Fundi i dhjetorit 2020 u premtua nga qeveria se do t’i gjente banorët e Thumanës në banesat e reja, por me zvarritjet e proceseve dhe shfaqjen e pandemisë ky zotim dështoi. Banorët e Thumanës e pritën vitin 2021 në çadra ose kontenierë, një pjesë të izoluar në ato pak metra katrorë, pas prekjes nga Covid-19 dhe duke luftuar me varfërinë. Bonusi i qerasë është kthyer në burimin e vetëm për t’u ushqyer apo kuruar.
Një nga premtimet e kryeministrit Rama në ditët e para pas tërmetit të 26 nëntorit, ishte strehimi i të gjithë banorëve të prekur në banesat e reja brenda vitit 2020.
Në muajt që pasuan, kreu i qeverisë garantoi që së paku banorët e zonave rurale do të ishin futur në shtëpitë e reja brenda fundvitit 2020. Edhe pse u zotua se pandemia e Covid-19 që u shfaq në mars 2020 nuk do të ndikonte në afatet e rindërtimit, qeveria u detyrua të shtyjë disa herë afatet e këtij procesi.
Faktoje shkoi në Thumanë në fund të muajit dhjetor, për të verifikuar se si po e përballonin njerëzit jetën në çadra, edhe pse sipas premtimit fillestar të kryeministrit, duhej të ishin strehuar në banesat e reja.
Fillimisht shkuam pranë shtëpinë së 61-vjeçares N.K, se cila është shpallur e pabanueshme.
Shtëpia e dëmtuar nga tërmeti e zonjës N.K.
“Jetojmë 5 veta në këtë kontenier që kur ka rënë tërmeti. Tashi u bënë 13 muaj. Në shtëpi nuk futesh dot se çfarë bie jashtë, hyn dhe brenda. Dimri është i keq në kontenier. Por në shtëpi nuk guxoj të futem. Edhe për të gatuar, gatuaj jashtë.
Ata patën thënë që brenda Vitit të Ri, shtëpia e re do bëhej, por deri tani nuk është bërë. ” – thotë ajo.
Në brendësi të kontenierit ku jeton familja e zonjës N.K.
Banorët e Thumanës që jetojnë në çadra po përballen edhe me sfidat që ka sjellë pandemia, duke nisur nga ato shëndetësore e deri tek mungesa e burimeve për mbijetesë, që ua ka rënduar edhe më shumë gjendjen.
“Jetojmë vetëm me bonusin e tërmetit, 150 mijë lekë të vjetra. Më thanë merr shtëpi me qera, po ku të shkoj? Ku t’i marr të tjerat? Koronavirusi na ka mbyllur komplet brenda! Unë jam e vjetër, më thonë mos dil. Më përpara punonte djali përpara pandemisë, tani nuk punon më se janë mbyllur të gjitha.” – thotë e shqetësuar N.K. për Faktoje.
Ne shkuam edhe në shtëpinë e zonjës 73-vjeçare me iniciale P.M., e cila jeton e vetmuar, pas ndarjes nga jeta të bashkëshortit. Prej më shumë se 13 muajsh, e moshuara, të cilën Faktoje e ka takuar edhe më parë, jeton në një çadër verore dhe kërkesa e saj për një kontenier nuk është plotësuar.
Në brendësi të cadrës ku jeton prej 13 muajsh zonja P.M.
“Kam një vit në çadër. Jemi ftohur e rrënuar këtu brenda! Krejt ça bie jashtë, hyn brenda. Nuk di çfarë të bëj. Një kontenier kam kërkuar, e prapë s’ma kanë sjellë. Deri kur të vijnë ata, unë kam vdekur. Plevitin kemi marrë këtu në çadër. Kaluan një vit e dy dhe pale’ kur bëhet shtëpia.
Në shtëpinë e prishur më kanë thënë mos u fut fare, po ç’të bëj! Këtu vetëm gatuaj, por rri edhe pak që të ngrohem.” – thotë ajo.
