Sebi Alla – “A e dini se sa të vrarë ka për çështjen e pronës në tranzicionin shqiptar? Mbi 10500 të vrarë. Ky është fakt, janë vrarë njerëzit për një gardh, për një kanal”. Kështu tha kreu i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, në një dalje televizive në kulmin e debatit mbi krimet për motive pronësie.
Një shifër e përafërt, madje edhe më e lartë qarkulloi dendur në media të ndryshme nga politikanë apo analistë, pa verifikuar më parë shifrat zyrtare mbi krimin e vrasjes në vendin tonë.
Debati i gjatë nisi pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Apelit më datë 6 tetor të këtij viti, brenda sallës së gjyqit në momentin që gjyqtari shpalli vendimin.
I akuzuari Elvis Shkambi, palë në këtë proces për një dosje pronësie, qëlloi mbi gjyqtarin Astrit Kalaja disa herë, duke i shkaktuar vdekjen. Krahas debatit për masat e sigurisë në ambientet e gjykatave, diskutimet lidheshin mbi motivet e krimeve në vendin tonë, duke e konsideruar si më kryesoren pikërisht konfliktet pronësore që mbyllen me ngjarje tragjike.

Shifrat
Policia e Shtetit në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al konfirmoi se nga viti 1990 dhe deri më tani janë shënuar gjithsej 6730 vrasje, për motive të ndryshme. Numrin më i lartë i vrasjeve është regjistruar në vitin 1997, pas shpërthimit të depove të armatimeve, me 1542 “vrasje me dashje”. Edhe dy vitet pasuese janë në shifra të larta, përkatësisht 573 dhe 496. Më pas krimi i rëndë i vrasjeve nis të ulet.
Vrasje për motive pronësie

Në përgjigjen zyrtare, Policia e Shtetit ka renditur edhe motivin e krimeve specifikisht për “pronësi”, por të dhënat për këtë motiv mungojnë nga viti 1990-1997.
Statistikat policore janë më të qarta pas vitit 1998, ku krahas numrit të vrasjeve është caktuar edhe “motivi”, për rastet ku ngjarja është zbuluar.
Nga viti 1998 deri më tani konkretisht “vrasje për motive pronësie” policia thotë se janë 189 raste. Edhe pse në numër më të ulët sesa pretendimet e disa personave publikë, konfliktet për çështjet pronësore janë të larta duke mbajtur peshën kryesore të padive civile dhe penale.

Protesta
Gjatë ditës së sotme dhjetëra banorë të zonave Dukat-Orikum-Tragjas-Radhimë të Bashkisë Vlorë dorëzuan në Prokurorinë Speciale SPAK padi penale për strukturat shtetërore që sipas tyre u kanë mohuar të drejtën e pronësisë, apo përfshirje kryesisht të zyrtarëve të Kadastrës në falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim të pronave.
Përfundimi
Çështjet pronësore mbesin ndër problematikat më të medha në vend, duke u bërë shpesh objekt konfliktesh të dhunshme me pasoja të rënda.
Por shifra e Lapajt se janë mbi 10 mijë të vrarë për motive pronësie nuk qëndron, duke iu referuar të dhënave zyrtare të Policisë së Shtetit e cila thotë për Faktoje.al se nga viti 1990 deri më tani janë regjistruar 6730 të vrarë për motive të ndryshme.






