.

.

BallinaPremtimeLiteraturë në rusisht dhe laboratore të vjetra, kërkesat e studentëve të Vlorës ende të paplotësuara

Literaturë në rusisht dhe laboratore të vjetra, kërkesat e studentëve të Vlorës ende të paplotësuara

INVA HASANALIAJ

Shqetësimi i një studenti në universitetin Ismail Qemali në Vlorë, zbulon se në degën e inxhinierisë në kohën kur teknologjia përparon vrullshëm, literatura e bibliotekës daton para viteve ’90 me libra në rusisht. Edhe përmirësimi i laboratorëve dhe zhvillimi i praktikës mësimore, janë kërkesa të paplotësuara, sipas studentëve që vjet u përfshinë në protestë.

————————————————————————————————————————————————————

Një muaj më parë në redaksinë e “Faktojes” mbërriti një denoncim nga A.D student i programit Inxhinieri Elektrike në universitetin Ismail Qemali të Vlorës. Ai ishte i shqetësuar për mungesën e literaturës së përditësuar në Bibliotekën e Universitetit dhe pajisjeve në laboratorë. Studenti A.D na dërgoi edhe një listë të shpenzimeve të stafit të Universitetit për udhëtime jashtë vendit dhe karburant për periudhën Janar-korrik 2019, ndërkohë që sipas tij mungojnë investimet si për bibliotekën ashtu edhe për laboratorët.

Pjesë nga biseda me studentin A.D

Nga hulumtimi i Fakotoje për këtë çështje doli se shqetësimi i studentit që i shkruajti redaksisë sonë, përputhet me një nga 5 kërkesat që studentët e Universitetit Ismail Qemali i kanë drejtuar rektorit të këtij institucioni gjatë protestës së dhjetorit 2018, e cila e pati fillesën në Tiranë.

Këto kërkesa janë konsideruar të drejta nga rektori Roland Zisi në një deklaratë për media në 17 dhjetor të vitit 2018.

Roland Zisi: “Senati akademik i shqyrtoi me vëmendje dhe arriti në përfundimin se kërkesat e studentëve janë racionale, konstruktive dhe të drejta.Kështu që për të pesë pikat kanë dhënë përgjigjet mbështetëse dhe senati merr përsipër që të realizojë të gjitha kërkesat që ata studentë kanë paraqitur”.

Çfarë është bërë pas 10 muajsh me kërkesat e studentëve të Vlorës?

Nisur nga denoncimi i studentit dhe deklarata e Rektorit Zisi, ”Faktoje” vendosi të verifikojë se çfarë është bërë më përmbushjen e kërkesës nr5. Fillimisht i dërguam një kërkesë zyrtare Universitetit Ismail Qemali (në datën 16 shtator 2019) për të mësuar sa laboratorë ka universiteti për çdo fakultet, sa është numri i librave që i janë shtuar bibliotekave në fakultete për periudhën janar-korrik 2019. Në përfundim të afatit për kthimin e përgjigjes dhe në mungesë të saj, shkuam te ky universitet. Persona nga zyra e informacionit na thanë se përgjigjia do të kthehej brenda javës, gjë e cila nuk ndodhi edhe pse kanë kaluar më shumë se 3 javë.

“Faktoje” verifikoi nga afër mjediset e bibliotekës që ndodhet në fakultetin ekonomik ku konstatuam se kishte mungesë të theksuar të literaturës, ndërsa ajo pak që biblioteka ofronte ishte në gjuhën ruse, botime të para viteve 90’.

Vetëm për periudhën janar-korrik 2019 shpenzimet për krijim fondi biblioteke nga ky Universitet janë 6,260,234 milion lek. Me gjithë investimet e reja që mund të jenë bërë (gjë për të cilën universiteti nuk ka dhën përgjigje prej 2 muajsh) konstatimi ynë është se të paktën studentëve të Inxhinierisë Elektrike u duhet të mësojnë rusisht për të marrë literaturë mbështetëse për një projekt, apo për t’u konsultuar për temën e diplomës. Ndërkohë përparimi i teknologjisë edhe në fushën e inxhinierisë kërkon literaturë të përditësuar.

“Faktoje” vuri re se edhe për laboratorët, universiteti ka parashikuar shpenzime për pajisje në vlerën 19,827,360 milion lekë, për periudhën janar-korrik 2019. Megjithatë kushtet për të cilat studenti dëshmon tregojnë se të paktën për fakultetin e inxhinierisë në Vlorë nuk janë bërë blerje të reja.

“Faktoje” kontaktoi edhe me studentë të degës së Shëndetësisë në Vlorë për të verifikuar se çfarë është bërë me kërkesën e tyre për përmirësimin e kushteve të praktikës (pika 5 e dokumentit me kërkesa)

  1. L studente e degës Infermieri e përgjithshme viti i tretë, tha për “Faktoje” se gjysma e studentëve të këtij programi e kryejnë ende praktikën të ndarë në dy grupe, njëri në Vlorë dhe grupi tjetër në qytetin e Fierit. Studentja u shpreh se kostot e udhëtimit paguhen nga vetë studentët, të cilët deri tani nuk janë lajmëruar për rimbursim. (Udhëtimi vajtje-ardhje Vlorë-Fier me autobus kushton 300 lekë, ndërsa me furgon 400 lekë)

Një problematikë më vete për studentët e infermierisë është praktika në Spitalet Rajonale, pasi ata nuk shoqërohen nga personeli, por lihen të lirë të mësojnë çfarë të munden.

Pjesë nga biseda me studenten e Infermierisë.

Të gjitha më sipër janë konstatime të bëra në terren dhe bisedat me studentët, pasi Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali” nuk ka kthyer ende përgjigje për pyetjet e “Faktoje” mbi këtë çështje.

Redaksia e “Faktoje” tentoi të kontaktojë rektorin e këtij Universiteti Roland Zisi, përmes të vetmit numër telefoni të publikuar në faqen zyrtare në internet, por askush nuk përgjigjet.

Nisur nga ajo çfarë “Faktoje” gjeti në terren, deklaratën e rektorit Roland Zisi për kërkesën e studentëve për laboratorët dhe praktikën mësimore do ta kategorizojmë si premtim të pa-mbajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img