David McAllister nuk ka njoftuar asnjë mision faktmbledhës të Parlamentit Europian për Shqipërinë. Deklarata e ish-kryeministrit Berisha, sipas të cilës, Komisioni i Jashtëm i PE do të dërgonte një mision për zgjedhjet, rezulton e pavërtetë. Zyra e Parlamentit Europian konfirmon për Faktoje.al se bëhet fjalë vetëm për një vizitë të mundshme në vitin 2026, jo për një mision të planifikuar këtë vit.
Esmeralda Topi
Dy muaj më parë, ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi nga Brukseli se kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, kishte paralajmëruar dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri nga ky komision, duke e cilësuar këtë si “një mbështetje të madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci”
“Unë e përshëndes këtë vendim të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian si një mbështetje e madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci… Në qoftë se në harkun kohor të 24 orëve, njoftohen dy misione faktmbledhëse, kjo tregon se Shqipëria tashmë është një emergjencë…”, deklaroi Berisha gjatë një interviste televizive nga Brukseli.
Deklarata e Berishës për një mision të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian erdhi menjëherë pas lajmit se Partia Popullore Europiane (PPE) kishte njoftuar dërgimin e një misioni faktmbledhës në Shqipëri. Në këtë kontekst, Berisha ndodhej në Bruksel pikërisht për të kërkuar mbështetje nga partitë simotra europiane, duke i informuar për atë që ai e konsideron si “farsë elektorale” në zgjedhjet e fundit në vend.
Fakt
Faktoje kontaktoi me zyrën e shtypit të Parlamentit Europian për të sqaruar nëse është njoftuar zyrtarisht një mision faktmbledhës nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian (AFET), ashtu siç u pretendua.
Përgjigjja zyrtare nga zëdhënësja e Parlamentit Europian e rrëzoi këtë pretendim.
“Zoti McAllister nuk ka njoftuar një mision të tillë. Ai tha se Komisioni për Punët e Jashtme (AFET) duhet të vizitojë Shqipërinë vitin e ardhshëm. Për këtë vit, planifikimi është bërë tashmë. Megjithatë, ndryshime mund të ndodhin gjithmonë”, shkruan zëdhënësja për Faktoje.al.
Pra, bëhet fjalë për një vizitë të mundshme në vitin 2026, jo për një mision faktmbledhës të paralajmëruar për 2025-n, siç u interpretua në deklaratën e Berishës dhe në pasqyrimin mediatik që pasoi.
Si u përhap lajmi i pavërtetë?
Në vijim të deklaratës së Berishës, Partia Demokratike publikoi në faqen e saj zyrtare një artikull me titull: “Berisha në Bruksel: Raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian damkosi regjimin e Edi Ramës. U denoncua me qartësinë më të madhe farsa elektorale”, duke përforcuar narrativën për një mision faktmbledhës që nuk është konfirmuar nga asnjë burim zyrtar europian.
Më tej edhe media të ndryshme online e pasqyruan lajmin duke e bërë fakt të kryer misionin faktmbledhës nga Parlamenti Europian.
Përfundim
Deri më sot, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Komisioni i Jashtëm i PE për një mision fakmbledhës për zgjedhjet në Shqipëri gjatë këtij viti. Zoti McAllister ka përmendur vetëm një vizitë të mundshme vitin e ardhshëm. Ndaj, nisur nga verifikimi i kryer deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha rreth një misioni faktmbledhës të Parlamentit Europian e katëgorizojmë të pavërtetë.