Sebi Alla – Debatet në Kuvendin e Shqipërisë dhe mosgjetja e gjuhës së përbashkët për mocionet me debat për disa çështje të ngritura nga opozita, u bënë objekt diskutimi edhe në Asamblenë Politike të PPE (Partive Popullore Europiane).
Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, në fjalimin e saj ngriti shqetësimin se me nisjen e sesionit të ri Parlamentar, mazhoranca ka rrëzuar të gjithë të drejtat e opozitës që lidhen me kërkësat për mocion me debat.
Katër shqetësime
Deputetja e PD-së Albana Vokshi, njëkohësisht edhe zëvendëskryetare e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme tha se katër nisma të opozitës janë rrëzuar. “Parlamenti i ri nisi punën në mes të shtatorit. Por vetëm në disa javë, shumica qeverisëse ka rrëzuar: Tre mocione debati (që lidhen me prioritetet e BE-së, abuzimin me fondet IPARD II dhe ngrirjen e 112 milionë eurove të fondeve IPARD III për fermerët); Një interpelancë urgjente për hetimet mbi çështjen e njohur si ‘rasti Aruba’, që lidhet me hetimet e antimafias italiane, ku ka fakte për takime të anëtarëve të qeverisë shqiptare me grupe kriminale, lidhje me pastrimin e parave.
Edhe kjo u bllokua; Programin politik 4-vjeçar të qeverisë, debatin më të rëndësishëm, i cili duhej të zgjaste 1,500 minuta, por u mbyll në vetëm 28 minuta. Nuk na u lejua të flasim. Qytetarëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u informuar; Gjithashtu, 15 orë debat mbi raportet e institucioneve të pavarura u refuzuan”, tha Vokshi.
Kërkesa të rrëzuara
Parlamenti nisi keq që në nisje, menjëherë pas betimit të deputetëve, ku në seancat e para pati debate në lidhje me përbërjen e komisioneve parlamentare. Më pas kulmi i përplasjeve që paralajmëroi edhe vijimësinë jo normale të institucionit më të rëndësishëm në vend.
Seanca zgjati vetëm 20 minuta fjalim nga kreu i qeverisë dhe më pas në mënyrë të përshpejtuar u hap procesi i votimit për programin qeverisës. Brenda 1 minute e 39 sekondash kaloi me 82 vota pa debate, diskutime dhe sugjerime programi i qeverisë dhe përbërja e kabinetit. Kërkesat e opozitës për përsëritjen e seancës dhe hapjes së diskutimeve mbi programin e qeverisë mazhoranca iu përgjigj me rrëzimin e kërkesave, duke e konsideruar një çështje të mbyllur.
Më tej seancat Parlamentare kanë vijuar me përplasje kryesisht mbi rregulloren e kuvendit dhe rrëzimin e çdo kërkesë të opozitës për interperlancë me urgjencë me kreun e qeverisë për çështje të ndryshme.
Argumenti
Në Konferencën e Kryetarëve të mbajtur më 30 shtator, pati debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës, pikërisht për “mocionin me debat” që kërkonte opozita me kreun e qeverisë. Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, opozita kishte paraqitur disa çështje dhe nënçështje për mocion me debat dhe sipas tij nuk ka çështje specifike. “E thënë troç, ne e dogjëm mundësinë për të diskutuar siç e ka hije parlamenti për t’u kthyer te 18 shtatori. Nuk kthehemi dot pas ne, ecim vetëm para. Mund të bëjmë një mocion me debat për çështjet që ndërlidhen me rrugën tonë europiane, me procesin në BE. Kërkesat i keni bërë sakate se nuk doni që të bëni debate”, tha Balla, në seancën Parlamentare të 16 tetorit, ndërsa duke iu referuar kërkesës së opozitës për tre mocione me debat të ngritur në Konferencën e Kryetarëve më 30 shtator tha: “Në konferencën e kryetarëve kemi bërë 3 diskutime për 3 mocione me debat. Kam përpara kërkesën e PD që do jo një çështje të veçantë, por disa qindra çështje”.
Pasoja
Mbi bazën e këtij argumenti, me 73 vota kundër, kërkesa e opozitës për programin e qeverisë për mocion me debat u rrëzua.
Mbi sa më sipër dhe më të njëjtën kuorum votash është rrëzuar edhe një tjetër kërkesë e opozitës për mocionin me debat për fondet e IPARD, ajo për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë, si dhe kërkesa për interpelancë me kryeministrin Edi Rama për dosjen “Aruba”.
Përfundimi
Fjalimi i mbajtur në Asamblenë Politike të PPE-së nga zëvendëskryetare e Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme për rrëzimin e tre kërkesave për “mocion me debat” dhe interpelanca për çështjen “Aruba” që janë paraqitur deri më tani në Kuvend rezulton i vërtetë





