Esmeralda Topi
Me 83 vota pro, asnjë abstenim dhe 32 vota kundër nga opozita, Kuvendi miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2026 së bashku me paketën shoqëruese fiskale. Seanca maratonë, e planifikuar fillimisht për dy ditë diskutimesh, u mbyll pas rreth 16 orësh, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.
Debatet mbi dokumentin kryesor të financave publike, projektbuxhetin dhe tetë ligjet që e shoqërojnë, nisën të mërkurën paradite dhe vazhduan pa ndërprerje deri në orën 02:45 të mëngjesit. Opozita votoi kundër si për buxhetin po ashtu edhe për paketën shoqëruese fiskale.

Një element i veçantë i seancës ishte fakti që deputeti socialist Vullnet Sinaj nuk mori pjesë në votimin për dy prej ligjeve, konkretisht paketën e paqes fiskale dhe fshirjen e detyrimeve tatimore. Ai rezultoi i vetmi deputet nga mazhoranca që nuk dha votën në këto çështje.


Ndërsa përfaqësues të tjerë të grupit socialist sqaruan votat e tyre, deputeti Erion Braçe pohoi për Faktoje.al se ai ka votuar pro projektligjit të taksave vendore, por vota nuk është reflektuar në sistem.

Diskutimet në seancë ishin të gjata dhe përfshinë një pjesëmarrje të gjerë nga të gjitha grupet parlamentare, duke arritur në total 981 minuta diskutime. Sipas përmbledhjes së minutave të foljes, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dhe ai i Partisë Demokratike kanë dominuar debatin me përkatësisht 418 minuta dhe 417 minuta secili. Ndërkohë, Partia e Lirisë kontribuoi me 81 minuta, “Aleanca për Ndryshim” me 27 minuta, ndërsa deputetët jashtë grupeve parlamentare kanë folur gjithsej për 38 minuta.
Projektbuxheti për vitin 2026 dhe ligjet shoqëruese pritet të kalojnë për diskutim në komisionet parlamentare përpara votimit përfundimtar në seancë plenare. Miratimi në parim shënon hapin e parë të procedurës, ndërsa debati politik mbi përmbajtjen dhe efektet e financimit publik për vitin e ardhshëm pritet të vijojë nen për nen.






