Ndryshimet për diasporën në ngërç, Berisha vendos kushte, PS negociata për 84 votat

Drafti paraprak i ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor mes PD-PS për votën e diasporës rrezikon të mos kalojë në Kuvend më 13 shkurt

81
Ne foto: Kryetari i PD-se, Sali Berisha, ne seancen e fundit parlamentare FOTO: LSA

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi në konferencën e të mërkurës se Partia Socialiste kërkon të përjashtojë nga votimi shqiptarët jashtë vendit që nuk kanë dokumente shqiptare, një veprim që, sipas tij, cilësohet antikushtetues dhe antidemokratik. “Pra, mund të jesh shtetas shqiptar dhe të mos kesh pasaportë shqiptare, por të kesh dokumente të një, dy apo tre vendeve të tjera që lejojnë dyshtetësi”, tha Berisha. PS nuk e ka pranuar këtë propozim. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, argumentoi të mërkurën se “ligji nuk e parashikon” një dispozitë të tillë.

“Kështu që, unë e deklaroj këtu, asnjë votim, asnjë ndryshim nuk bëjmë nëse nuk pranohet ky amendament i yni, që është krejtësisht pa asnjë lloj anësimi politik, por strikt për të respektuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve jashtë vendit. Për ne, ky është kushti”, tha Berisha.

Ndërkohë, Ministri i Brendshëm njoftoi se, qeveria kishte vendosur që të gjithë emigrantët që kanë një kartë identiteti shqiptare apo një pasaportë, mund të votojnë edhe nëse ajo ka skaduar.

Drafti  paraprak i ndryshimeve të fundit në Kodin Zgjedhor mes PD-PS për votën e diasporës që lidhet me afatet e regjistrimit të kandidatëve, grupet e numërimit, dhe mbulimin e plotë të shpenzimeve të postës nga shteti, rrezikon të mos miratohet më 13 shkurt për shkak të mosmarrëveshjeve të fundit mes partive.

VOTAT

Berisha e tha qartë se e kushtëzon mbështetjen e draftit me lejimin e votimit edhe pa dokument shqiptar. PS, në anën tjetër, ka nisur të kërkojë vota shtesë për shumicën e nevojshme (84 vota) për të kaluar ndryshimet në Kod.  

Disa deputetë të opozitës mbështesin ndryshimet. “Do votonim të gjitha ndryshimet, edhe propozimet e PD dhe të PS. Mjafton që kjo të bëhet…”, tha deputeti i LZHK-së, Dashamir Shehi.

KUSHTET

Të tjerë nga opozita vendosin kushte ose e kundërshtojnë. “Pozicioni ynë është që ne votojmë çdolloj mase ndryshimi ligjor që lehtëson aksesin dhe shprehjen e lirë të vullnetit të shqiptarëve jashtë Shqipërisë, me një kusht. Atë që kemi kërkuar shumë kohë më parë, listat e hapura”, është shprehur Enkelejd Alibeaj i partisë “Djathtas 1912”. Por Flutura Açka nga grupi “Alibeaj” në Kuvend është shprehur kundër.

Deri tani, PS ka 78 vota të sigurta (75+3 votat e PSD) , por i duhen edhe gjashtë të tjera, për të cilat po negocion me PDIU (që ka tre) dhe grupin e Bashës.

Edhe Agron Shehaj deputet i partisë “Mundësia” nuk ka dhënë një përgjigje. Ndaj dhe, kartat janë të hapura.