Kur reforma në drejtësi mori jetë në vitin 2016, Kryeministri Edi Rama e mbështeti pa kushte atë dhe krijimin e SPAK, i bindur se prokuroria e posaçme do të vepronte pa ndikime politike.  Gjatë një periudhe relativisht të gjatë, qeveria e tij e prezantoi SPAK-un si arritje të Partisë Socialiste dhe një instrument të volitshëm për ndëshkimin e korrupsionit. Kjo ishte edhe motoja që ai ndoqi sa herë që zyrtarë të ndaluar, por edhe bashkëpunëtorë të ngushtë si Arben Ahmetaj “kishin hëngër molla dhe dardha pas shpinës së tij”

Reforma

 “Ka edhe një teori që (reformën në drejtësi) ‘e sollën amerikanët’… Amerikanët kanë sjellë këtu ‘noc rrokun’. Amerikanët dhe europianët kishin shumë rezerva në fillim. Nuk kishte asnjë vullnet si unë për të ndarë politikën nga drejtësia…”, tha Rama në fund të muajit tetor të vitit 2024.

Kur Edi Rama u pyet se si deputetë të listës së kryesuar prej tij në Durrës kishin rënë në rrjetën e SPAK, kryeministri sërish do të përgjigjej: “Unë jam krenar që drejtësia ka bërë atë gjë. Ajo tregon që ne jo vetëm nuk e imponojmë drejtësinë, por edhe inkurajojmë atë…”

Deklaratat

Megjithatë, në një hark kohor prej 48 orësh, pas arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, qëndrimi i Ramës ka ndryshuar në 180 gradë.  Nga mbështetja e plotë ndaj SPAK-ut me deklarata të tipit se “përgjegjësia për cilindo është individuale” dhe se “nuk ndërhyn tek pushteti i pavarur”, sot ai e kritikon procesin për Veliajn si të padrejtë dhe të bazuar në një denoncim anonim, duke ngritur dyshime mbi qasjen e tij ndaj drejtësisë.

Në daljet e fundit, Rama ka sulmuar vendimin për arrestimin e Veliajt duke e quajtur të çuditshëm dhe të pabazuar në fakte dhe prova. “Do mundohemi të krijojmë një opinion të konsoliduar për akt akuzën për të cilën gjykatësi ka firmosur t’ia heqë kokën nga shpatullat bashkisë së Tiranës duke e lënë praktikisht pa drejtim një kryeqytet me 1001 punë në ditë, pa gjyq. Pa gjyq! Me sa kuptoj, këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. Për ta thënë minimalisht siç e shoh, shumë të çuditshëm. I nisur nga një novelë pafundësi fletësh. Novelë anonime dorëzuar në shkurtin e kaluar në SPAK që ka pjellë një roman 400 faqesh afërisht ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë, prokurori dhe gjykatësi paraprak bashkë kanë arritur në pikën që edhe nënën e një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie pasi babanë e kanë çuar në paraburgim”, tha Rama me 10 shkurt. Në të njëjtën ditë, Rama replikoi me një media të përditshme, duke përdorur lojëra fjalësh mbi një qëndrim po prej tij mbi “dyshimin” për “hetime jashtë shinave kushtetuese ndaj Veliajt” duke sfiduar në përgjigje se ai nuk kish ndërmend të shkarkonte kryebashkiakun e Tiranës

Akuzat

Ndërsa nga njëra anë, ai shprehet se vijon ta mbështesë SPAK-un, nga ana tjetër, Rama akuzon prokurorët dhe gjykatësit për standarde të dyfishta, duke përdorur të njëjtat metoda të cilat më parë ai vetë i kish kritikuar nga Sali Berisha

“Qartazi është selektuar gjyqtari në këtë rast dhe ju informoj që gjyqtarë të tjerë nuk kanë pranuar që t’i rrinte të njëjtës kërkesë për arrest, sepse gjyqtari mund vetëm të zbusë masën e kërkuar nga prokurori, jo ta ashpërsojë, por edhe pse ju ligjin e keni bërë për një garanci më shumë, në fakt keni garantuar vetëm atë 100% e vulosjeve së kërkesave të prokurorisë. Ky gjyqtar, e ka nisur karrierën si koleg zyre me këtë emrin nuk po e them se e keni në parlament, kur ishte ministër i Drejtësisë Eduard Halimi, pastaj përfundoi në GJKKO”.

