjesërisht.

Pas zgjedhjeve të qershorit 2017, Berisha deklaroi se marrëveshja ishte “shkelur” dhe se mekanizmi teknik nuk kishte garantuar standarde të plota zgjedhore. 

Që nga ajo periudhë, kërkesa evoluoi, jo më thjesht ministra teknikë brenda një qeverie politike, por një qeveri teknike pa kryeministrin aktual.

Radikalizimi i kërkesës

Kriza politike e vitit 2019, e shoqëruar me djegien e mandateve parlamentare nga opozita, e zhvendosi terminologjinë drejt “qeverisë tranzitore”. 

Berisha e mbështeti publikisht vendimin e Bashës për dorëzimin e mandateve, duke deklaruar më vonë se ai kishte qenë edhe autori i idesë

Berisha kërkonte krijimin e një qeverie të përkohshme, që do ta çonte vendin në zgjedhje të reja.

Atë kohë, qeveria teknike nuk paraqitej më nga PD-ja vetëm si garanci për zgjedhjet, por edhe si domosdoshmëri për të rivendosur legjitimitetin politik

Diskursi më pas vijoi të bëhej më konfrontues dhe i lidhur me delegjitimimin e plotë të qeverisë në detyrë.

2024-2025

vitin 2024, kërkesa për qeverinë teknike u rikthye në qendër të retorikës së opozitës në një kontekst të ri politik. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhej në arrest shtëpie  në kuadër të hetimit të SPAK për dosjen “Partizani”. 

Megjithatë, komunikimi i tij politik me mbështetësit dhe strukturat e partisë vijoi.

Në tetor 2024, Berisha njoftoi nisjen e “mosbindjes civile”, duke deklaruar se nisma do të vazhdonte “deri në vendosjen e qeverisë teknike”. 

Në dhjetor 2025, ai përsëriti thirrjen për protesta kombëtare “deri në krijimin e qeverisë teknike”.

Kërkesa tashmë kaloi nga një propozim institucional në një objektiv të vazhdueshëm. 

Berisha e ktheu atë në “mantrën” e tij politike, si kusht paraprak në çdo proces zgjedhor. 

Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet e majit 2025.  

2026

Por në fjalën e shkurtit 2026, formulimi “O qeveri teknike, ose përballje” përfaqësoi fazën më të ngurtësuar të këtij qëndrimi. Ndryshe nga 10 vite më parë kur kërkesa argumentohej si nevojë për paanshmëri, sot ajo paraqitet si alternativë e vetme përballë asaj që Sali Berisha e cilëson si mungesë legjitimiteti të qeverisë në detyrë.

Qeveria teknike po artikulohet prej tij si pikënisje e një përballjeje politike që synon ndryshim pushteti. 

Ajo ka marrë forma të ndryshme në këto 10 vite, nga “qeveri e pa-anshme” te “ministra teknikë”, “qeveri tranzitore” apo “qeveri kujdestare”. 

Thirrja për qeveri teknike nga lideri i PD Sali Berisha është intensifikuar dukshëm 2 vitet e fundit.

Zgjedhjet 

Nga zgjedhjet e 2013-tës e deri më tani, janë mbajtur 3 palë zgjedhje parlamentare, 3 vendore dhe 4 të pjesshme me të njejtin objektiv nga PD-ja: “Qeveri teknike”   

Sot, kur opozita ka hyrë në fazën e protestave, por edhe kur Rama “i ka larë duart” me ndryshimet në qeveri, mbetet për tu parë nëse kjo kërkesë do të vijojë të shërbejë si element propagande apo do të prodhojë ndryshime konkrete në arenën politike.

Gjasat janë që jo. Ndryshe nga kompromisi i 2017-tës, kryeministri Edi Rama është shprehur se kësaj here është votuar bindshëm nga populli me 83 mandate.