Në kulmin e fushatës elektorale, ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku lajmëroi shpalljen e fituesit për Milot–Balldren “brenda 2-3 ditësh”, por pas 3 muajsh tenderi u anulua. Projekti i nyjes strategjike të “Korridorit Blu” mbetet pezull, për herë të dytë në 7 vite.
Esmeralda Topi
Më 15 prill 2025, në kulmin e fushatës elektorale, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi publikisht:
“Në dy-tre ditët në vazhdim, ne do të shpallim konsorciumin fitues për sa i përket Milot–Balldren”.
Fakt
As pas dy ditësh, as pas dy javësh, nuk u shpall asnjë fitues. Përkundrazi, në mesin e muajit korrik, Ministria e Infrastrukturës njoftoi zyrtarisht anulimin e procedurës për koncesionimin e segmentit rrugor Milot–Balldren, me argumentin se “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk ishte e përshtatshme”.
Ky është dështimi i dytë për të njëjtin projekt, i cili që prej vitit 2018 mbetet një ndër nismat më të debatueshme infrastrukturore në vend.
Procedura për dhënien me koncesion të segmentit 17-kilometërsh Milot–Balldren nisi fundvitin e kaluar, më 19 dhjetor 2024. Pas disa shtyrjeve, gara u zhvillua më 10 mars të këtij viti, me katër oferta të paraqitura nga kompanitë “Gener 2”, “Salillari”, “A.N.K” dhe “4 A-M”.
Një muaj më pas, ministrja Balluku bëri deklaratën publike për shpalljen e afërt të fituesit. Por, siç tregojnë edhe dokumentet zyrtare, në datën 19 qershor ofertuesit u njoftuan për skualifikimin, dhe në 14 korrik procedura u anulua përfundimisht.
Sipas Ministrisë, asnjë prej ofertave nuk përmbushte kushtet e ftesës konkurruese. Me këtë vendim, projekti i shumëpërfolur u kthye sërish në pikën zero.
Një nyje strategjike
Segmenti Milot–Balldren është pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, i njohur ndryshe si Korridori Blu. Rruga parashikohej të ndërtohej me një vlerë ndërtimi prej 182.5 milionë eurosh, ndërsa me gjithë kostot e projektimit, mirëmbajtjes dhe operimit, vlera e kontratës do të arrinte në rreth 365 milionë euro për 35 vite.
Sipas planit të biznesit të koncesionit, kjo rrugë pritej të gjeneronte 1 miliard euro të ardhura përgjatë gjithë periudhës koncesionare. Tarifa e kalimit do të ishte 0.12 euro për kilometër, duke e përkthyer në 2.5 euro për një autoveturë që përshkon segmentin e plotë.
Në vitin 2018, i njëjti segment iu dha me modelin e Partneritetit Publik Privat kompanisë “A.N.K.”, e cila duhej ta ndërtonte me fonde të veta dhe të paguhej më pas nga shteti. Por ajo kontratë u anulua, pasi kompania nuk gjeti financim.
Përfundim
Deklarata e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku për shpalljen e fituesit “brenda dy-tre ditësh” rezultoi e pavërtetë. E gjithë procedura për koncesionimin e segmentit rrugor Milot–Balldren, u anulua dhe segmenti strategjik mbetet ende në letër.