Autorë: Erda Kaba, Arsid Toçi; Shkolla e mesme profesionale “Nazmi Rushiti”

Banorët e Peshkopisë shprehin shqetësimin për mungesën e sinjalistikës rrugore në disa pika kryesore të qytetit. Ata theksojnë se mungesa e tabelave të kthesave dhe kufizimit të shpejtësisë në rrugën e Unazës, afër shkollave dhe pranë lagjes Dobrovë rrit rrezikun e aksidenteve. Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet për të garantuar sigurinë e këmbësorëve dhe drejtuesve të automjeteve.

Banorët e Peshkopisë ngrenë shqetësimin për mungesën e sinjalistikave rrugore në disa zona kyçe të qytetit. Në rrugën e Unazës Peshkopi, ndonëse janë vendosur së fundmi drita anësore, tabelat sinjalizuese për kthesat dhe kufizimin e shpejtësisë mungojnë. Banorët thonë se kjo ka sjellë një rritje të rasteve ku drejtuesit e automjeteve nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit, duke u bërë një kërcënim serioz për sigurinë publike dhe duke rritur rrezikun për aksidente.

“Zonat për të cilat po flasin janë në rrugën e Unazës Peshkopi, ku së fundmi kanë vendosur drita në rrugë, por tabela të kthesave apo të kufizimit të shpejtësisë nuk i shohim askund. Mungesa e këtyre sinjalistikave bën që të rritet numri i banorëve që nuk zbatojnë rregulloren dhe nuk janë të përgjegjshëm dhe më ekstremi është që mund të bëhemi dhe burim aksidenti”, thotë Qemali, banor i Peshkopisë.  

Sipas banorëve të zonës, një tjetër zonë problematike është rruga që të çon drejt nënstacionit të energjisë elektrike në Peshkopi. Kjo rrugë është e frekuentuar jo vetëm nga automjetet, por edhe nga nxënësit e gjimnazit “Said Najdeni”, i cili ndodhet pranë nënstacionit.

Gjatë gjithë gjatësisë së kësaj rruge nuk hasen tabela për kufizimin e shpejtësisë apo sinjalistika të tjera të nevojshme për të siguruar lëvizjen e sigurt të nxënësve dhe kalimtarëve të tjerë.

“Gjithashtu sinjalistikat rrugore mungojnë në rrugën që shkon drejt nënstacionit të energjisë elektrike në Peshkopi. Gjimnazi ‘Said Najdeni’ ndodhet pranë nënstacionit të energjisë elektrike dhe për këtë duhet shumë kujdes. Nuk gjejmë tabela të shpejtësisë së lejuar gjatë rrugës së gjimnazeve ‘Said Najdeni’ dhe shkollës së mesme profesionale ‘Nazmi Rushiti”, thekson Qemali.

Një tjetër pikë kritike është rruga që të çon në lagjen Dobrovë. Sipas banorëve aty ka shumë shtëpi të banuara dhe mungesa e tabelave sinjalizuese përbën një rrezik të madh, veçanërisht për fëmijët që lëvizin në atë zonë.

“Disa tabela janë të vjetëruara, disa të hequra e disa të tjera nuk janë vënë fare. Problem ky që shqetëson fëmijët dhe prindërit. Zonë tjetër ku mungon sinjalistika rrugore është rruga sapo kalon lagjen Dobrovë. Aty ka shtëpi të banuara, kështu që duhet të tregohet kujdes sidomos për fëmijët, por përveç kësaj bëhet burim aksidenti për vetë shoferët”, thotë Femiu, banor i Peshkopisë.

Banorët kërkojnë që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për vendosjen e sinjalistikave të nevojshme, duke përfshirë tabela të reja për kufizimin e shpejtësisë, kthesat dhe tabelat paralajmëruese në zonat pranë shkollave. Kjo do të ndihmonte në rritjen e ndërgjegjësimit të shoferëve dhe në përmirësimin e sigurisë rrugore për të gjithë komunitetin.

*Artikulli është realizuar nga nxënës të shkollës së mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri. 

Mentore: Ilda Hoxha