Ambienti ku gatuan zonja P.M.
Verifikimin, Faktoje e vijoi në familjen e zonjës me iniciale D.K., e cila banon në një kontenier në oborrin e shtëpisë bashkë me 3 anëtarë të familjes. Ajo thotë se kontenierin ia ka siguruar kisha ungjillore, ndërsa e vetmja e ardhur që kanë si familje është bonusi i tërmetit.
Kontenieri ku banon familja e zonjës D.K.
“E marrim bonusin e qerasë, por nuk kemi shkuar në shtëpi me qera se s’kam të ardhura, vetëm këtë bonus kam si të ardhur. 150 mijë lekë të vjetra.” – tregon ajo.
62-vjeçarja tregon se jetesa në çadër ishte e vështirë, por as në kontenier situata nuk është e lehtë.
Në brendësi të kontenierit
“Një herë kam ndenjur në çadër, nga ato të kampistave, e merrte era. Në çadër ishte tmerr. Por edhe në kontenier rrimë 4 vetë. Flejmë si kaçakët. Të ftohtin e ndjejmë, ka myku kudo, shiu na pikon.” – ankohet ajo.
Gruaja tregon se në këto kushte kaloi edhe koronavirusin.
“Kam kaluar edhe koronën, kam 3 javë. Isha me gjilpëra. Nja dy javë kisha temperaturë, tension të lartë. Nuk haja, s’kisha takat fare, nuk ngrihesha. Nusja iku te prindërit, ndenja vetëm unë. Ndenja e mbyllur në kontenier 3 javë, dilja vetëm pak tek oborri.
Diagnozën ma nxorri qendra shëndetësore se më panë që kisha mushkritë e prekura. Më thanë të ma bënin testin, por nuk pranova ta bëja, se kam dëgjuar që është e vështirë. Të gjitha vetë i pagova, më shkuan 170 mijë lekë të vjetra.” – përfundon ajo.
Shtëpia e dëmtuar nga tërmeti e zonjës D.K.
Vëzhgimin e vijuam në rrugicën ngjitur ku janë vendosur të tjera çadra përbri shtëpive të shpallura të pabanueshme, pas tërmetit të 26 nëntorit. Disa nga familjet ku tentuam të hyjmë, zgjodhën të mos kontaktojnë apo të përgjigjen, por një zonjë e moshuar që jeton në një nga këto çadra na paralajmëroi:
“Mos u afroni se nëna është me korona!”
Pas informacionit se në disa prej familjeve në çadra kishte persona të prekur me Covid-19, iu drejtuam qendrës shëndetësore të Thumanës. Mjeku që punonte aty, na informuoi se në datat 26 dhe 29 dhjetor, kishin rezultuar 12 të prekur me Covid.
“Rapidtestet kanë filluar dhe testet bëhen tek qendra shëndetësore në Fushë-Krujë. Zakonisht kur janë forma të lehta, merremi ne me ta. Më pas te infeksionistja ose pneumologia e rrethit. Problem janë në qoftë se i kap pneumonia.” – tregon ai, duke iu referuar kushteve të vështira të jetesës në çadra apo kontenierë.
Por pyetjes nëse banorët nëpër çadra kanë rezultuar me Covid, mjeku i përgjigjet negativisht:
“Në zonën që mbuloj unë, momentalisht nuk ka banorë pozitivë me COVID-19 në çadra. Për fshat Thumanën që mbuloj unë, momentalisht nuk ka vdekje. Ka pasur dy të shtruar rëndë, por vdekje jo” – përfundon ai.
Më 28 dhjetor, gjatë një interviste për “News 24” ministri Ahmetaj deklaroi se deri në atë moment ishin 1,158 familje ende në çadra, ndërsa premtoi se fundi i muajit maj nuk do të gjente asnjë familje në çadra.