Maturë dhe kopje, dështimi me publikimin e tezave të provimeve

Teza e matematikës doli vetëm 20 minuta pas nisjes së testimit për rreth 27 mijë maturantë

76

Nga Sebi Alla- Për të paktën 5 vite radhazi tezat e provimeve të maturës u publikuan dendur në rrjetet sociale, kur provimi ende nuk kishte përfunduar. Më i fundit ishte testi i matematikës ku vetëm 20 minuta pas nisjes së testimit për rreth 27 mijë maturantë teza doli, duke hedhur dyshime në dështimin për marrjen e masave, por edhe të kopjimit dhe deformimit të rezultatit për maturantë të caktuar. “Provimi i Maturës Shtetërore në lëndën e Matematikës, po zhvillohet në përputhje të plotë me standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren përkatëse dhe publikimi i tezës së provimit pasi nxënësit kanë nisur testimin, nuk ndikon në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit“, tha zyrtarisht Ministria e Arsimit në një reagim në rrjetet sociale. I njëjti qëndrim është mbajtur edhe për lëndët e tjera pas publikimit të tezave

Rregullorja

Ndërkohë Qendra e Shërbimeve Arsimore ka të publikuar (qysh prej vitit 2023) një rregullore të gjatë të ndryshuar me 34 nene për zhvillimin e Maturës Shtetërore dhe Maturës Shtetërore Profesionale, mbi të cilën u bazua edhe udhëzimi mbi organizimin dhe zhvillimin e provimit të maturës shtetërore për këtë vit.

Konkretisht në nenin 21 thuhet se përgjegjësi i administrimit të provimit, ka për detyrë të mos publikojë në asnjë mënyrë apo formë testin e Maturës Shtetërore gjatë procesit të administrimit. Jo vetëm. Në nenin 34 të rregullores së publikuar në faqen online parashikohen edhe një sërë masash disiplinore që në rastin e publikimit para kohe të testit parashikohet deri edhe largim nga puna.

Ekspertët

Për ekspertin e çështjeve arsimore, prof Ndriçim Mehmeti, publikimi i tezave të provimit pasi ka nisur testimi është papërgjegjshmëri institucionale. “Përgjigja e njëjtë në çdo dalje teze, e MAS, se ‘kjo nuk cenon procesin’, është një tallje me publikun, nxënësit dhe prindërit, duke rritur dozën e papërgjegjshmërisë së institucionit më të lartë të arsimit në Shqipëri”, thotë Mehmeti. Po sipas tij, “në raportet e saj, QSHA, (shënim; Qendra e Shërbimeve Arsimore), thekson faktin se ka rritje fiktive të notave në rrethe dhe në Tiranë dhe nuk ka asnjë analizë se përse ndodh një gjë e tillë”

Përgjegjësit

Përgjegjësia për mbarëvajtjen e provimeve nis nga Ministria e Arsimit, Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar dhe Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar, nën kupolën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore. Të katërta institucionet nuk ia kanë dalë të ndalojnë publikimin e tezave pa përfunduar ende provimi por edhe të zbulojnë rastet e fotografimit dhe më pas publikimit.

I vetmi rast me masë ndëshkimore është shënuar në Durrës ku një maturant u përjashtua pasi u kap duke fotografuar tezën.

Neni 23 i rregullores së publikuar nga Qendra e Shërbimeve Arsimore ndalon mbajtjen e celularit të maturantit gjatë procesit të votimit.

Faktoje.al i dërgoi ndërkohë Ministrisë së Arsimit disa pyetje në lidhje me këtë problematikë, konkretisht se, përse dalin çdo vit tezat, çfarë  masash janë marrë dhe a ndikon kjo shkelje në procesin e provimeve. Por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk pati reagim. Procesi për përgjigjet është në fazën e ankimimit.

Dyshime për “ndërhyrje”

“Sikundër pranojnë mësuesit që janë në administrim, atyre u bëhet presion me vendin e punës që të lejojnë nxënës të caktuar të kopjojnë, e madje ta shpërndajnë vetë kopjen. Në disa shkolla shkohet nga vetë Përgjegjësit e Administrimit dhe punonjës të MAS, me lista se kush do të ndihmohet”, thotë për Faktoje.al Mehmeti. Sipas tij, edhe masat për moslejimin e kopjimeve apo favorizimit për maturantë të veçantë janë problem i pranishëm. “Bllokuesit për valët e celularëve dalin jashtë funksionit qëllimisht që në fillim të provimit dhe po ashtu kontrolli fizik behët formalisht, pa asnjë përgjegjësi. Askush nuk është dënuar apo penalizuar, kështu që procesi i Maturës në fakt është kthyer në një skenë krimi, ku vidhet e grabitet dija në mes të ditës me bekimin e MAS dhe ata që e pësojnë janë nxënësit që kanë punuar e djersitur 12 vite me radhë”,  vëren Mehmeti.

Ndikimi në nivelin e aftësive

Eksperti i çështjeve arsimore Ndriçim Mehmeti shtjellon më tej për Faktoje.al se nga viti në vit ka rënie të nivelit arsimor. “E vërteta e hidhur është se në arsimin e lartë po shkojnë gjithnjë e më pak nxënës të mirë. Këtë e tregojnë arritjet e këtij viti ku nota mesatare si në matematikë dhe në letërsi është 1 notë më pak se vitin e kaluar. Kemi më pak nxënës ekselent dhe më shumë nxënës me arritjet minimale, pra të notës 5 dhe 6”, thotë Mehmeti, ndërsa përgjegjësinë e sheh më së shumti në institucionet drejtuese arsimore në vend. “Rezultatet në një pjesë të mirë janë të deformuara dhe më e keqja është se nuk ka asnjë tentativë për të frenuar këtë fenomen. Ministria e Arsimit bën analiza të mbyllura, me njerëzit e saj që në fakt janë përgjegjësit kryesor të kësaj situate katastrofike në arsim…”,  thotë ai.

Përfundimi

Publikimi i të gjithë tezave të provimit për maturën konsiderohet një fenomen i përsëritur ndër vite dhe masat e marra nuk kanë dhënë rezultate pozitive. Dyshimet se publikimi i tezave mund të ndikojë në një masë të caktuar edhe në tjetërsimin e rezultateve të vërteta për maturantë të caktuar mbetet edhe pse raportet zyrtare në këtë drejtim mungojnë. Por rregullorja për vitin 2025 ekziston. Dhe ajo është shkelur hapur në të paktën dy nene të saj (neni 21 dhe neni 23).

Në mungesë të një përgjigje zyrtare të ministrisë se çfarë është bërë në këtë drejtim si dhe, duke ballafaquar përmbajtjen e rregullores së hartuar nga vetë ministria me fenomenin që u përsërit, angazhimin për mos publikimin e tezave të provimit gjatë procesit të administrimit do ta konsiderojmë të pambajtur.