.

.

BallinaPertejMonumentet e Kulturës kërcënohen nga klima, neglizhenca dhe koncesionet, sipas ekspertëve

Monumentet e Kulturës kërcënohen nga klima, neglizhenca dhe koncesionet, sipas ekspertëve

ILDA KURTI & INVA HASANALIAJ

Dhjetëra monumente të trashëgimisë kulturore po degradojnë dhe rrezikojnë të mos ekzistojnë më brenda pak viteve. Nisur nga një deklaratë e drejtueses së monumenteve të kulturës se 27 objekte kërcënoheshin nga përmbytjet, Faktoje bëri një verifikim nga veriu në jug të Shqipërisë. Lista e këtyre objekteve ishte edhe më e gjatë dhe pas njohjes me dokumentat e përpiluara nga specialistët, Faktoje bëri një ballafaqim me situatën në terren. Gjetjet ua prezantuam dy studiuesve të fushës të cilët për situatën skandaloze ku ndodhen monumentet fajësojnë neglizhencën institucionale, largimin e profesionistëve dhe aplikimin e koncesioneve.

“Aktualisht janë rreth 27 monumente të cilat janë të rrezikuara nga përmbytjet, kryesisht ato janë urat, të kuptohemi, pasi rritjet e niveleve të lumenjve sjellin dhe një rrezikshmëri më të madhe për stabilitetin e tyre, por gjithsesi ne po i monitorojmë. Për disa prej tyre kemi hartuar projekte dhe në të shkuarën, për disa prej tyre do t’i hartojmë në të ardhmen.” -deklaroi drejtuesja e Institutit Kombëtar të  Trashëgimisë Kulturore IKTK, Arta Dollani në një intervistë në emisionin “7pa5” në Vizion Plus TV, më 15 janar 2021. 

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre monumenteve dhe fillimisht dërgoi një Kërkesë për Informacion pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ku kërkohej lista me emrat e 27 monumenteve të rrezikuara, si dhe raportet origjinale të inspektimeve të tyre.

Kërkesë për Informacion dërguar Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. 

 

Në 10 shkurt IKTK na vuri në dispozicion dokumentacionin e kërkuar dhe listën e monumenteve që paraqisnin rrezik nga përmbytjet apo kushtet atmosferike.

Nga 27 monumente që u deklaruan publikisht në TV, në listën që na u dorëzua nga IKTK përfshiheshin 33 monumente. 

Lista e mësipërme përfshinte 16 objekte me status ‘Pasuri Kulturore’ të cilat ndodhen në rrezik për shkak të agjentëve atmosferikë dhe 17 objekte në listën e riskut, që qëndronin në pritje të hartimit të projekteve apo gjetjes së financimit të nevojshëm për t’i nxjerrë nga lista e riskut. 

Bazuar në këtë listë dhe gjetjet e dokumentuara nga specialistët e monumenteve, Faktoje vendosi të bëjë verifikimin në terren të gjendjes së tyre. Ky verifikim nisi që në muajin janar, duke filluar nga Shkodra në veri deri në Gjirokastër e Borsh në jug, ku ndodheshin monumentet e cituara në përgjgjen zyrtare të IKTK.

Monumentet në zonën e Shkodrës, gjatë periudhës së përmbytjeve ndodheshin një rrezik të madh për qëndrueshmërinë e strukturës së tyre, siç pranohet zyrtarisht edhe nga Drejtoria Rajonale Kulturore.

Drejtoria Rajonale Kulturore Shkodër

 

Kisha e Shirgjit në Shkodër 

Faktoje shkoi në terren për të verifikuar gjendjen e Kishës së Shirgjit. Rruga për të mbërritur në fshatin Shirgj paraqitej e vështirë për t’u arritur ndërsa objekti në fjalë qe i rrethuar nga të katërta anët prej ujit dhe ishte e pamundur t’i afroheshe.

*Shkodër, Shirgj 10 shkurt 2021

 

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë

 

 

Ura e Brarit 

7.6 km nga qendra e Tiranës, ky objekt ishte lënë jashtë vëmendjes edhe pse në një nga këmbët e urës ndodhej një tabelë e cila e cilësonte si monument kulture. Këmbët e urës kishin filluar të paraqesnin dëmtime, ndërsa rruga për të shkuar aty ishte e mbyllur nga një objekt privat. 

Ura e Brarit 12 shkurt 2021

 

Ura e Mullirit Zall-Herr 

Ura e cila sipas banorëve të zonës daton prej dy a më shumë shekujsh, nuk kishte asnjë tregues se ishte një objekt që ruhej nga shteti. Nga ura e dikurshme kishin mbetur si gjurmë vetëm disa gurë të rrëzuar në fund të atij i cili dikur ishte lum dhe tashmë vetëm një kanal ku banorët hidhnin mbeturinat. 

Zall Herr 13 shkurt 2021

Kalaja e Bashtovës 

E ndodhur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës, në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së Shkumbinit, objekti paraqiste dëmtime në pjesën më të madhe të tij, ndërsa një pjesë e themeleve të fortesës gjendej nën ujë. Fortesa edhe pse një destinacion turistik, shërbente për banorët e zonës si hapësirë për të kullotur bagëtitë. 

