Ndërtimi pa leje në Theth/ Rama sulmoi prokuroren Gjeli, ILD: S’ka arsye për hetim ndaj saj

Pasi Rama cilësoi prokuroren të “padenjë”, ministri i Drejtësisë i kërkoi ILD-së masë disiplinore ndaj prokurores

50

Nga Sebi Alla – Në nisje të prishjes së ndërtimeve pa leje në Theth, kryeministri Edi Rama mori si shembullin më të keq një rast që, sipas tij, drejtësia po amnistonte shkelësit e ligjit.

Në fokus të sulmeve ishte prokurorja e Prokurorisë së Shkodrës Elsa Gjeli, për të cilën udhëzoi Ministrin e Drejtësisë në atë kohë Ulsi Manja që t’i bënte kërkesë ILD-së për masë disiplinore ndaj saj.

Ditën e sotme ILD (Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë), mori vendimin për të mos nisur hetimet ndaj prokurores Gjeli.

“Nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates znj. Elsa Gjeli me detyrë prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër”, thuhet në letrën  e ILD-së.

Etiketimet nga kryeministri

“Zonja Gjeli ka lënë në baltë shtetin, qytetarët dhe të gjitha strukturat që përpiqen të ruajnë kufijtë e ligjit. Është e padenjë për t’u paguar nga taksat e qytetarëve si prokurore”, u shpreh Rama, më 7 korrik të këtij viti, duke shtuar se ka kërkuar nga Ministria e Drejtësisë të ndërhyjë menjëherë dhe që çështja t’i referohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP).

Më vonë mbajti qëndrim edhe prokuroria e Shkodrës e cila në një sqarim të gjatë dhe të detajuar i doli në mbrojtje prokurores duke e cilësuar vendimin e saj për mosnisjen e procedimit penal në një rast të ndërtimeve pa leje në Theth si të bazuar në ligj.

Denoncimi

Dy ditë pasi Rama cilësoi prokuroren si të “padenjë”, ministri i Drejtësisë në atë kohë, Ulsi Manja, i nisi shkresë zyrtare ILD-së duke kërkuar masë disiplinore ndaj prokurores, por pas një shqyrtimi të gjatë, ILD nuk gjeti shkelje, duke e konsideruar çështjen të mbyllur.