.

.

BallinaAktualitetMashtrimi i ëmbël në ‘TikTok’, premtohet parajsa në Londër, por shqiptarët po përjetojnë ferrin

Mashtrimi i ëmbël në ‘TikTok’, premtohet parajsa në Londër, por shqiptarët po përjetojnë ferrin

Jeta e bukur e reklamuar nga “çunat e Londrës” në TikTok është kthyer në motiv për shumë të rinj, por edhe prindër të cilët vendosin të lënë Shqipërinë në forma nga më të rrezikshmet. Në këtë platformë prezantohet jeta e luksit, por edhe ofertat e trafikantëve, që për një udhëtim me kamion, gomone apo avion varion nga 4 mijë deri në 17 mijë paund duke vënë bast me vdekjen, në rrugëtimin e tyre. Faktoje sjell dëshmi të personave që kanë provuar tmerrin e këtyre udhëtimeve, siç pohojnë një 28 vjeçar dhe një nënë me dy fëmijët e saj.

Ilda Hoxha dhe Jona Plumbi

Në Tik Tok, gjen disa oferta dhe kontakte për të udhëtuar ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar. Faktoje ka mbledhur disa prej këtyre postimeve që më pas fshihen nga rrjeti, për të treguar sesi qytetarët lidhen me trafikantët për t’u larguar ilegalisht përmes detit, tokës dhe ajrit. Në bazë të rrezikut varion edhe pagesa.

“Rruga me gomone në datat 19, 20, 21. Nuk ka të kthyer nga shtetit 100%, me super ofertë 4.5 mijë paund. Pagesa pasi kaloni, sms janë të hapura”, ishte një prej postimeve në TikTok të bëra më 17 janar të këtij viti.

Gjithashtu ofrohet transport me avion përmes një pasaportë false, që kushton 8 mijë euro. Këto video, ku ofrohet trafikimi i qenieve njerëzore, fshihen nga rrjetet sociale, pasi është realizuar “udhëtimi” i planifikuar.

Disa nga postimet në TikTok

Kukësi, qarku më i varfër i Shqipërisë njihjet si zona me ikjet më masive drejt Mbretërisë së Bashkuar, ndaj ne udhëtuam drejt këtij qyteti më 16 janar, ku biseduam me të rinj që kishin tentuar të iknin ilegalisht drejt Mbretërisë së Bashkuar duke rezikuar jetën, por nuk ia kishin dale. E megjithatë synimin e kishin të qartë, ta provonin derisa t’ia arrinin qëllimit që jetën ta bënin në Londër.

“Epidemia” e rrjeteve sociale

Dy janë mënyrat se si rrjetet sociale ndihmojnë në trafikimin e paligjshëm të emigrantëve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar. Fillimisht duke lejuar reklamimin e udhëtimeve ilegale, si dhe duke joshur të rinjtë të mendojnë se ky udhëtim është i lehtë dhe ka një fund të lumtur.

Mjafton të hapësh Tik Tok-un dhe të kërkosh “rrugë për në Angli”. Rezultati i kërkimit është befasues!

*rezultati i kërkimit në TikTok në datën 20 Janar 2022

Video të shumta ku reklamohet mundësia për të udhetuar me gomone apo kamion drejt Anglisë për 3-5 mijë paund qarkullojnë edhe në Instagram dhe Facebook. Udhëtimet reklamohen si 100% të sigurta dhe me çmim të përballueshëm.

Shqiptarët ftohen të paguajnë koston përmes një sekseri që është shqiptar dhe që i lidh me trafikantët që nisen nga brigjet e Francës drejt Anglisë.

*rezultati i kërkimit në TikTok në datën 20 Janar 2022

Gjithçka e reklamuar falas në rrjet

Armando (*emri nuk është real pasi dëshmitari preferoi të mos identifikohej) 28-vjeçar nga Kukësi, rrëfen kalvarin e gjatë të vuajtjeve që e shoqëruan në përpjekjen e dështuar për të mbërritur në Londër. Ai tregon se u nis me gomone, por një sërë peripecish ndodhën gjatë rrugëtimit të nisur.

Bindjen për t’u nisur drejt Anglisë me gomone e krijoi nga “lehtësirat” e reklamuara në rrjetet sociale.

“Normal nga videot në Tik Tok, Instagrami, Facebook-u, çunat nga Londra që tregonin lehtësira për të shkuar atje.” – shpjegon 28 vjeçari, duke vijuar – “Foto në mes të detit me çunat të gjithë t’u qesh që bëjnë shenjën e shqiponjës me duar, ku shkruhej ‘arritën çunat me sukses’. Ndërkohë që ne kemi vujt disa herë për të shku atje, me nga 25 mijë – 30 mijë paund dhe s’kemi arrit me shku. Normal po të shohësh që disa arritjnë atje me 2-3 mijë paund bindesh direkt.”- rrëfen Armando, i cili është vetëm një nga mijëra raste të të rinjve në veri të Shqipërisë, të cilët vendin e tyre e shohin pa të ardhme.

