Parlamenti miratoi të enjten, me 72 vota pro nga radhët e socialistëve, një ndryshim në ligjin për investimet e huaja. Deputeti Eduard Shalsi, nismëtari i këtij propozimi, argumentoi se ndryshimi ishte i motivuar nga negociatat me Bashkimin Evropian. Në të vërtetë, BE ka kërkuar hartimin e një kuadri të unifikuar për investimet e huaja, jo arnime të pjesshme në legjislacion. Prej vitit 2018, çdo progres raport për Shqipërinë vë në dukje vonesën e Shqipërisë ndaj këtij detyrimi.

Esmeralda Topi 

Në seancën e fundit parlamentare, socialistët miratuan me 72 vota një ndryshim në ligjin për investimet e huaja. 

“Shqipëria do të përmbushë këtë kërkesë që ka dalë natyrshëm nga negociatat me Bashkimin Europian”, tha gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti Eduard Shalsi që ishte dhe nismëtar i propozimit.

Deri më sot, në Shqipëri nuk është zbatuar asnjë procedurë administrative për shqyrtimin, vlerësimin apo ekzaminimin e investimeve të huaja direkte, sidomos në sektorët e rëndësishëm e strategjikë. Ndryshimi i ligjit parashikon që investimet e huaja t’i nënshtrohen një vlerësimi ose shqyrtimi të veçantë sipas procedurave që miraton Këshilli i Ministrave, bazuar në  rregulloret e Bashkimit Europian. Më konkretisht, ligjit iu shtua ky nen: 

“Investimet e huaja direkte që lidhen apo ndikojnë mbi infrastrukturën publike kritike, teknologjinë kritike dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, furnizimin me inpute kritike, aksesin në informacionin sensitiv ose mbi lirinë e medias, sipas përcaktimeve te Rregullores (EU) 2019/452 të Parlamentit Europian dhe Këshillit të Bashkimit Europian, i nënshtrohen një vlerësimi apo shqyrtimi sipas rregullave dhe procedurave të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave

Demokratët nuk e votuan propozimin ligjor. Jorida Tabaku, deklaroi se të sjellësh një nen të ndryshuar të një ligji të vitit 1993 do të thotë ta bësh integrimin me gjasme. 

“BE ka kërkuar hartimin e një kuardi të plot ligjor për investimet, ashtu siç qeveria shqiptare ka 10 vite që thotë do ta bëj”, argumentoi ajo.

Në përgjigje të këtij shqetësimi, deputeti Eduard Shalsi tha se qeveria planifikon ta paraqesë shumë shpejt, krijimin e një ligji integral për investimet e huaja dhe strategjike, duke përmbushur kështu pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe partnerëve strategjikë.

Fakt 

E vërteta është se qeverisë shqiptare i është kërkuar hartimi dhe implementimi i një ligji të ri të posaçëm për investimet e huaja. Prej vitit 2018, çdo raport progresi i Bashkimit Evropian vë në dukje vonesën disavjeçare në përmbushjen e këtij angazhimi. 

Ligji ekzistues për investimet e huaja, i vitit 1993, u ndryshua në 2017 për të zgjatur mbrojtjen e investitorëve deri në fund të vitit 2018, duke përfshirë edhe investimet strategjike. Nga viti 2019 e në vazhdim, miratimi i ligjit të unifikuar është shtyrë vazhdimisht: në 2020 u raportuan konsultime, por miratimi u shty për vitin 2021 dhe më pas për vitet 2022 dhe 2023, duke vonuar përmirësimin e sigurisë ligjore për investitorët. 

Nisur nga këto vonesa, në progres raportin e fundit, Brukseli i ka lënë si detyrë të vëçantë qeverisë të hartojë dhe miratojë këtë ligj të unifikuar, si një kërkesë e domosdoshme për integrimin dhe stabilitetin ekonomik.

“Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet, në veçanti: të hartojë dhe miratojë një ligj të unifikuar për investimet”, theksohet në raport. 

Përfundim

Qeveria ka premtuar prej vitesh krijimin e një kuadri ligjor të ri dhe gjithëpërfshirës për investimet e huaja. Megjithatë, në vend që të përqendrohet në hartimin dhe miratimin e këtij ligji të integruar, mazhoranca ka zgjedhur të shtyjë vazhdimisht përmbushjen e këtij detyrimi, duke bërë vetëm ndryshime të pjesshme në legjislacionin ekzistues. Ndryshimi i fundit, megjithëse shërben si një hap drejt përmbushjes së kërkesave të Bashkimit Europian, nuk mund të konsiderohet përmbushje e plotë e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i negociatave. Në këtë kuadër, deklaratën e deputetit socialist Eduard Shalsi se “Shqipëria do të përmbushë këtë kërkesë që ka dalë natyrshëm nga negociatat me Bashkimin Europian” e kategorizojmë si gjysmë të vërtetë.