Sebi Alla Pa mbushur java nga deklarata e kryeministrit Edi Rama, këshilltarët socialistë të Bashkisë Tiranë u mblodhën sot në selinë e PS-së ku vendosen që të kërkojnë ditën e martë (23 shtator) shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Erion Veliaj, i arrestuar më 10 shkurt, për akuzat e korrupsionit, fshehje të të ardhurave, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, në të paktën 13 episode.
Mbledhja u zhvillua pa praninë e kryeministrit i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Bruksel
Lajmërimin për shkarkimin e Veliajt dhe përcaktimin e pasardhëses së tij si kandidate për Bashkinë Tiranë, Ogerta Manastirliu, kreu i qeverisë e bëri në mbledhjen e Asamblesë së PS-së më 11 shtator teksa prezantonte qeverinë e re.
Shkarkim me duart e këshillit
Më herët, në tre raste kur kryebashkiakët socialistë janë arrestuar me kërkesë të SPAK, për akuza të ndryshme, Rama ka vendosur menjëherë shkarkimin e tyre. Duke iu referuar neneve 100 e 115, pika 1, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “a”, të nenit 62, të ligjit nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, Rama ka shkarkuar në kohë të ndryshme kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe, kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla, dhe atë të Kukësit, Safet Gjici, me motivacionin “shkelje të rënda”.
Për rastin Veliaj, kryeministri Rama nuk ndoqi të njëjtën formë, ndonëse akuzat ndaj tij ishin më të rënda se e tre kryebashkiakëve që i shkarkoi menjëherë dhe opozita gjithashtu ka kërkuar shumë herë që Këshilli Bashkiak të mblidhet për nisjen e procedurave të shkarkimit.
Pesha politike që mbarte Veliaj, por edhe enturazhi i krijuar përgjatë kohës si kryebashkiak 2015-2025 e kishin kthyer në njeriun e rëndësishëm që, pas përfundimit të mandatit të tretë si i zgjedhur vendor, ai do ishte sërish në jetën aktive politike dhe me ambicie brenda radhëve të PS-së.
Veliaj po hesht, a do flasë me ankimim?
Nëse Këshilli Bashkiak në mbledhjet më të afërme ka në agjendë shkarkimin e kryetarit Erion Veliaj, vendimin më pas do ia kalojë Prefektit ky i fundit më tej kreut të qeverisë Rama.
Deri më tani kreu në detyrë i Bashkisë Tiranë nuk ka reaguar nga qelia, ndonëse më parë kanë qenë disi të shpeshta komunikimet në rrjetet e tij sociale, kryesisht Facebook dhe “Tik-Tok”.
Në rast shkarkimi, Veliaj ka të drejtë të ankimojë vendimin e qeverisë në Gjykatën Kushtetuese, brenda 15 ditëve nga shpallja e tij. Në nenin 115 të Kushtetutës në pikën 1 dhe dy thuhet: 1. Organi i zgjedhur drejtpërdrejt i njësisë qeverisëse vendore mund të shpërndahet ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve. 2. Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet”.
Nëse Veliaj e ushtron këtë të drejtë atëherë zgjedhjet në Tiranë mund të shtyhen në kohë, deri kur të dalë me vendim Gjykata Kushtetuese e cila në raste të zakonshme një çështje e ka shqyrtuar në jo më pak se katër muaj.
Ashpër dhe butë në një javë
Rreth 14 orë pas arrestimit, kryeministri Rama më 11 shkurt nisi sulm të hapur ndaj SPAK, duke e cilësuar këtë institucion si të “dalë nga shinat” dhe se sipas tij ky ishte momenti kur nuk mund të heshte më. Në këtë vazhdë, duke ndjekur komunikimin “live nga zyra” me ndjekësit në rrjetet e tij sociale Rama i qëndroi besnik idesë se për Veliajn hetimet ishin të stisura nga një letër anonime dhe se ishin terrorizuar dëshmitarë dhe deklarues të çështjes së tij.
Mirëpo pika që mbushi kupën e sulmeve ndaj SPAK duket se u derdh pikërisht në protestën e mbështetësve të Veliajt teksa ky i fundit ndodhej në Gjykatën Speciale për të mësuar vlerësimin e masës së sigurisë “arrest me burg pa afat”. Mbështetës të tij, përfshi nëpunës të bashkisë Tiranë fyen dhe për disa minuta sulmuan edhe bllokuan automjetet ku udhëtonin kreu i SPAK Altin Dumani dhe prokurori tjetër i çështjes Olsi Dado.
Më 20 shkurt, kryeministri Rama mblodhi në sheshin “Skënderbej” nëpunës të bashkisë Tiranë dhe ky ishte një moment kthese dhe një ndalje e akuzave ndaj SPAK dhe GJKKO-së. “Disa nga ju shkuan edhe tek dera e GJKKO për të protestuar ditën që kryetari u la në burg, pa gjyq, nuk dua t’i gjykoj keq përkundrazi e mirëkuptoj emocionin e tyre, por ishte një gabim që sado i pafajshëm nuk duhet të përsëritet më, as nga ju, as nga askush që punon për shtetin shqiptar në çdo institucion”, tha Rama, duke theksuar se: “Deri kur çështja e Erionit të marrë drejtim, vëmendja ime për Tiranën do jetë e pandërprerë”.
Tashmë beteja duket më shumë juridike, duke e kapërcyer përfundimisht “mbështetjen” e mëparshme, pasi që nga data 11 e këtij muaji vendimi i Ramës është për shkarkimin dhe zgjedhje të reja për Bashkinë Tiranë.