Nga Sebi Alla Beteja e ashpër nuk bëhet vetem ndërmjet subjekteve kundërshtare politike, por edhe kandidatët mes tyre, pavarësisht se janë në një logo partie apo koalicioni. Komisioni Qendror Zgjedhor publikoi rezultatet përfundimtare në dy zonat ku u votua në mënyrë elektronike, Bashkia Vorë dhe Njësia 10 në Tiranë, ku nga 1282 qendra votimi në Tiranë për 75 prej tyre tashmë ka rezultat përfundimtar edhe për votat e kandidatëve në listat e hapura duke dhënë një pamje më të qartë të votës preferenciale.
PS
Partia Socialiste vijon kryesimin me një trend të qartë duke u luhatur mes shifrave 48-49 për qind, pas saj në Tiranë rendidet PD në shifrat 34-35 për qind dhe tre partite e tjera “Mundësia” e drejtuar nga Agron Shehaj, “Nisma Shqipëria Bëhet“, e drejtuar nga Lapaj-Shabani dhe PSD e Tom Doshit. Mjaft interesante është edhe renditja e kandidatëve që janë në listat e hapura dhe synojnë një vend në Parlament. Befasia ishte në listën e Partisë Socialiste ku Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Goxhja ka siguruar 5080 vota preferenciale, i ndjekur nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj me 1880 vota. Blendi Gonxhja fillimisht ishte i deleguar politik në Dibër, por Rama e riktheu në Tiranë për fushatë dhe duket se të paktën në zonën që mbulonte ka mundur që të dominojë, duke lënë pas edhe senatorët e PS-së, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe dhe Pandeli Majko.
Në “lojë” dhe me avantazh në krahasim me të tjerët më poshtë, është Erion Braçe i cili renditet i treti me 912, i ndjekur nga ministri aktual i Brendshëm Ervin Hoxha me 615 vota, më pas Orlando Rakipi 569 vota dhe Xhemal Qefalia me 351 vota. Duke parë rezultatet në Qarkun Tiranë, si subjekte politike, PS vërtitet nga 19-20 mandate dhe kjo ka rritur pritshmëritë në pjesën e listës së hapur për të zenë 6-7 mandate që do të përcaktohen nga vota preferenciale e listës së hapur. Një fakt tjetër në listën e PS-së është se në gjashtë emrat e parë nuk ka asnjë grua, duke ia lënë “domenin” burrave të cilët duket se kanë bërë një fushatë mjaft intensive brenda PS-së, me strukturat dhe votuesit.
PD
Ndërsa Partia Demokratike dhe Koalicioni “Shqipëria Madhëshore” deri më tani ka të siguruara 12 vendet në listat e mbyllura, votat që numërohen japin shpresë për opozitën që mund të shkojnë nga 13-14 mandate, duke rritur pritshmëritë që një ose dy kandidatë në listat e hapura mund të sigurojë një vend në Parlament. Nga votat e numëruara deri më tani mjeku Ilir Alimehmeti ka mundur të sigurojë 1115 vota, e ndjekur nga Jorida Tabaku me 996 vota dhe Myslym Murrizi me 761 vota.
“Nisma Shqipëria Bëhet”
Nga votat preferenciale të numëruara deri më tani për 75 kuti, Adriatik Lapaj ka marrë 253 vota preferenciale i ndjekur nga Endrit Shabani me 128. Votat preferenciale do të jenë vendimtare për “Nismën Shqipëria Bëhet”, pasi kandidatët e saj janë në listat e hapura dhe nëse subjekti siguron mandatin e deputetit do të merret në konsideratë vota preferenciale.
“Koalicioni Euro Atlantik”
Ish-kryetari i PD-së Lulzim Basha, në këto zgjedhje doli me siglën e “Koalicionit Euro Atlantik”, por votat e numëruara deri më tani në Qarkun Tiranë nuk i japin shpresa për një mandat deputeti. Gjithsesi edhe në votën preferenciale nga 75 kutitë e numëruara, Basha renditet i dyti mes të vetëve ku ka marrë vetëm 45 vota dhe para tij ndodhet Eduard Kelmendi me 90 vota.