Nga Anila Hoxha
Ditën kur firmosi formularin e dekriminalizimit, Qerim Ismailaj, ishte ende kandidat për Bashkinë e Mallakastrës. Kryebashkiaku i ardhshëm shkroi në formular se gjatë kohës kur ishte emigrant në Greqi, ai nuk kishte pasur probleme me drejtësinë. Një deklaratë që u vu në dyshim nga Partia Demokratike përmes Gazmend Bardhit i cili kërkoi verifikimin e figurës së tij.
Përgjigjet e KQZ konfirmuan se Qerim Ismailaj ishte dënuar me tre vjet burg i formës së prerë në Greqi. Një fshehje e tillë në formular solli denoncimin në SPAK duke e shpallur atë fajtor.
Gjatë pretencës, prokurori i SPAK Adnan Xholi u shpreh se kryebashkiaku kishte shkelur ligjin sa kohë nuk tregoi të vërtetën.
Pala greke kishte provuar se 51 vjeçari ishte njoftuar për mbylljen e hetimeve në datë 1 shkurt 1999. Ai kishte pasur gjithashtu dijeni edhe për dënimin me tre vjet burg me akuzën e përleshjes. Emri i kryebashkiakut, Qerim Ismailaj, është një nga dhjetëra emra të tjerë ish kryetarësh e kryebashkiakësh të dënuar, nën gjykim apo ende nën hetim.
Qerim Ismailaj kreu 40 orë punë me interes publik ndërsa vazhdon të drejtojë edhe bashkinë e Mallakastrës. Gjatë një interviste për Faktoje.al, avokati i tij, Andi Skënderi, thotë se në këtë çështje nuk ka asgjë të çuditshme.
“Klienti im u dënua me 40 orë punë me interes publik, të cilat i kreu dhe kjo dispozitë i lejon atij të konsiderohet i padënuar. Për këtë arsye u rizgjodh dhe u lejua të kandidojë. Kolegji Zgjedhor la në fuqi vendimin e KQZ që ky kandidat të mund të rikandidonte…”
FORMULARI
Nga verifikimi i të dhënave, qysh prej krijimit të SPAK, rezulton se për këtë akuzë (pra të mos deklarimit të dënimit të formular) është gjetur fajtor edhe një tjetër kryetar bashkie.
Kreshnik Hajdari, që drejton bashkinë e Kuçovës, u dënua njësoj si ai i Mallakastrës, (me ore pune), pasi u zbulua që në 1999, duke kaluar kufirin grek ishte dënuar me masën e qortimit, gjë që nuk e përcolli në formular.
Që nga ngritja e SPAK-ut kryebashkiakët dhe punonjësit e bashkive janë më të denoncuarit në radhët e administratës, jo vetëm nga politika, por edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
KLSH
Aktualisht nuk kemi një shifër të saktë se sa është numri i përfaqësuesve të pushtetit lokal për të cilët Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar hetime, siç është rasti i ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, që së bashku me disa vartës u konstatuan se kishin shkaktuar dëm gjatë zbatimit të projektit “Promenadë”. Ose ai i ish kryebashkiakut të Finiqit, Leonidha Hristo, dhe katër ish nëpunësve në këtë bashki që u gjetën me shkelje në së paku 40 tendera.
Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, i pyetur nga Faktoje.al, preferon të ruajë sekretin e dosjeve të referuara pranë SPAK ndër vite. Sidoqoftë, ai shprehet se ka besim tek hetimet. “Jemi të bindur që të gjitha ato raste që i kemi referuar pranë prokurorisë së posaçme vlerësohen me profesionalizëm dhe në respekt të plotë të ligjit. Pjesë e misionit tonë është kallëzimi. Kur kemi konstatuar shkelje të ligjit kemi referuar menjëherë dhe bindja e institucionit është se trajtimi i këtyre çështjeve është kryer me përkushtim nga ana e prokurorisë”, tha z. Shehu
Nga verifikimi i rasteve të bëra publike rezulton se, nga 61 bashki, 36 prej tyre janë prekur nga hetimet e SPAK. 25 të tjera nuk kanë ende një ish- kryebashkiak apo drejtues aktuale që të jetë thirrur nga SPAK.
