K.Kapo
Institucionet publike, në mënyrë të vazhdueshme vonojnë informacionin apo sjellin përgjigje (pa) përgjigje pas kërkesave për informacion nga gazetarët e Faktoje. I njëjti problem raportohet edhe nga media të tjera. Prej disa muajsh, vërehet një mënyrë e re përgjigjeje klishe’ që institucionet përdorin për të shmngur dhënien e informacionit. Në vend të përgjigjes, dërgohet citimi I Nenit 3 i ligjit “Për të drejtën e informimit”, pasi janë tejkaluar afatet ligjore për kthimin e përgjigjes, që shkon deri në 1 muaj. Në këtë mënyrë institucionet e quajnë të ezauruar detyrimin për transparencën dhe llogaridhënien.
Agjencia për Media dhe Informim, një organ i legjitimuar prej shtatorit 2021 me Vendim të Këshillit të Ministrave, ka si qëllim parësor informimin e shpejtë e të saktë të gazetarëve por edhe të opinionit publik. Një institucion unik, por që nga qeveria u pa si i domosdoshëm për të rritur informimin dhe transparencën. Pak muaj pas nisjes së funskionimit të këtij këtij institucioni, gazetarët përballen sërish me mungesën e përgjigjeve pasi dërgojnë kërkesat për informacion nëpër disa ministri apo institucionet e tyre të varësisë.
Faktoje në publikimin e datës 16 shkurt tregoi sesi Ministria e Shëndetësisë pas 1 muaji ktheu përgjigje, duke na konfirmuar se i ka marrë kërkesat tona dhe do të na vinte në dijeni në një kohë tjetër të pacaktuar, ndonëse ligji e përcakton qartësisht se afati i kthimit të përgjigjes është 10 ditë pune.
Screenshot, artikulli i publikuar në Faktoje datë 16.02.2022
Pyetjet e gazetarëve lidhen me zbatimin e premtimeve apo deklaratave me interes publik të zyrtarëve të lartë, pasi ndikimi i zbatimit të tyre ne jetën e qytetarëve është i madh. Gjendja e spitaleve, situata e pandemisë në shkollat publike, statusi i minatorit, informacione mbi investimet në infrasturkturë apo në bujqësi, në raport me premtime e deklarata publike kanë rëndësi. Nga ana tjetër media po ndeshet çdo ditë me centralizimin dhe mungesën e informacionit nga institucionet.
Në datën 14 Janar të vitit 2022, në Faktoje u publikua një shkrim mbi premtimin e qeverisë Rama për miratimin e statusit të minatorit.
Përmes këtij statusi, deri sot të munguar, qindra minatorë do të përfitonin një pension më dinjitoz, kontrolle mjekësore falas, barna të rimbursueshme, mjekim të specializuar apo strehim dhe shkollim falas të fëmijëve.
Faktoje pasi çoi kërkesën e parë për informacion në datën 01.12.2021, në 14 janar, ose një muaj e gjysmë pas dërgimit të kërkesës për informacion dhe në shkelje të afatit të përcaktuar në ligjin për të Drejtën e Informimit.
Screenshot i kërkesës për informacion drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, datë 1.12.2021
Ministria e Financave dërgoi një shkresë ku devijohej krejtësisht përgjigjja për pyetjet e drejtuara. Në këtë përgjigje citohet vetëm Neni 3 i ligjit të informimit.
Screenshot neni 3
E njëjta kërkesë i niset në datën 2 janar edhe kryeministrisë, e cila në një përgjigje të mbërritur në datë 5 janar 2022, rendit ligje dhe VKM, pa dhënë asnjë shpjegim mbi ndryshimet mes ligjit të miratuar dhe statusit të kërkuar. Por në ndryshim nga Ministria e Financave përgjigja nuk është Neni 3 I ligjit për të drejtën e informimit.
Në datën 25 janar 2022 Faktoje, publikoi një tjetër shkrim lidhur me në zotim të qeverisë për kthimin e hapësirave në shkolla në parcela bujqësore.
Faktoje nis kërkesën për informacion, me pyetjet si më poshtë dhe si përgjigje merr sërish citimin e Nenit 3 të ligjit për të Drejtën e Informimit.
Kërkesa për informacion dërguar Kryeministrisë në 28.12.2021
Përgjigjja nga zyra e kryeministrisë
Por cfarë thotë Neni 3 i Ligjit për të Drejtën e Informimit, sipas të cilit autoriteti publik nuk jep përgjigje, sepse nuk ka kuptuar përmbajtjen e pyetjen, pasi gazetari nuk është i qartë apo shterues në pyetjen e tij.
“Në rastet kur autoriteti publik, të cilit i drejtohet kërkesa për informim, është i paqartë në lidhje me përmbajtjen dhe natyrën e kërkesës, ai kontakton menjëherë, por gjithnjë jo më vonë se 48 orë nga data e paraqitjes së kërkesës, me kërkuesin për të bërë sqarimet e nevojshme. Në çdo rast, autoriteti publik ndihmon kërkuesin në saktësimin e kërkesës”.
Drejtoresha e Përgjithshmë e Komisionerit për të Drejtën e Informimit Elona Hoxhaj sqaron:
Për sa i përket qëndrimit të mbajtur nga autoritetet e ndryshme publike, referuar ligjit nr. 119/2014 “Për të drejten e informimit” (në vijim “LDI”) objekti dhe qëllimi i tij “rregullon të drejtën e publikut për t’u njohur me informacionin që prodhohet ose mbahet nga autoritetet publike”.
Në pikën 2, të nenit 2 të këtij ligji, parashikohet se: “informacion publik konsiderohet çdo e dhënë e regjistruar në çfarëdo lloj forme dhe formati, gjatë ushtrimit të funksionit publik pavarësisht nëse është përpiluar ose jo nga Autoriteti Publik”. Në këtë kuptim, ndaj autoriteteve publike mund të kërkohet çdo dokument i cili është prodhuar ose mbahet nga autoriteti publik në formën e zotëruar. Megjithatë, në çdo rast është autoriteti publik, ai që bën vlerësimin e kërkesës për informacion, bazuar në pikën 2 të nenit 3 në të cilën përcaktohet se:
“Autoriteti publik është i detyruar të informojë kërkuesin nëse ka ose jo në zotërim informacionin e kërkuar” dhe pas vlerësimit, referuar pikës 3 të këtij neni “Çdo person ka të drejtë të njihet me informacionin publik, nëpërmjet dokumentit origjinal ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që mundëson akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit”.
Gjithashtu në pikën 1, të nenit 12 të LDI përcaktohet: “Në rastet kur autoriteti publik, të cilit i drejtohet kërkesa për informim, është i paqartë në lidhje me përmbajtjen dhe natyrën e kërkesës, ai kontakton menjëherë, por gjithnjë jo më vonë se 48 orë nga data e paraqitjes së kërkesës, me kërkuesin për të bërë sqarimet e nevojshme. Në çdo rast, autoriteti publik ndihmon kërkuesin në saktësimin e kërkesës”.
Sa më sipër, autoriteti publik ka detyrimin në bazë të LDI të vendosë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar në formën që e zotëron, por nuk detyrohet ta përpunojë atë sipas kërkimit të kërkuesit. Megjithatë në çdo rast, autoriteti publik duhet të ndihmojë kërkuesin të sqarojë/identifikojë qartë informacionin/dokumentacion që kërkon, në mënyrë që të realizohet e drejta për informim.