Çfarë ndodh në të vërtetë

“Herën e parë u nisëm në shtator 2022, ndenjëm 8-9 orë në det. Kishim pritur në çadër një muaj për momentin më të përshtatshëm për t‘u nisur nga Calaisi ose Dunkriku. Në gomonen me gjatësi 9 metra hypën rreth 80 vetë, të gjithë shqiptarë. Vetëm gjysma prej tyre kishte veshur jelekë shpëtimi. “Kush i merrte? Sigurisht që më i forti. ” – vijon rrëfimin me një buzëqeshje të hidhur, Armando nga Kukësi që është edhe baba i një vajze 2 vjeçare.

“Dallgët dhe era i ndryshonin drejtimin gomones. Familjarët rrinin të ulur në mes, sepse uji që kishte hyrë brenda në gomone dukej më i ngrohtë sesa dallgët dhe era që na godisnin drejt e në kurriz ne të tjerëve që ishim ulur anash.” – tregon ai.

Por motorri ishte tepër i vogël për të përballuar peshën dhe dallgët, ndaj dhe gomonia doli sërish në bregun e Francës. 28 vjeçari që përjetoi këtë udhëtim shpjegon se ishte e pamundur t’i kërkoje llogari trafikantëve të armatosur: “Për ta, ishe vetëm një njeri më pak në gomone!”

“Provuam dhe 2-3 herë të tjera në ditët në vazhdim, sepse kishim kaluar gjithë ato vuajtje, nuk mund të ktheheshe mbrapa”, rrëfen 28-vjeçari i cili pas shumë peripecive, u ndalua nga autoritetet franceze dhe u deportua drejt Shqipërisë duke iu ndalur udhëtimi për një vit në Europë.

“Një ditë atje ishte vuajtje ekstemisht e madhe dhe nuk mund ta merrje atë vuajtje mbrapsht në Shqipëri. Ishte lehtësim të ikje. Rruga për atje është shumë e vështirë. Ata vriten me njëri-tjetrin, kurdët dhe marokenët, ‘këta janë shqiptarët e mi’, na shihnin vetëm si para‘, jo si qenie njerëzore.

Një 24-vjeçar tregon për Faktoje se prej 5 vitesh është përpjekur që të shkojë në Londër, duke përdorur rrugë të ndryshme.

“Kam provuar shumë herë të iki në Angli, me kamion, me traget, me gomone. E kam tentuar në disa shtete, si Belgjikë, Spanjë, Francë, por nuk ia kam dalë.

Është tmerr me ik me gomone. Unë e provova në muajt tetor-nëntor 2022, por na kapi policia. Isha në Dunkirk, aty ku niseshin çdo ditë gomonet me shqiptarë. Trafikimin e bënin kurdët, të cilët mbanin edhe armë me vete, ishte tmerr. Kishe frikë të flisje, t’i pyesja se kur do niseshim, sepse mund të të qëllonin në çdo moment. Ka dhe diçka tjetër, ata nuk preken nga policia franceze, vetëm shqiptarët persekutohen dhe arrestohen”, thotë i riu.

Ai shprehet se në Kukës nuk ka të ardhme, duke kërkuar që të investohet, pasi ndoshta vetëm në këtë mënyrë mund të frenohet sado pak largimi i të rinjve.

Faktoje bisedoi edhe me një grua, e cila ndërmori këtë udhëtim të rrezikshëm bashkë me dy fëmijët e mitur. 29-vjeçarja shqiptare, me origjinë nga Dibra tregoi në një bisedë telefonike me Faktoje se ishte nisur nga Calais në Francë bashkë me fëmijët, 8 dhe 10 vjeç. Nëna e dy fëmijë mbërriti në Londër, ku ka kërkuar azil. 29-vjeçarja është vendosur nga autoritetet britanike në një hotel, ku ka edhe emigrantë të tjerë.

“Pashë reklamat që bëheshin në TikTok dhe mendova të nisesha për një jetë më të mirë. Unë u nisa dhe me 25 gusht mbërrita në Angli. Pagova 8 mijë euro, bashkë me fëmijët. Këto para i mora borxh, sepse nuk kisha”, tregon ajo.

“Rruga me gomone ishte shumë e vështirë dhe me fëmijët edhe më e vështirë. Kemi kaluar tmerr, shyqyr që arritëm shëndoshë”, shprehet nëna e dy fëmijëve.

Sipas të dhënave zyrtare nga Home Office, 35% e numrit total prej 44 mijë personash që kanë kaluar Kanalin anglez me varka të vogla gjatë vitit 2022, janë shtetas shqiptarë, ku shumë prej tyre kanë paraqitur kërkesë për azil. Autoritetet britanike bëjnë të ditur se nuk dihet arsyeja e qartë që mund të ketë çuar në rritjen e numrit të personave të ardhur nga Shqipëria, por në deklarimet e bëra ata janë shprehur se shkak është varfëria, që është shtuar veçanërisht, sidomos pas pandemisë Covid-19.

*Foto kryesore marrë në web

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img