Kryebashkiakë apo ish- kryebashkiakë të 36 bashkive janë thirrur për tu pyetur qoftë si të deklaruar, ose janë nën hetim ende, ose në rastin më ekstrem janë dorëzuar si të akuzuar apo janë gjetur fajtorë. Çështjet nën hetim nisin nga tenderat, blerja e votës gjatë zgjedhjeve, e deri tek skandalet seksuale
Një pjesë e kryetarëve të bashkisë janë shpallur fajtor bashkë me nënkryetarët.
“Influencë absolute për shkak të postit duke filluar që nga tenderat dhe mbaron tek punësimet si krijimi i organikave që ndoshta janë në kundërshtim me ligjin, sepse këto përkthehen në votues…” thekson ndër radhë avokati Andi Skënderi
Numri i të dënuarve
Nga të dhënat e deritanishme rezulton që janë gjetur fajtorë 15 ish kryetarë bashkie dhe ish nënkryetarë, disa prej të cilëve presin ende vendim në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por edhe Gjykatën e Lartë.
Rasti i fundit është ai i kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, i dënuar nga shkalla e parë me një vit burg për korrupsion në zgjedhje mbas një hetimi të SPAK që deklaroi se kryebashkiaku urdhëroi tre punonjës të OSHEE në prag të zgjedhjeve të 2022 që të shlyenin faturat e debitorëve me qëllim që të përktheheshin në vota. Në këtë bashki vijojnë të jenë nën hetim pesë zyrtarë të tjerë për rindërtimin nga tërmeti mbasi dyshohen se shkelën ligjin në 78 vlerësime. Fajtor për korrupsion në zgjedhje u gjet edhe kryebashkiaku i Himarës, Dhionisis Fredi Beleri, që u ekspozua nga një bashkëpunëtor drejtësie.
Fran Tuci, ish kryetar i bashkisë së Fushëarrëzit, u dënua për shpërdorim detyre për hapjen e një segmenti rrugor, ish- kryebashkiaku Fran Frrokaj gjithashtu u shpall fajtor për tjetërsimin e gati 66 mijë metra katrorë tokë në vendin e quajtur Rana e Hedhun. Ish -kryetarja e Patosit Rajmonda Balilaj u dënua për shkelje të barazisë në tendera së bashku me ish- nënkryetaren, Anisa Petani, sikurse edhe ish kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla dhe nënkryetarja Enkelejda Lleshi dhe katër zyrtarë të tjerë që abuzuan me tenderat e ujësjellësit në vlerën e 3 milionë eurove.
Ndërkohë, si shpërdorues detyre, përpos ish kryebashkiakut të Durrësit u gjet fajtor edhe Fatos Tushe dhe ish nënkryetari i bashkisë Lushnjë Gentian Nushe që në një rast janë të ekspozuar për tenderimin e punimeve të një kanali me vlerë 23 milionë lekë.
Avokati i ish-kryebashkiakut, Safet Gjici, këmbëngul për Faktoje.al se Gjykata e Lartë duhet ta kishte shqyrtuar çështjen me prioritet
Ndërsa ish kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, i cili u zbulua nga një video skandali seksual, u dënua në njërën nga shkallët e gjykatës për shpërdorim detyre dhe në atë të Apelit për korrupsion.
Aktualisht, ish kryebashkiaku ka kërkuar liri me kusht për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Avokati i tij, Përparim Kulluri, këmbëngul për Faktoje.al se Gjykata e Lartë duhet ta kishte shqyrtuar çështjen me prioritet
”I jemi drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë dhe kemi kërkuar prishjen e dy vendimeve, kërkojmë pafajësi sepse nuk ka aspak vepër penale. Gjykata e Lartë e ka hedhur shortin ka caktuar edhe relatorin, por nuk është vendosur ende një datë sado që është depozituar si kërkesë në datën 2 gusht. Për ne kjo çështje ka prapavijë të qartë politike“, thotë avokati Kulluri. Për bashkinë e Kukësit edhe pasuesi i Safet Gjicit, që ishte njëherazi prefekt i qytetit, ishte një nga shënjestrat e SPAK-ut.
Ish zëvendës kryebashkiaku u dënua për shkeljen e barazisë në tenderat e karburantit.