Kavajë 18 shkurt 2021

Depoja e Kripës 

E ndërtuar në shek XIX në fshatin Karpen të Kavajës, objekti është lënë tërësisht në harresë sidomos pas dëmtimit nga zjarri që ra para disa vitesh. Depoja ishte rrënuar në pjesën më të madhe, ndërsa  themelet rrethoheshin nga uji.

 

Kalaja dhe Xhamia e Borshit 

E vendosur mbi një kodër të fshatit Borsh, 500 m mbi nivelin e detit, Kalaja e Borshit nuk i ka shpëtuar dëmtimeve. Një pjesë e saj ishte dëmtuar nga agjentët atmosferikë dhe pjesa tjetër nga dora e njeriut. Pjesa më e madhe e mureve të kalasë ishin rrënuar, ndërsa xhamia në brendësi paraqiste rrezik shembjeje për këdo që futej për ta parë. Dëmtimet e mureve të xhamisë dëshmonin për akte vandalizmi nga persona që kishin hyrë aty. 

Sarandë 6 mars 2021

Kisha e Shën e Premtes në Lukovë

Kisha apo ajo çfarë kishte mbetur nga objekti, tregonte mungesën e vëmendjes nga institucionet përkatëse. Muret dhe tavani i kishës mbaheshin nga disa skela të cilat edhe nga një vëzhgim i thjeshtë tregonin se nuk do të mbanin për shumë gjatë muret e  rrënuara. Afresket ishin fshirë apo mbuluar nga lagështira dhe myku në pjesën më të madhe. 

Lukovë 6 mars 2021

 

Portat e Liqenit në Butrint  

Ashtu sikurse reflektohej në raport, gjetëm edhe dëmtimet në portën e liqenit në Parkun e Butrinit. Një prej gurëve mbajtës ishte dëmtuar, por nuk ishte marrë asnjë masë për restaurimin e tij. 

Sarandë 6 mars 2021

Çatitë e shtëpive në kompleksin Angonatët në Gjirokastër 

Dëmtimi i çative të shtëpive në zonën e  pazarit ishte i dukshëm në pjesën më të madhe të tyre . Shumë prej tjegullave ishin shkatërruar ose zhdukur plotësisht pasi ishin rrëzuar. Në pjesën e kompleksit të Angonatëve banesat ishin dëmtuar nga agjentët atmosferikë apo vegjetacioni i cili kishte rrëzuar mure apo shembur çati. 

Gjirokastër 8 mars 2021

Kishat në Labovë të Kryqit dhe në Labovën e Sipërme. 

Kisha e Labovës së Kryqit një nga monumentet më të vjetra në këtë zonë është lënë tërësisht në harresë nga institucionet kulturore. Objekti paraqet në pjesën më të madhe dëmtime çarje të mureve dhe shfaqje të lagështirës e cila ka dëmtuar afresket. 

Pasi grumbulloi gjetjet në terren, Faktoje ia prezantoi dy studiuesve të fushës së monumenteve dhe arkeologjisë, për të marrë një opinion të specializuar për situatën aktuale. Arkeologu  profesor Neritan Ceka pasi u njoh me gjetjet e Fajktoje konfirmoi se ka vite që gjendja është e tillë. Sipas tij, Instituti i Monumeteve ka të paktën 3 herë më shumë punonjës nga sa ka patur në kohën e Komunizmit dhe po ashtu edhe fonde, por dhënia me koncesion për mirëmbajtjen e tyre ka bërë të kundërtën. Zoti Ceka shprehet se edhe Karta e Venecias përcakton se thelbi i restaurimit është kujdesi i përditshëm. 

Nëse gjendja vazhdon kështu, të paktën minimalisht për 4 vitet që do të vijnë, nuk do kemi më monumente!” 

Një problematikë tjetër e ngritur nga Prof.Ceka është mungesa e specialistëve si për pjesën e  terrenit ashtu edhe në nivel drejtuesish të institucioneve përgjegjëse. 

Ti nuk mund të bësh një restaurim po themi pa qenë arkitekt; duhet të kesh përvojë, duhet të bësh dhe studimin përkatës; tipologjinë e banesave, mullinjve, s’mund të ndërhysh një herë me ura, një herë me mullinj. Kështuqë e prishën këtë sistem. Hoqën dhe specialistët. Po të shkosh në Institutin e Monumenteve ju s’keni më asnjë specialist.”-përfundon ai.   

Në të njëjtin përfundim arrin edhe akademiku Apollon Baçe pasi njihet me të njëjtat gjetje. Në të kaluarën, monumentet, sipas Prof. Baçe ‘ruheshin në mënyrë ekselente, aq sa Shqipëria mbahej si shembull edhe në Europë për një pjesë të mirë të punimeve të saj.’

Problematikë kryesore, sipas tij është ndryshimi i ligjeve. 

Ligji i metodës së monumenteve tek ne është i barabartë sikur të marrësh gjithë ligjet e Europës, t’i pjesëtosh për tre, aq faqet e Europës aq të dalin.

Dhënia e shërbimit të mirëmbajtjes me koncesion edhe sipas Prof. Baçe ka shkatërruar pjesën më të madhe të monumenteve, ndërsa niveli i pagesave për këto koncesione arrin shifra qesharake.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img