Rama vijoi të mërkurën akuzat për shkelje në hetime, intimidim ndaj dëshmitarëve, duke rrëfyer deri një rast konkret se si, sipas tij, po merren telefonat në shkelje të ligjit. “Edhe mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se boll i kanë. Kanë mbledhur gjithë telefonat e Shqipërisë atje. Të shkojnë të merren me faktet”, u tha ai deputetëve të vet

Ai është tërhequr nga gjuha e ashpër pak orë më vonë në dy postime të ndryshme në  platformën X duke ndaluar po deputetët që të mbrojnë Veliajn publikisht

“Burgosja pa gjyq e kryetarit të bashkisë, për një problematikë që s’ka asnjë lidhje me kushtet kur jepet kjo masë, duke ndërprerë arbitrarisht kontratën e tij me zgjedhësit, kur gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë, ka të bëjë me standardet jo me fajësinë a pafajësinë e Erjonit, të cilën duhet ta ndajë drejtësia jo debatuesit e PS”.

Qëndrimet

Faktoje.al nuk ka shkuar larg, por vetëm një vit më parë, duke risjellë në vëmendje qëndrimet e kryeministrit Edi Rama në raport me SPAK përgjatë vitit 2024, vit të cilin e hapi me tragjedinë e Gërdecit se sa krenar ndihej që çështjen e 21 janarit e kishte marrë në dorë SPAK dhe e mbylli po me SPAK në një intervistë për Zërin e Amerikës se mbështetja ndaj saj ishte e vendosur dhe pa kushte. 

Kjo përballje e deklaratave të tij vë në diskutim qëndrueshmërinë e mbështetjes që ai ka për drejtësinë dhe ngre pyetjen se pse rasti ‘Veliaj’ është i ndryshëm për të nga çdo rast tjetër i mëparshëm edhe pse rruga e ndjekur është e njëjta

Çfarë ka thënë Rama për SPAK në vitin 2024?

Të gjitha deklaratat

“… Pak më shumë se një muaj prej sot do të marrim vesh nëse dosja e gjakut të 21 janarit do t’i kalojë për shqyrtim SPAK për të hapur për së mbari hetimin e krimit shtetëror…”

“Sot jam më krenar se asnjëherë deri më tash për kontributin unik që PS dha në shembjen e Pallatit të Vjetër të Drejtësisë përmes Reformës në Drejtësi; për moslëkundjen e bindjes se drejtësinë për 21 janarin mund, duhet e do ta bëjë vetëm drejtësia dhe askush tjetër, sado që ajo të vonojë”

“Unë besoj që ne i kemi dhënë një gjë shumë të madhe këtij vendi, që nuk e ka pasur më përpara, që të ketë një drejtësi të pavarur nga pushteti politik dhe kjo është dhe arsyeja që për herë të parë ne kemi një drejtësi e cila vepron e pavarur nga pushteti politik…”

“Nuk dua ta di fare a je zëdhënësi, a je shoku, a je tjetri, a je tjetri… Në këtë pikë nuk ka shokë, nuk ka zëdhënës, nuk ka asgjë tjetër por ka një ndarje të menjëhershme, kaq”

  • Rama, maj 2024 

“SPAK është ilaçi i hidhur që o e pi ose vdes. Kush e pi një herë po dhe një herë jo, jo nuk ka shans të vetëpastrohet por vetëm zgjat agoninë e tyre dhe tretet siç po treteni tek rrugica e shpresës”

  • Rama, maj 2024 (për rastin e të vëllait)  

“SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori”

“Shqipëria ka një administratë publike, që ka një pjesë të bardhë, por ka edhe një pjesë të zezë, ku fatmirësisht sot arrin të merret drejtësia, përfitoj nga rasti të falenderoj dhe të inkurajoj prokurorët e SPAK”

“A do shkoj nëse më thërret SPAK? Po pse të mos shkoj. Vajtja në SPAK nuk është fajësim. Ata të hapin çdo hetim që shohin të arsyeshme nuk kam asnjë problem unë. Dhe kjo çështje e McGonigal sidomos mua më bën shumë për të qeshur. Më krijon një të papërmbajtur gaz kur thoshte Konica”

“Unë ua kam thënë në tryezë ministrave që këtu jemi për qëllime të përbashkëta, por kush ka qëllime të tjerë atë përballet me drejtësinë”

“Unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është”

“Unë nuk komentoj raste individuale, nuk e kam bërë asnjëherë, përveçse kur ka pasur një vendim përfundimtar gjykate, siç ka qenë rasti i një shpifësi recidiv”

“Unë thjesht përgjigjem për punën time, për detyrën time. Detyra ime nuk është, që të bëj punët e një pushteti tjetër të pavarur…”

“Unë personalisht ndjehem absolutisht i qetë, i qartë dhe i vendosur, akoma më i vendosur, që kjo betejë të vazhdojë dhe të mos ketë asnjë kompromis…”

Artikulli paraprakYjet e Hollywood që vizituan Ukrianën nuk u financuan nga USAID
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.