Kaos në seancën parlamentare të 2 shkurtit, ku opozita reagoi duke bllokuar foltoren. Shkak u bë delegimi që Kryeministri Edi Rama i bëri interpelancës së kërkuar nga opozita për shpjegimin e takimit të “fshehtë” me ish-shefin e kundërzbulimit amerikan, Charles McGonigal. Ky i fundit u akuzua nga FBI-ja për pastrim parash dhe shkelje të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë. Kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla, njoftoi “zëvendësimin” e kryeministrit Rama me Elisa Spiropalin në procesin e llogaridhënies përpara publikut për këtë çështje. Por Faktoje verifikoi se Rregullorja e Kuvendit nuk e parashikon delegimin e llogaridhënies, që sipas studiuesit Afrim Krasniqi në këtë rast nuk justifikohej me praktikën parlamentare.
Jona Plumbi
A mund të zëvendësojë ministrja Elisa Spiropali kryeministrin Edi Rama në llogaridhënie për takimet “e fshehura” të këtij të fundit ? Ky është thelbi i problemit që përplasi deputetët e opozitës me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla gjatë seancës plenare të 2 Shkurtit.
Siç njoftohej në faqen zyrtare të parlamentit, mëngjesin e së martës rendi i ditës parashikonte një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, të kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike lidhur me informacionin e dalë nga inteligjenca amerikane, FBI se kryeministri është takuar “fshehurazi” me ish-shefin e kundërzbulimit amerikan Charles McGonigal, i akuzuar se ka ndihmuar një oligark rus dhe ka kryer pastrim parash.
Çfarë ndodhi në Kuvend
Sipas njoftimit të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla “kryeministri ia delegoi interpelancën ministres së shtetit Elisa Spiropali”, një gjë që siç e theksoi Nikolla, “ka ndodhur edhe më parë”.
Faktoje verifikoi se edhe pse kjo gjë ka ndodhur më parë, ky delegim nuk parashikohet në asnjë rresht të Rregullores së Kuvendit.
Çfarë thotë Rregullorja e Kuvendit
Vetë shpjegimi i termit “Interpelancë” në rregulloren e Kuvendit tregon se ajo është një kërkesë që i drejtohet Kryeministrit, Zëvendëskryeministrit ose çdo anëtari tjetër të Këshillit të Ministrave, për të marrë shpjegime për motivet, synimin dhe qëndrimin e Këshillit të Ministrave, apo lidhur me aspekte të rëndëishme të veprimtarisë së tyre. [Neni 96]
Por ndërsa fjala “delegim” nuk përmendet në pjesët që shpjegojnë mënyrën e kërkesës dhe zbatimit të këtij instrumenti kontrolli të parlamentit mbi qeverinë, Pika 5 e nenit 96 përcakton se ‘deputeti që ka paraqitur interpelancën flet për 7 minuta maksimumi dhe më pas flet anëtari i Këshillit të Ministrave të cilit i është drejtuar interpelanca.’
Praktika parlamentare
“Praktikë të konsoliduar” e quajti kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla delegimin e dhënies së llogarisë në seancën parlamentare. Në fakt, ky “delegim” ka ndodhur edhe më parë, edhe pse ka hasur kundërshti nga deputetët e opozitës që kanë kërkuar interpelancën.
Për një interpretim më të gjerë të rregullores dhe praktikës së parlamentit, Faktoje pyeti z.Afrim Krasniqi, autor i teksteve akademike mbi sistemet politike. Ai shpjegoi për Faktoje se ky zëvendësim ka ndodhur në praktikën e parlamentit shqiptar, sidomos duke ia deleguar ministres së shtetit për marrëdhëniet me parlamentin. Por kjo mund të ndodhë vetëm kur kryeministri e ka të pamundur të paraqitet dhe kur interpelanca lidhet me një çështe të raportit mes parlamentit dhe qeverisë, thekson Krasniqi.
“Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një problematikë që lidhet me raportin qeveri – parlament, por kemi të bëjmë me një mocion dhe kërkesë për debat me kryeministrin si person, për shkak se në ushtrimin e detyrës së tij si Kryeministër opozita pretendon se ka keqpërdorur postin zyrtar.” – tha Krasniqi.
E deleguara e kryeministrit në këtë rast, ministrja e shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, znj. Elisa Spiropali, nuk është e përfshirë në rastin që është objekt i kërkesës për interpelancë, ndaj dhe nuk mund të japë përgjigje për diçka ku nuk është e përfshirë dhe për të cilwn nuk ka informacion zyrtar, shtjellon më tej studiuesi Afrim Krasniqi.
Përfundim
Interpelanca është një nga mjetet që ligji i jep parlamentit për të mbikqyrur punën e qeverisë dhe për të kërkuar llogaridhënie. Ofrimi i kësaj mundësie për opozitën është detyrim i parlamentit dhe është në funksion të cilësisë së debatit dhe jetës politike e publike, që kur ka akuza për zyrtarë të lartë, ata të jenë transparent dhe të deklarojnë përpara opinionit publik të gjithë informacionin që kanë dhe t’i përgjigjen akuzave që i bëhen, shpjegon Krasniqi.
“Çdo manonvër tjetër, përjashtimi nga rendi i ditës apo praktika devijuese duke deleguar individw të tjerë, vetëm sa krijon tensione politike.” – thekson Krasniqi.
Sipas tij, Kryeministri Rama në rastin konkret nuk e ka ushtruar këtë llogaridhënie para parlamentit dhe opinionit publik, që do të thotë se praktika parlamentare aktuale e ndjekur nuk ofron zgjidhje dhe që debatet politike dhe skandalet do vazhdojnë të jenë ushqim kryesor i politikës në ditët e ardhshme.