Një marrëveshje mes Shqipërisë dhe RMV 15 vite më parë, synonte ruajtjen dhe parandalimin e ndotjes së ujërave në liqenin e Ohrit. Nga kërkimet e Faktoje dhe vëzhgimi në terren, konstatuam se të paktën për palën shqiptare, ndotja e liqenit nuk është ndalur. Në Ohër vazhdojnë të derdhen ujërat e zeza, mbetjet minerare dhe ato urbane. Nga pala maqedonase u informuam se marrëveshja e viti 205 nuk është më e vlefshme.
Në vitin 2005 Shqipëria ka ratifikuar ligjin Nr. 9347 mbi marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës të Maqedonisë, për mbrojtjen dhe zhvillimin e qëndrueshëm të liqenit të Ohrit dhe të pellgut të tij ujëmbledhës.
Sipas marrëveshjes në fjalë secila palë angazhohet ë marrë masat e nevojshme, individualisht ose në bashkëpunim:
a) për të parandaluar, kontrolluar dhe pakësuar ndotjen e ujërave në pellgun ujëmbledhës;
b) për të mbrojtur tokën nga erozioni, varfërimi, infeksionet dhe ndotjet;
c) për të ruajtur biodiversitetin, duke mbrojtur sidomos speciet endemike, të rralla, të kërcënuara apo të rrezikuara të florës dhe faunës;
d) për të parandaluar futjen dhe riprodhimin e specieve, bimëve dhe kafshëve joautoktone;
e) për të siguruar përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore të pellgut ujëmbledhës.
Çfarë ka ndodhur 15 vjet pas kësaj marrëveshje që kishte qëllim ndalimin e ndotjes së ujërave të Ohrit?
Faktoje komunikoi me bashkinë e Pogradecit për të mësuar gjendjen aktuale mjedisore të liqenit të Ohrit.
Në përgjigjen e saj bashkia konfirmon se ka ende problematika, sa i përket derdhjes së mbetjeve nga aktivitetet minerare.
Bashkia konfirmoi gjithashtu se vijojnë të derdhen ujëra të zeza nga subjektet tregtare buzë liqenit, për të cilat, po sipas këtij konfirmimi janë marrë masa administrative.
Nga kërkimet tona gjetëm se në “Planin e Menaxhimit për Peizazhin e Mbrojtur të Pogradecit 2017-2027” mes objektivave të vendosur është edhe monitorimi i cilësisë së ujrave nga të dyja palët, si ajo shqiptare ashtu edhe maqedonase.
Marrëveshja në fjalë do të lidhej mes Institiutit Hidrobiologjik të Ohrit dhe Ministrisë së Zhvillimit Urban (Sot Ministria e Energjisë). Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion në këtë institucion për të mësuar se çfarë ishte bërë me këtë marëveshje dhe përgjigja që morëm ishte si më poshtë:
Ky institucion, i cili pohon se kjo çështje nuk është në fushën e vet të përgjegjsisë, na sugjeroi t’i drejtoheshim Agjencisë Mjedisore të Burimeve Ujore. Ne iu drejtuam kësa agjencie, por ende nuk kemi marrë një përgjigje.
Hapi i radhës ishte verifikimi në terren i gjendjes mjedisore të liqenit të Ohrit, të paktën sa I përket Shqipërisë. Në hyrje të Pogradecit na priste kjo pamje:
*Në hyrje të Pogradecit, nëntor 2020
*Mbetje minerare pranë Liqenit të Ohrit, nëntor 2020
*Mbetje minerare të depozituara në liqenin e Ohrit
Dukshëm, mbetjet minerare vazhdonin dhe hidheshin fare pranë ose edhe brenda në Liqen. Pamja e ujit i cili kishte marrë ngjyrë të kuqërremtë dëshmon ndotjen e pandalshme.
*Ujërat e zeza që derdhen në Liqenin e Ohrit, Pogradec nëntor 2020
*Mbetje urbane të hedhura në liqenin e Ohrit
Përveç ndotjes që dallohej me sy të lirë, në zonën pranë liqenit kishte një erë të padurueshme për shkak të ujërave të zeza që derdhen aty.
Në mungesë të një përgjigjeje nga autoritetet mjedisore, ne pyetëm një ekspert për çështjet e mjedisit se çfarë pasojash po shkakton ndotja e pandërprerë e Liqenit të Ohrit, Aleko Miho, profesor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë u shpreh se aktivetetet minerare, guroret etj. janë të ndaluara brenda kufirit të zonës së mbrojtur.
“Edhe kur ato janë jashtë kufirit të zonës së mbrojtur, përsëri mund të ndikojnë ekologjikisht tërthorazi në cilësinë e ujërave të Liqenit. Shpesh hapësirat e zhveshura rreth minierave ose guroreve shpëlahen nga ujërat e shiut; të cilat mblidhen në rrëke të vogla, pastaj në përrenj dhe shkojnë në Liqen. Këtu ndikimi negativ është nga erozioni, pra nga shpëlarja e tokës dhe shtimi i lëndëve të ngurta pezull në ujërat e Liqenit; kjo shkakton turbulli në ujërat bregliqenore, uljen e tejpamjes së ujërave; kjo është tepër e dëmshme për botën e gjallë në Liqen, sidomos për peshqit, molusqet etj”- u shpreh profesor Miho për Faktoje.
“Faktoje” komunikoi edhe me kolegë nga pala maqedonase për të mësuar mbi menaxhimin e përbashkët dhe efektivitetin e marrëveshjeve për mbrojtjen e ujërave të liqenit të Ohrit, por mësuam se ato nuk janë më të vlefshme.
Nga verifikimet e Faktoje këtë artikull do ta kategorizojmë Premtim të Pambajtur pasi marrëveshja e nënshkruar nuk është zbatuar.