Autorë: Armela Sina, Jolanda Zhuzhi, Adriana Xhani
Mungesa e koshave të mbeturinave në Rreth Kale dhe Muhurr në Dibër ngrihet si shqetësim nga banorët e këtyre fshatrave. Ata thonë se makina për pastrimin e mbetjeve vjen vetëm njëherë në javë dhe për shkak të mungesës së koshave mbetjet shpërndahen kudo nga qentë dhe macet.
Prej vitesh, banorët e fshatit Rreth-Kale dhe Muhurr thonë se përballen me një problem që lidhet me menaxhimin e mbetjeve dhe ndotjen e zonave. Ata ngrenë shqetësimin se makina që mbledh mbeturinat vjen vetëm njëherë në javë. Gjatë ditëve të tjera, banorët nuk kanë ku të depozitojnë mbeturinat e tyre. Sipas tyre, kjo shkakton grumbullimin e mbetjeve në vende të papërshtatshme dhe shpërndarjen kudo në fshat të mbeturinave.
“Në këto dy fshatra, ky problem ka qenë një shqetësim shumë i madh ndër vite dhe vazhdon të jetë deri në ditët e sotme. Banorët vuajnë nga ndotja e fshatit dhe e rrugëve. Në fshatin Rreth-Kale ku unë jam, makina që mbledh mbeturinat vjen vetëm ditën e premte dhe ne nuk kemi ku t’i çojmë mbeturinat e tyre gjatë ditëve të tjera të javës”, thotë Moza, banore e fshatit Rreth Kale.
Më tej ajo shton se: “Por edhe të premten, kur nxjerrim mbeturinat në rrugë, nga mungesa e koshave, qentë dhe macet i shpërndajnë mbeturinat nëpër rrugë. Ky është një problem shumë serioz dhe shpresoj që të bëhet diçka për këtë”.
E njëjta situatë është edhe në fshatin Muhurr. Banorët tregojnë se përballen më këtë problem prej vitesh dhe pavarësisht se janë bërë takime në lidhje me këtë çështje, nuk janë marrë masa.
“Shqetësimi është gati prej 30 vitesh. Mbetjet pastrohen njëherë në javë, çdo të shtunë. Janë kryesisht mbetje plastike që shpërndahen, që përdoren për konsum familjar. Para 4 vitesh u diskutua në mbledhjen e Këshillit Bashkiak për vendosjen e makinave për pastrimin e zonave rurale”, shprehet Kujtimi, banor i fshatit Muhurr.
*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Dine Hoxha” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.
Mentore: Ilda Hoxha