Parlamenti miratoi në fund të korrikut ndryshimet në Kodin Zgjedhor, me fokus votën e emigrantëve. Përgjegjësinë e organizimit të procesit të votimit pritet ta mbajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Para se të votojnë, emigrantët do të duhet të rregjistrohen në një platformë të dedikuar online, (PER) ku secili prej atyre duhet të hapë një llogari personale, më pas të ngarkojë aty dokumentin e identifikimit, një dokument që vërteton qëndrimin jashtë dhe adresën e plotë të banimit.
Fleta e votimit për emigrantët do të niset me postë në momentin kur KQZ-ja të ketë përmbyllur procesin e rregjistrimit të kandidatëve dhe ka prodhuar fletën e votimit.
Aplikacioni për rregjistrimin e emigrantëve (PER) duhet të përfundojë së ngrituri më 11 janar. Votimi do të realizohet përmes postës.
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi të zhvilluar me emigrantët në Selanik premtoi se qeveria do të paguajë shpenzimet e postës si për dërgimin ashtu edhe për kthimin e fletës së votimit. Një qëndrim i konfirmuar më vonë edhe nga Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili në podcast për Faktoje.al tha se nga kontaktet me qeverinë është vlerësuar që të paktën këto zgjedhje shpenzimet t’i paguajë shteti.
Numri i diasporës
Askush nuk ka një përgjigje shteruese se sa emigrantë me të drejtë vote kemi jashtë apo sa priten të votojnë prej tyre në zgjedhjet e 2025. Aktualisht kemi të rregjistruar 10,300 emigrantë. Megjithatë disa përllogaritje të përafërta nga partitë politike po bëhen.
Nga KQZ, po përflitet se zgjedhjet e ardhshme mund të kemi 50 mijë votues potencial.
Të kontaktuar nga Faktoje.al përfaqësues të PS-së (që nuk pranuan të flasin me emër) thanë se nëse numri i të regjistruarve shkon në 200 mijë, atëherë kjo do të vlerësohej si sukses për ta. Nga PD nuk jepet asnjë informacion në këtë drejtim. Aktualisht ajo ka hapur një website ku ata që janë të interesuar nga diaspora mund të rregjistrohen për tu njohur më afër me programin e PD dhe aktivitetet e saj në diasporë
Kostoja
Kërkesa për votimin me postë private nga Partia Demokratike ka reflektuar një kombinim të mosbesimit ndaj teknologjisë dhe institucioneve, si dhe një përpjekje për të siguruar që votimi i diasporës të jetë sa më transparent dhe i besueshëm. Mungesa e besimit tek teknologjia, përvoja e kufizuar tek përdorimi i saj në zgjedhje, vështirësia nga opozita për të monitoruar në mënyrë transparente votimin elektronik si dhe përvoja ndërkombëtare me votimin me postë si një metodë e cilësuar si e besueshme dhe e lehtë për tu verifikuar ka bërë që me konsensus të plotë mes dy partive kryesore, diaspora të votojë këto zgjedhje me postë. Por sa na kushton i gjithë ky skepticizëm tek institucionet, që do të thotë votim (jo elektronik) përmes një shërbimi postar privat?
Kostoja do të jetë varësisht e përcaktuar nga numri i emigrantëve që do të regjistrohen në zgjedhje. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në podcasting për Faktoje.al përcolli një shifër maksimale të kostos.
“…Ne kemi llogaritur përshembull që për 800 mijë votues, kosto e shërbimit postar në dërgim është rreth 40 milionë euro”, tha Celibashi. Edhe për kthimin llogaritet e njëjta kosto. “Shto edhe 40 milionë euro”, vijoi ai.
Vetëm pjesa e aplikacionit, sipas Celibashit, shkon diku tek 2-2.4 milionë euro. Tek kostot për diasporën nuk përfshihen as shpenzimet, që shkojnë për pjesën tjetër të votimit. “Flasim vetëm për votimin nga jashtë. Pastaj pjesa tjetër e votimit nga brenda shkon te rreth 18 deri në 20 milionë euro”, tha Celibashi.
Duke qenë se shifrat për rregjistrimin e diasporës janë evazive, PS-ja deri më tani ka të qartë koston që mund të ketë një votë, 40-50 euro.
Faktoje.al ka bërë një vlerësim individual duke marrë si referencë postën shqiptare dhe na rezulton se për një zarf me peshë 150 gr me postë ekspres me kthim, destinacioni Itali, në rrugë ajrore, kostoja shkon 4000 lekë.
Eksperti i ekonomisë nga qendra ALTAX Eduart Gjokutaj në një përllogaritje për Faktoje.al i është referuar kostos minimale të një dërgese postare që për çdo fletë votimi mund të variojë nga 1 deri në 5 euro, në varësi të destinacionit dhe peshës: “Nëse kemi maksimalisht 100 mijë votues potencialë, kostoja totale mund të shkojë nga 100,000 deri në 500,000 euro. Per 800 mijë votues potencialë, kostoja totale mund të shkojë nga 800,000 deri në 4 milionë euro”.
Sipas Gjokutaj, kostoja e votimit për Shqipërinë mund të variojë shumë.
Gjokutaj vëren se shtetet që kanë diaspora të mëdha, si Greqia, Italia, dhe SHBA, kanë krijuar sisteme të centralizuara për të përballuar kostot me postë.
“Në këtë kuadër, Shqipëria mund të krahasohet me këto shtete dhe besoj se do të përdoren përvojat e tyre për të optimizuar koston dhe logjistikën”, thotë ai.
Gjokutaj nënvizon se, në Buxhetin 2025 është parashikuar shuma 9.4 miliardë lekë në total për zgjedhjet, që përfshin nevojat si në aspektin e funksionimit të institucionit të KQZ për 2025, ashtu edhe për zgjedhjet e vitit 2025.
Në një dalje të fundit për A2 CNN, Celibashi tha se aktualisht janë 5 milion euro të vendosura për koston e shërbimit postar.
Por, sipas Gjokutaj, për të arritur një vlerësim të saktë të kostos, do të ishte e nevojshme të analizoheshin numri i diasporës, distancat gjeografike, dhe investimet e mundshme për të siguruar një sistem të qëndrueshëm dhe të sigurt
“Votimi me shërbimin postar për diasporën kërkon që fletët e votimit të dërgohen dhe mblidhen me postë, që mund të shkaktojë një kosto të konsiderueshme logjistike. Në varësi të numrit të diasporës dhe distancës gjeografike, mund të ketë nevojë për dërgesa ndërkombëtare, sigurim për fletët e votimit dhe kontroll për t’u siguruar që procesi të jetë i sigurt dhe i besueshëm”, thotë ai.
Por sa mund të ishte kostoja nëse votimi do të ishte elektronik? Nga KQZ na u komunikua se kostoja përmes votimit elektronik mund të shkonte diku tek 4 milion euro.
Gjokutaj, në anën tjetër, shpjegon se, “votimi elektronik mund të ketë një kosto më të lartë fillestare për krijimin e infrastrukturës, por mund të ofrojë mundësi për ulje të kostos afatgjatë”