Verën e kaluar, kryeministri Edi Rama u la tre muaj kryebashkiakëve për të ngritur zyra të posaçme legalizimesh në çdo bashki. Ai kërkoi përshpejtim të procesit me stafe të dedikuara që do të ishin në ndihmë të qytetarëve. Një vit më vonë, në një mbledhje të ngjashme, rezultoi se 46 bashki ende nuk e kanë përmbushur këtë detyrim.
Esmeralda Topi
Që prej qershorit të shkuar, bashkitë kanë marrë zyrtarisht një rol të ri për t’i dhënë shtysë procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje. Vendimi i qeverisë përcakton rregullat e bashkëpunimit mes bashkive dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës duke u dhënë palëve rol koordinues në funksion të përmbylljes së legalizimeve.
Bashkitë kanë detyrim ngritjen e zyrave të posaçme me staf të dedikuar, pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi me Kadastrën.
“…Procesi do të udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar që ju do të krijoni deri në muajin shtator, kur ky proces do të fillojë”, deklaroi kryeministri Edi Rama, verën e kaluar gjatë një takimi me kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Procesi që duhet të niste zbatimin prej muajit shtator, do të kontrollohej nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, pasi palët kanë detyrimin për t’i raportuar çdo muaj.
Fakt
46 bashki ende nuk kanë caktuar staf të dedikuar, e as kanë ngritur zyra të posaçme për legalizimet, një detyrim që duhej të ishte përmbushur një vit më parë.
Në një mbledhje të zhvilluar një vit më pas, me të njëjtët aktorë institucionalë, Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, bëri një përmbledhje të ecurisë. Ai tha se të gjitha bashkitë kanë nënshkruar marrëveshjen me ASHK-në, por vetëm 14 prej tyre kanë firmosur aneksin që përcakton tipologjinë e bashkëpunimit. Ndërkohë, Malësia e Madhe nuk figuron tek harta e bashkëpunimit të bashkive me ASHK-në.
“Kemi një seri bashkish që akoma nuk kanë aneks. Dhe ato që s’kanë aneks, janë tipikisht edhe ato që nuk kanë caktuar staf për këtë çështje”, deklaroi Mazniku.
Ecuria e dobët e këtij procesi u faktua fundvitin e kaluar nga një hulumtim i Faktoje.al. Të dhënat e siguruara përmes ligjit “Për të drejtën e informimit” vërtetuan ecurinë e dobët të procesit. Deri në tetor të 2024, 16 bashki nuk kishin nënshkruar as marrëveshjen e bashkëpunimit me ASHK-në, siç kërkon VKM-ja.
Legalizimet, roli i bashkive me rëndësi
Agron Haxhimali nga Instituti i Bashkive e sheh me rëndësi përfshirjen e bashkive në procesin e legalizimeve. “Është kërkuar vazhdimisht nga bashkitë që të kenë rol në këtë proces. Në thelb të këtyre ndryshimeve qëndron interesi për ta përshpejtuar procesin”, thotë ai.
Haxhimali shton se veç rolit koordinues bashkitë duhet të ushtrojnë presion edhe tek Agjencia Shtetërore e Kadastrës. “Agjencia e Kadastrës ka monopolin për certifikimin final, për çdo rast që mendojnë se dosja është korrekte dhe zvarrijet janë të pajustifikuara”, shprehet ai.
Ligji parashikon dhjetorin e vitit 2028 si afat për përfundimin e procesit të legalizimeve të ndërtimeve pa leje në Shqipëri.
Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se procesi i legalizimeve do të udhëhiqej nga bashkitë, me një staf të dedikuar deri në muajin shtator 2024 e kategorizojmë të pavërtetë.