Foto e marre nga LSA

Nga Sebi Alla – Vetëm 20 minuta zgjati prezantimi i dokumentit më të rëndësishëm që vendos në peshore premtimet, realizimet dhe llogaridhënien, para institucionit më të rëndësishëm kushtetues, Parlamentit të Shqipërisë.

Me shumë nxitim mes kaosit kur tre deputetë të opozitës hodhën në shenjë proteste rregulloren e Kuvendit drejt Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë, u hap votimi dhe në 99 sekonda shumica vendosi me 82 vota pro të miratohej programi qeverisës dhe përbërja e kabinetit.

Ministrja imagjinare

Në foltoren e Kuvendit, Rama u kujdes që gjysmën e fjalimit të tij ta prezantonte virtualja Diella, ministrja imagjinare, përgjegjësinë e së cilës me dekret presidencial e mban vetë kreu i qeverisë.

Ajo është avatari i “e-albania” platforma e shërbimeve online, të cilën kreu i qeverisë e ka prezantuar si “Ministria Virtuale e Inteligjencës Artificiale” dhe e përshfaqi në dy monitorë të vendosur specifikisht në Kuvend për “fjalimin” e ftohtë të saj, madje edhe ta cilësonte veten si kushtetuese. “Kushtetuta flet për institucione që i shërben njerëzve ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak.

Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër. Unë ju siguroj këto vlera i mëshiroj po aq rreptësisht sa çdo koleg njeri ndoshta edhe më shumë”, tha ministrja imagjinare.

Kjo formë solli reagimin e opozitës dhe veçanërisht të dy deputetëve të saj, Gazmend Bardhi dhe Klevis Balliu që hodhën në shënjë proteste rregulloren e Kuvendit drejt kryeministrit, anëtarëve të kabinetit dhe kreut të Kuvendit.

Pasoja? Kryeministri Edi Rama la foltoren dhe me kërkesë të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, brenda 1 minute e 39 sekondash kaloi me 82 vota pa debate, diskutime dhe sugjerime programi i qeverisë dhe përbërja e kabinetit.  

Opozita dhe “paralajmërimi” i Ramës

E ndodhur përballë faktit të kryer, ku forca e kartonit tashmë i ka dhënë legjitimitetin e fundit procedurial qeverisë dhe programit të paraqitur, opozita u rikthye në skenarin e saj të vjetër: konferenca shtypi nga selia dhe jashtë sallës së parlamentit.

“Ky është kryehorri i kombit dhe kombi duhet t’i japë përgjigjen që meriton. Përgjigja është ajo që meritojnë të gjithë kryehorrat e kombeve…Ai i vuri drynin Parlamentit brenda 5 minutave”, tha kryetari i PD-së Sali Berisha para gazetarëve.

Pak kohë më vonë pati qëndrim edhe kreu i qeverisë i cili paralajmëroi opozitën se nëse do të vijojë që në Parlament të shkaktojë kaos, duke kapërcyer sipas tij “kufirin normal”, do të kalojnë menjëherë në votim. “… shkelja e atij kufiri, për të vazhduar avazin e traditës anti-demokratike të pengmarrjes së Kuvendit me veprimtari të papërshtatshme fizike apo me piskama ofenduese, do të çojë automatikisht në hapjen e procesit të votimit dhe përfundimin e parakohshëm të seancës”, shkroi Rama në rrjetet sociale.

Përfundimi

Seanca e sotme shënoi “rekord”, pasi në 34 vite pluralizëm politik, në asnjë rast nuk është mbyllur pa fjalime, debate dhe diskutime programi qeveritar dhe votimi për qeverinë e re.

Në pak minuta u mbajtën vetëm dy fjalime, nga kryeministri dhe “ministrja imagjinare”, ndërsa opozita ndoqi ritualin e zakonshëm të pesë viteve të fundit: ngritje zeri në parlament, tentativë për shkaktim incidentesh dhe dalje nga Parlamenti nën kërcënimin për revolta.

“20 minuta show, vetëm 8 minuta fjalë, incidente dhe qeveria kalon pa debat, pyetje dhe diskutime, ndërkohë që në Kuvend eksperimentohet me teknologjinë.

As eksperimenti ‘Diella’, as mungesa e debatit parlamentar, as incidentet banale, as fjalori i ashpër, as Kushtetuta e hedhur në ajër dhe votimi për një program që nuk u paraqit, pra, absolutisht asgjë, – nuk ishte dhe nuk është në përputhje me procedurën, etikën, rregulloren dhe normat kushtetuese”, shkruan Drejtori i ISP, Afrim Krasniqi.

Mocion për Peleshin

Ndërkohë, PD-ja mblodhi grupin me një kërkesë konkrete kundër kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.  

“Grupi parlamentar ka vendosur nisjen e procedurave parlamentare, mocionit për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për shkak se është një kukull që urdhërohet nga Rama dhe është një njeri i marrë peng për shkak të aferave të tij me Klodian Zoton”, tha kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi.

Ky i fundit kërkoi gjithashtu përsëritje të seancës së sotme dhe i bëri thirrje Presidentit Begaj të mos thërrasë për betim ministrat.