Mbetet në fuqi fyerja dhe shpifja, PS rrëzon në parim nismën “Tabaku”

Nëntë deputetët e mazhorancës votuan kundër projektligjit për disa ndryshime në ligjin aktual të “Kodit Penal”

21
Ne foto: Deputetja e PD-se, Jorida Tabaku, gjate prezantimit te draftit tek Ligjet

Sebi Alla Me forcën e kartonit, pa shumë diskutime, nëntë deputetët e mazhorancës votuan kundër projektligjit për disa ndryshime në ligjin aktual të “Kodit Penal”

Në fokus të kësaj nisme ligjore, e inicuar nga deputetja e PD,  Jorida Tabaku, ishte dekriminalizimi i plotë i fyerjes dhe shpifjes, aktualisht në referencë të neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal  në fuqi si dhe disa shtesa në nenet e tjera 237, 238 dhe 261, ku specifikisht kërkohej mbrojtja e gazetarit dhe punonjësve të medias në ushtrim të detyrës.

Nisma

Deputetja Tabaku, në relacionin e paraqitur para Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike theksoi rëndësinë e këtyre ndryshimeve jo vetëm në mbrojtje të gazetarëve dhe punonjësve të medias, por edhe për një qëllim më të madh për lirinë e fjalës dhe mendimit.

Ajo nënvizoi se për draftin e paraqitur ishte punuar më shumë se tre muaj në konsultim të gjerë me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe ekspertë vendas e ndërkombëtarë, duke u mbështetur në progres-raportet e BE-së, dokumentet e Këshillit të Evropës dhe diskutimet institucionale të Shqipërisë me këto struktura.

Në fjalën e saj para Komisionit, Tabaku theksoi se liria e shprehjes është një shtyllë themelore e demokracisë dhe se përdorimi i instrumenteve penale për fyerjen dhe shpifjen krijon një efekt frenues mbi gazetarinë dhe debatin publik.

Ajo solli në vëmendje jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe rekomandimet e BE-së, të cilat kërkojnë qartësisht shmangien e ndjekjes penale për shpifjen dhe zhvendosjen e mbrojtjes së reputacionit në sferën civile.

Sipas saj, tre vende të rajonit Bosnjë- Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë dekrimilazizuar shpifjen.  

PS: “Kemi draftin tonë”

Relatori i çështjes, deputeti i PS-së, Olsi Komici, në një qëndrim fare të shkurtër, propozoi rrëzimin e nismës “Tabaku”.

Mbi arsyet e këtij rrëzimi dha shpjegim disi më të hollësishëm kreu i Komisionit Parlamentar të Çështjeve Ligjore dhe Administratës Publike Ulsi Manja. “Sugjerojmë rrëzimin e nismës në parim sepse për ato shqetësime që ngrenë ka reflektim në propozimin e qeverisë”, tha Manja.

Më herët kryeministri njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar gjatë një tryeze me përfaqësues të shoqërisë civile, më tej edhe në mbledhjen e grupit parlamentar socialist se është dakord me dekriminalizimin e shpifjes vetëm për gazetarët. Të njëjtën qëndrim përforcoi  edhe deputeti Manja.

Por deputetja Jorida Tabaku nënvizoi se nuk mund të kemi dekriminalizim të pjesshëm dhe selektiv. “Liria e shprehjes nuk është privilegj profesional, por e drejtë universale,” theksoi ajo

Edhe pse nisma u rrëzua nga shumica, Tabaku nënvizoi se beteja për lirinë e medias dhe kundër padive SLAPP do të vijojë, duke kërkuar që komentet dhe propozimet e saj të merren parasysh në çdo ndryshim të ardhshëm ligjor.

Sipas saj, ky është një test real për vullnetin e shumicës për integrimin europian dhe për respektimin e standardeve themelore të shtetit të së drejtës.