.

.

BallinaUncategorizedLlogaridhënia në sistemin e Prokurorisë – cili është standardi?

Llogaridhënia në sistemin e Prokurorisë – cili është standardi?

Kur kanë kaluar 6 vjet nga miratimi i reformës në drejtësi, Prokurori i Përgjithshëm ka propozuar amendamente për më shumë mekanizma që rregullojnë llogaridhënien dhe performancën në raport me prokuroritë e rretheve dhe drejtuesit e tyre. Qëllimi final, sipas tij, është forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritja e efikasitetit të prokurorive në zgjidhjen e çështjeve dhe problemeve të qytetarëve. Me hartën e re gjyqësore që është në zbatim e sipër, kjo bëhet edhe më e domosdoshme.

Por cili është standardi, në kushtet kur institucionet e reja të sistemit të drejtësisë në vend janë ende në fazë riformatimi? Ndërkohë që reforma në drejtësi ka pësuar disa herë ndryshime, përgjatë vitit 2019, 2020, 2021, mekanizmat e llogaridhënies kanë mbetur në satus quo.

Nga Faktoje

raportimin e përvitshëm përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela risolli në vëmendje disa sfida të institucionit në ushtrimin e kompetencave të tij në raport me pritshmëritë e llogaridhënies.

Të gjithë shohin Prokurorin e Përgjithshëm kur duhet t’i kërkojnë shpjegime, ndërkohë që i vetmi mekanizëm që ka është udhëzimi i përgjithshëm, që në fakt mbart detyrim për ata që duhet ta zbatojnë. – tha Prokurori i përgjithshëm në raportimin përpara Komisionit të Ligjeve të Parlamentit.

Mekanizmi të cilit i referohet Prokurori i Përgjithshëm  në këtë rast janë ‘udhëzimet e përgjithshme’ drejtuar prokurorive të rretheve.

Kushtetuta e detyron Prokurorin e Përgjithshëm të sigurohet për mbarëvajtjen e punës në administratën e prokurorive te rretheve. Por gjatë raportimit në parlament doli në pah “përplasja” e kompetencave mes Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe vetë Prokurorit të Përgjithshëm. Organizimi i administratës së prokurorive është “një patate e nxehtë”, me te cilën nuk duket se kanë dëshirë të merren as ligjvënësit e  as politikbërësit.

Kush duhet të reflektojë?

Nisur nga përvoja e deritanishme si institucion i riformatuar nga reforma në drejtësi, Prokuroria e Përgjithshme kërkon një saktësim të ligjit mbi përfshirjen e saj në “administrimin e prokurorive dhe përgjegjësitë për burimet njerëzore që lidhen me veprimtarinë administrative në prokurori”.

Në optikën e Prokurorisë së Përgjithshme ka një ngërç në  lidhje me vlerësimin e performancës së prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm. Një tjetër pikë e nxehtë që nuk gjen shpjegime në gërmën e ligjit është autoriteti që duhet të jetë përgjegjës për vlerësimin e performancës së prokurorive. Ajo që nuk duhet ngatërruar në këtë rast, sipas ekspertëve ligjorë, është ndryshimi midis vlerësimit të performancës së prokurorive (të rrethit) si organe të pavarura dhe vlerësimit etik dhe profesional të vetë prokurorëve (ky i fundit, kompetencë e KLP-së). 

Fryma e ligjit, gjithsesi i jep mundësinë organeve drejtuese si Prokurori i Përgjithshëm dhe KLP të bashkërendojnë punën për të arritur qëllimin e përbashkët – performancën e duhur të prokurorive. Por ligji mund të marrë ngjyrime të ndryshme gjatë zbatimit, sidomos në rastin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ku tradita e konsoliduar dhe bashkëpunimi institucional mungon, ose lihet në dëshirën e personaliteteve drejtuese.

Një element tjetër në zinxhirin e llogaridhënies së organit të prokurorisë është vlerësimi i performances së drejtuesve të prokurorive, të cilët ligji i ka veshur me një dozë të lartë pavarësie.

A duhet të përfshihet Prokurori i Përgjithshëm ligjërisht në caktimin, vlerësimin,  pezullimin apo shkarkimin e drejtuesve të prokurorisë?

Ekspertë të ligjit bien dakord në një pikë. Ligji për Prokurorinë, në rastin më të keq ka nevojë të lexohet. Në rastin më të mirë, ai duhet t’i nënshtrohet disa amendimeve të natyrës teknike. Këto amendime do krijonin garanci për efikasitetin e mekanizmave llogaridhënës të sistemit të prokurorisë, nga niveli i juridiksionit të përgjithshëm deri tek ai më i lartë i Prokurorirsë së Përgjithshme. Kjo nuk nënkupton prekjen e parimit më të rëndësishëm  të reformës në drejtësi, atë të garantimit të pavarësisë së organit të prokurorisë. 

Erida Skëndaj nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit thekson se me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016, ligjvënësi vlerësoi se ‘ndarja e pushtetit të Prokurorit të Përgjithshëm me KLP do të ndikonte në rritjen e pavarësisë së brendshme të prokurorëve në raport me prokurorët më të lartë dhe të pavarësisë së jashtme të institucionit’.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka gjatë raprotimit që KLP bëri për veprimtarinë vjetore, theksoi nevojën për të garantuar zbatimin e udhëzimeve të Prokurorit të Përgjithshëm, një pjesë e të cilave rrjedhin edhe nga rekomandimet prioritare të Këshillit të Minsitrave.

Në vlerësimin që i bëni prokurorëve për ngritjen në detyrë, një kriter mund të jetë pa diskutim mos-zbatimi i një urdhëri me karakter të përgjithshëm nga kandidatët. Ju prireni nga fakti që nuk është e shkruar në gërmë në ligj, por ligji ka dhe frymë dhe duhet të shkojë drejt parimit të funksionalitetit”. – tha Klotilda Bushka gjatë raportimit të kryetarit të KLP në komisionin e ligjeve.

Në një kohë kur reforma në drejtësi ka arritur në një pikë të pakthyeshme, është e rëndësishme që të gjitha palët të reflektojnë në lidhje me qëllimin e përbashkët – drejtësi sot! Ndaj edhe standardi i pavarësisë dhe llogaridhënies, edhe pse një dimensioni ri, pak i njohur dhe pak i praktikuar nga institutcionet shqiptare, duhet që gradualisht të kthehet në një normë dhe standard që ndjek aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img