Më herët është shpallur fajtor edhe ish kryetari i bashkisë së Hasit, Adem Lala
Ende nën proces
I fundit që qëndroi për disa orë në SPAK është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, një bashki të cilës më herët i kanë rënë në rrjetat e SPAK, 7 zyrtarë
Lista e kryebashkiakëve dhe ish kryebashkiakëve që janë nën hetim apo i janë dorëzuar gjykatës si të pandehur, (ose ndaj tyre është kërkuar pushim i hetimeve), është gjithashtu e gjatë. I fundit që qëndroi për disa orë në SPAK është kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, një bashki të cilës më herët i kanë rënë në rrjetat e SPAK 7 zyrtarë midis tyre ish drejtori Taulant Tushe, Redi Molla dhe Mariglen Qato njohur si rezultati i dosjes 5 D.
SPAK ka konfirmuar se ka regjistruar gjithashtu hetimet për dyshimet e korrupsionit, pastrimit të parave dhe refuzimit për të deklaruar pasurinë. Në vazhdën e këtyre veprimeve, SPAK ka marrë në pyetje jo vetëm kryebashkiakun e Tiranës, por edhe bashkëshorten e tij Ajola Xoxa si dhe ka kryer disa kontrolle dhe sekuestro.
Një çështje tjetër për të cilën nuk ka informacion është ajo e Gentian Picarit të bashkisë Vorë, për të cilin Gjykata Anti-korrupsion refuzoi pushimin e hetimeve dhe e ktheu çështjen për veprime të mëtejshme hetimore mbas dyshimeve, se mund të ishte kryer korrupsion në zgjedhje.
Ish kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri, dhe juristë të kësaj bashkie janë dorëzuar si të akuzuar në Gjykatën Antikorrupsion mbasi siç njofton SPAK “në përfundim të hetimeve, rezulton se është dokumentuar fakti penal, se me veprimet dhe mosveprimet e tij, shtetasi Eduart Kapri, në bashkëpunim me shtetasit Besmira Niko dhe Besjan Meço, kanë lejuar kryerjen e punimeve në kundërshtim me dispozitat ligjore, të objektit pallat 14 katësh, (me administrator shtetasin Gëzim Kapri, vëllain e shtetasit Eduart Kapri)”
Gjithashtu, ish- kryetari i bashkisë, Jorgo Goro, ndaj të cilit ka dy çështje nën hetim, gjendet i akuzuar për tjetërsimin e gati 10 mijë metrave katrorë tokë në bregdet.
Ish- kryebashkiakut të Shkodrës, Bardh Spahia, i është komunikuar gjithashtu akuza për mos respektim të vendimit të gjykatave mbas largimit nga detyra të një vartësi.
Lista e gjatë
Që porta e SPAK po kapërcehet nga shumë zyrtarë të lartë, kjo është mëse e dukshme. Disa prej zyrtarëve lokalë që janë pyetur, kanë folur qoftë edhe shkurt kur kanë dalë nga SPAK. Disa të tjerë kanë heshtur. Kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, ish- kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi, ish kryebashkiaku i Kamzës Xhelal Mziu dhe pasuesi i tij Rakip Suli, ish kryebashkiaku i Dibrës Muharrem Rama, ish kryebashiaku i Kavajës, Elvis Roshi , kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, ish kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, gjenden në listën e zyrtarëve të pushtetit lokal, që e kanë pasur të pashmangshme thirrjen nga prokurorët e posaçëm. Gjithashtu kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa, Armando Subashi i Fierit, kryebashkiakia e Roskovecit, Majlinda Bufi, Erion Isai i Ersekës apo edhe Leonard Hida i Libohovës kanë qëndruar për orë të tëra të pyetur herë nga një hetues i BKH e herë drejtpërdrejt nga një prokuror
Sa zyrtarë janë hetuar?
Faktoje.al pyeti SPAK se sa zyrtarë janë hetuar nga 2019 deri në fund të 2024?
SPAK u përgjigj se numri i zyrtarëve të hetuar (për këtë periudhë) rezulton të jetë 667 “për veprat penale të parashikuara nga nenet 248, 258, 259, 260, 257/a, 319/ç dhe 328/b të Kodit Penal”, ndërsa “892 është numri i kallëzimeve penale për zyrtarët për veprat penale të parashikuara nga nenet 248, 258, 259, 260, 257/a, 319/ç dhe 328/b të Kodit Penal”