.

.

BallinaFaktometerE vërtetëLibrat e shpërndarë falas për arsimin bazë janë të papërdorshëm, prindërit po i blejnë

Librat e shpërndarë falas për arsimin bazë janë të papërdorshëm, prindërit po i blejnë

Viti i ri shkollor do të nisë me libra të vjetër për mijëra nxënës të arsimit 9-vjeçar. Ky shqetësim u ngrit së fundmi edhe nga Partia e Lirisë, nëpërmjet pedagoges Miranda Rira. I njëjti informacion konfirmohet për Faktoje edhe nga prindër të nxënësve të arsimit bazë. Ata tregojnë se po enden dyerve të librarive, në kërkim të teksteve të reja shkollore.

Partia e Lirisë, nëpërmjet pedagoges Miranda Rira deklaroi se nxënësit janë pajisur me libra të vjetër dhe të shkarravitur.

“Ky është një tekst i gjuhës shqipe është i shkatërruar. Teksti është i plotësuar me laps ose stilolaps dhe shumica e faqeve janë jo vetëm me shënime, por dhe me vlerësime nga mësuesit…Para se ministrja të dalë e të thotë arsimi falas unë u them: Ku e kanë arsimimin falas, kur librat janë në një dëmtim të plotë. Si mundet një fëmijë në klasën e 3 të mësojë me një libër me shkarravina dhe prindërit detyrohen t’i blejnë?!”  deklaroi Rira më 9 shtator.

Screenshot, testi i Gjuhës së klasës së tretë, denoncuar nga zonja Rira

Reagimi i përfaqësueses së PL erdhi dy ditë pas deklaratës së ministres së Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi e cila bëri këtë postim:

“Këtë vit shkollor vazhdon angazhimi ynë që në arsimin bazë të gjithë nxënësit nga klasa 1-9 të kenë tekstet shkollore falas. Përfitues të kësaj skeme mbështetëse nga Qeveria Shqiptare janë edhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta në arsimin e mesëm të lartë”, theksoi Kushi.

Screenshot postimi i ministres Evis Kushi

Por, si është realisht situata me librat në prag të nisjes së vitit të ri shkollor? Faktoje bisedoi me prindër, të cilët na konfirmuan se po enden dyerve të librarive për të blerë libra të rinj për fëmijët e tyre, pasi tekstet shkollore që kanë marrë falas, nuk mund t’i përdorin. Sipas prindërve, librat janë të shkarravitur, të dëmtuar dhe është e vështirë që nxënësit t’i fshijnë të gjitha dhe t’i ripërdorin.

“Po kërkojmë nëpër librari tekstet e reja për fëmijët. Librat e vjetër nuk mund t’i përdorim, sepse janë të gjitha të plotësuara. Është e pamundur për fëmijën që t’i fshijë, plus që ngelet shenjë. Kjo e dëmton më shumë fëmijën, sepse nëse i ka gati ushtrimet bëhet dembel dhe nuk mëson gjë”, tregon prindi i një fëmije të klasës së katërt në një prej shkollave publike në Tiranë.

Një tjetër prind shton: “Mësuesja na ka dërguar një mesazh, ku na informon se mund të paraqitemi në shkolla për të marrë falas tekstet e përdorura. Është në dëshirën tuaj nëse doni t’i blini të reja”.

Librat që kanë marrë për përdorim nxënësit për vitin shkollor 2022-2023

Problemi i teksteve të përdorura u ngrit si shqetësim nga Faktoje edhe në muajin korrik. Faktoje raportoi se nxënësit e arsimit bazë do t’i rikthehen mësimit me libra të përdorur, edhe pse në programin qeverisës 2021-2025 parashikohet pajisja me libra të rinj falas. Këtë e konfirmuan prindër të nxënësve në disa shkolla 9-vjeçare të Tiranës, dhe vetë Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar. Vitin e kaluar, që përkoi me zgjedhjet e përgjithshme, qeveria u tregua dorëlëshuar duke shpërndarë libra falas për nxënësit deri në klasën e 9. Mirëpo sipas përgjigjes zyrtare nga DPAP për Faktoje, librat që shpërndahen falas për nxënësit e arsimit bazë do të ripërdoren deri në tre vite, në varësi të gjendjes së teksteve, duke devijuar kështu nga VKM e vitit 2019 që përcakton se nxënësit nga klasa e 1-5 duhet të kenë në përdorim tekste të reja.

Në gusht të vitit 2020, kryeministri Edi Rama njoftoi se klasat e arsimit fillor nga e para deri tek e nënta do të përfitonin libra falas.

Nisur nga verifikimi i kryer vendoëm që deklaratën e përfaqësueses së Partisë së Lirisë, Rira ta kategorizojmë të Vërtetë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img