Sebi Alla – Seanca e parë Parlamentare pas konstituimit dhe betimit të deputetëve, nisi me debate dhe akuza të opozitës për shkelje të Kushtetutës mbi ndryshimin e rregullores së kuvendit për përbërjen e komisioneve parlanetare. Pavarësisht edhe referimeve të neneve përkatëse që sipas opozitës shkeleshin, mazhoranca përshpejtoi pa shumë diskutime, duke ndryshuar rregulloren me 79 vota pro, ndërsa përfaqësuesit e PD-së braktisën sallën dhe nuk morën pjesë në votim.

Qëndrimet

“Nuk mund të kishim kurrë fillim tjetër përveçse këtij që nisëm sot, duke i shpallur armiqësi dhe luftë të plotë Kushtetutës së vendit, librit themelor. Për ju ka kohë që është një letër e vdekur, e denoncuar nga neni i parë tek i fundit, nga kodi i mafias, i drogës dhe i bixhozit”, tha kryetari i PD-së Sali Berisha.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u shpreh se nuk ka shkelje të Kushtetutës në ndryshimin e rregullores së kuvendit, duke iu referuar precedentëve të mëparshëm, që sipas tij me marrëveshje PS dhe PD brenda një dite kanë ndryshuar rregulloren e Kuvendit.

“Mazhoranca nuk do bëjë asnjë hap asnjëherë nëse sheh se ka shkelje. Këtu nuk ka shkelje, këtu ka një praktikë të konsoliduar parlamentare, po mbi të gjitha jemi në një fazë të Kuvendit, që jemi në fazën e konstituimit”, tha Balla. Sipas tij, shqetësimi i opozitës për shkrirjen e “komisionit parlamentar të integrimit” nuk qëndronte.

Opozita

Opozita thotë se me ndryshimin e komisioneve parlamentare opozitës i është hequr mundësia për të drejtuar komisione parlamentare ku shtatë i janë caktuar mazhorancës dhe 4 opozitës por gjithashtu edhe Komisionin Parlamentar të Integrimit që drejtohej më parë nga opozita e kanë shkrirë.   

Çfarë thotë Kushtetuta?

Debati kryesor lidhet me shkeljen ose jo të Kushtetutës për ndryshimin e rregullores së Kuvendit dhe procedurën e përshpejtuar, pa plotësuar afatet që parashikohen në ligjin themeltar të vendit.

nenin 83 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në pikën dy të saj thuhet shprehimisht: “Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave ose të një së pestës së të gjithë deputetëve, mund të shqyrtojë e të miratojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, por jo më parë se një javë nga fillimi i procedurës së shqyrtimit. Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81 paragrafi 2, me përjashtim të nënparagrafit ‘dh” (shënim: paragrafi ‘dh’ cilëson vetëm “ligji për gjendjen e jashtëzakonshme”.

Përplasjet

Edhe ky sesion i ri parlamentar i mandatit 2025-2029, ka nisur me përplasje të forta politike. Ndryshimet e kërkuara nga qeveria ku akti i parë lidhet me ndryshimin e rregullores së Kuvendit shihet nga opozita si kapje e pastër e institucionit të Parlamentit nga kryeministri Edi Rama. Nga ana tjetër opozita edhe pse ditën e sotme pretendoi për shkelje të Kushtetutës në këtë nismë të shumicës parlamentare, e ka lënë të paqartë nëse do i drejtohet ose jo Gjykatës Kushtetuese për interpretim.