Korça nisi të vaksinojë personelin mjekësor në 27 shkurt, ashtu siç kishte paralajmëruar Ministria e Shëndetësisë. Autoritetet shëndetësore rajonale, konfirmuan mbërritjen e 150 dozave të para gjatë fundjavës, ndërsa sipas ekspertes së ISHP, Silva Bino, parashikohet kryerja e 500 dozave për personelin mjekësor. Gjatë verifikimit në këtë qytet, Faktoje konstatoi ndërkohë se prej pak javësh edhe spitali rajonal i Korçës kishte hapur dyert për pacientët me covid, edhe pse zyrtarisht MSh nuk e ka konfirmuar.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në 26 shkurt deklaroi se brenda asaj javë do të niste vaksinimi për personelin mjekësor në Korçë.
“Brenda kësaj jave sikurse kemi thënë do të hapim qendrën e përqendruar të vaksinimit ne Korçë ku fillon edhe vaksinimi i mjekëve, infermierve, pra stafeve në spitale dhe qendrave shëndetësorë në komplet qarkun e Korçës.”
Qendra Rinore në Korçë, ku kryhet procesi i vaksinimit anti-Covid, 27 shkurt 2021
Në 27 shkurt Faktoje shkoi në terren, ku konstatuam se procesi i vaksimimit kishte nisur në mjediset e Qendrës Rinore të qytetit po atë ditë. Faktoje kontaktoi me Mikel Llogorin, drejtorin e ISHP i cili na konfirmoi:
“Do të vaksinohet personeli mjekësor i gjithë qarkut Korçë. Ditën e sotme më 27 shkurt kemi në dispozicion 150 vaksina dhe janë kryer 100 të tilla deri tani.”
Përfshirjen e personelit mjekësor edhe nga zonat që përfshihen në qarkun e Korçës, e konfirmoi në 27 shkurt edhe zonja Silva Bino nga ISHP:
“Do të hapet një pikë vaksinimi për të gjithë prefekturën e Korçës, pra do të vaksinohen edhe nga Pogradeci, Erseka etj, fillimisht është përsoneli shëndetësor që të gjithë me mjekë dhe infermierë, stafi mbështëtes, dentistë, të gjithë do të vaksinohen, sasia e dozave që kemi aktualisht është 500 doza. Që të gjithë do të vaksinohen”.
Në 27 shkurt Faktoje bëri një vëzhgim edhe në spitalin rajonal të Korçës ku pyeti nëse ishte hapur pavioni Covid-19.
Spitali Rajonal i Korçës, 27 shkurt 2021
Spitali Rajonal i Korçës, 27 shkurt 2021
Nga burimet konfidenciale dhe familjarët e pacienteve me Covid, na u konfirmua se prej pak javësh është hapur pavioni Covid- i cili është vendsur në mjediset e sanatoriumit.
“Në Korçë është hapur pavioni Covid, ka nga ato që janë rëndë, ka nga ato që janë me lehtë, por nuk mund të jap një shifër të saktë sa ka”-i tha Faktojes një pjesëtarët e personelit mjekësor të Urgjencës në Korçë, që nuk pranoi të identifikohej.
“Kam burrin këtu, ky pavion ka dy javë që është hapur, unë bëra gabim që nuk e shtrova më herët burrin këtu, po kishim frikë që do ta dërgonin në Tiranë, sepse ishte shumë rëndë. Si fillim e kanë dërguan tek urgjenca për 4-orë, dukë i bërë tamponin dhe skanerin. Pastaj e shtruan tek Sanatoriumi, në mëngjes ishte me oksigjen. Tani fola me të, është stabilizuar pak, janë 3 veta në dhomë. Unë po pres orën 12 t’i dërgoj ushqimin, jam pajisur me maskë dhe doreza”- pohoi për Faktoje, M.N-banore e Korçës.
Pavioni Covid në Spitalin Rajonal të Korçës, 27 shkurt 2021
Spitali i Korçës, është një prej atyre që e ka hapur pavionin Covid edhe pse kjo nuk është deklaruar zyrtarisht nga Ministria e Shëndetësisë. Kjo e fundit konfimon se ende nuk janë ezaururar kapacitetet sipas parashikimit të skenarit. Në një artikull të publikuar më herët, Faktoje ka zbuluar se edhe spitali rajonal i Fierit aktualisht është i hapur edhe pse jo zyrtarisht, sipas MSH vetëm 4 spitale rajonale, kanë hapur dyert për pacientët me Covid, ai i Durrësit, Shkodrës, Vlorës dhe Elbasanit.