Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, parlamenti miratoi ndryshimet në ligjin për studentët e mjekësisë, të cilët thonë se propozimet e tyre nuk janë marrë parasysh. Ekspertë të fushës argumentojnë se kjo ndërhyrje të mjekësia mund të sjellë më shumë dëme sesa përmirësim të situatës: Këtë vit preferenca për të ndjekur këtë degë, u përgjysmua, shtojnë ekspertët.
Në seancën plenare të 19 shtatorit, Kuvendi miratoi ndryshime në ligjin për studentët e mjekësisë, pasi Gjykata Kushtetuese më herët kishte hedhur poshtë disa nga pikat e debatueshme të variantit të parë, që lidheshin me afatet e punësimit të detyruar në shërbimin publik, pas përfundimit të studimeve. Ndryshimet në ligj parashikojnë tani, një ulje të viteve të punësimit. Studentët e vitit të parë, të cilët firmosin kontratë me shtetin duhet të punojnë jo 5 por 3 vite pas diplomimit, ata të vitit të dytë e deri në të katërtin, jo 3 por 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë një vit, nga 2 që ishte më parë.
Studentët do të mund të marrin diplomën, vetëm pasi mbarojnë vitet e punësimit të detyrueshëm. Në rast se nuk pranojnë të nënshkruajnë kontratën, ata duhet të paguajnë tarifën e studimit.
Për sa i përket punësimit, ndryshimet në ligj parashikojnë që: “Studenti punësohet në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe përzgjedhja e vendeve të punës bëhet nga mjeku i licencuar, në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve. Koha e kryerjes së procedurës për punësimin e mjekut nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë është brenda 3 muajve nga momenti i lindjes së të drejtës për punësim”.
Mirëpo, në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 muaj, mjekut i lind e drejta te trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat.
Studentët: Propozimet tona nuk u morën parasysh
Mikel Seferi, student i Mjekësisë i tha Faktoje se ata vazhdojnë të kundërshtojnë ligjin, duke theksuar se propozimet e tyre nuk janë marrë parasysh.
“Para një jave ne na janë kërkuar disa propozime në Komisionin Parlamentar dhe me miratimin e ligjit kuptuam që nuk i ishte kushtuar rëndësi propozimeve të bëra nga ne, duke mos i marrë parasysh. Studentët e mjekësisë akoma vazhdojnë ta kundërshtojnë ligjin dhe pakënaqësia nuk është zvogëluar. Nuk pajtohemi me këtë ligj, pasi nuk është kjo mënyra optimale për mbajtjen e mjekëve në Shqipëri”, thotë ai.
Mikeli shprehet se duhet investuar në sistemin arsimor dhe shëndetësor në Shqipëri, ashtu si në Europë.
“Pas gati 1 viti e gjysmë ‘beteje’ jo totalisht të humbur, duhen marrë parasysh disa gjëra. Në rast se shteti shqiptar na privon në rrugët e Europës atëherë duhet ta bëjë Shqipërinë të ngjasojë me Europën. Në rast se kjo mbajtje në Shqipëri nuk ndiqet nga investime në sektorin arsimor apo shëndetësor, mund të ketë prapë një kundërshtim tjetër”, shton studenti i Mjekësisë.
Ekspertët: Ligji dëmtoi degën e mjekësisë
Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” e cilëson si të papranueshëm këtë vendim, duke theksuar se duhet rritur mbështetja ndaj mjekëve në vend.
“Vendimi i parlamentit është i papranueshëm për Qëndresën Qytetare. E vetmja zgjidhje e qëndrueshme do duhej të ishte angazhimi i qeverisë dhe parlamentit në rritjen e mbështetjes së mjekëve në vend, përmirësimit të kushteve dhe financimit të sistemit shëndetësor, për të siguruar jo një mjek të prangosur në vendin e punës, por një mjek të motivuar në shërbim të qytetarit”, argumenton Qiraxhi.
Ai thekson se ky ligj ka dëmtuar aktualisht mjekësinë, duke ulur numrin e studentëve që kanë zgjedhur këtë degë.
“Efektet e dëmshme të kësaj ndërhyrjeje tashmë janë shkaktuar në sistem. Në degët e mjekësisë u përgjysmua preferenca për ta ndjekur këtë degë, por edhe mesatarja e studentëve që ndjekin këtë profil u ul nga 1 deri në 1.5 nota! Të dhëna paraprake këto që dëshmojnë se ndërhyrja mund të sjellë më shumë dëme se përmirësim të situatës”, shton ai.
Përplasjet politike për ligjin
Më 17 shtator, në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së Komisionit të Shëndetësisë, deputetja e PS-së, Etilda Gjonaj theksoi se vendi ka nevojë urgjente për mbi 500 mjekë. Ndërsa gjatë ndërhyrjes në seancën parlamentare, ajo shpjegoi se “nëse brenda 3 muajsh ministria nuk i punëson dot mjekët e rinj, ata mundet të zgjedhin të punësohen në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda përiudhës 9 mujore në institucionet shëndetësore publike”.
Por opozita e cila e kundërshtoi ligjin e miratuar vitin e kaluar, nuk ra dakort as me ndryshimet e propozuara. Deputetja e PD-së, Albana Vokshi kishte deklaruar më herët se grupi parlamentar i PS po dilte mbi gjykatën kushtetuese.
“Nëse ju e kaloni këtë ligj në seancë, në ditën më të parë që ne do të jemi në pushtet do ta rrëzojmë. Në jemi për liri dhe jo për mbajtje peng të të rinjve dhe të të ardhmes së tyre, edhe ky projektligj që na kanë sjellë kolegët deputetë, është antikushtetues dhe bie ndesh me lirine dhe të drejtat, me lirinë e levizjes, me lirinë e zgjedhjes”, tha Vokshi.
Në një artikull të publikuar në gusht të këtij viti, Faktoje raportoi se Kuvendi kishte shkelur haptazi afatin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese për ndryshimin e ligjit për studentët e mjekësisë, i cili duhej të ishte realizuar që prej disa muajsh.