Kushtetuesja rikthen në detyrë Belinda Ballukun

Gjykata Kushtetuese caktoi datën 22 janar për shqyrtim në themel të çështjes, deri në atë kohë, Balluku mbetet në detyrë

57
Foto nga LSA

Sebi Alla Gjykata Kushtetuese vendosi me pesë vota pro dhe tre kundër që të kalojë për shqyrtim ankesën e kryeministrit Rama, kundër vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku. Kushtetuesja vendosi: “…Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Në këtë mënyrë, Belinda Balluku rikthehet në detyrë përkohësisht, duke pritur vendimin përfundimtar që pritet të merret më datë 22 janar të vitit të ardhshëm.

Gjykata vendosi: “…Me shumicë votash, pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese ‘Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik’ ndaj shtetases Belinda Balluku”, thuhet në njoftimin zyrtar të gjykatës.

Vendimi i GJKKO-së

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më 20 nëntor vendosi të pranojë kërkesën e SPAK që kërkonte masën pezullim nga detyra dhe ndalim për daljen jashtë vendit të numrit dy të qeverisë. Balluku akuzohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrëve në tendera ose ankande publike”, konkretisht për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe. Prokuroria e Posaçme dyshon se ministrja Balluku ka ndikuar në paracaktimin e kompanive fituese për ndërtimin e dy veprave publike. Bashkë me të nën akuzë për të njëjtën vepër penale janë ish-kreu i ARRSH-së Evis Berberi, pasuesi i tij në këtë detyrë, Gentian Gjyli dhe ish-kreu i KESH Erald Elezi, dy të fundit anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave për të dyja çështjet.

Ankimimi

Një ditë pas publikimit të vendimit të GJKKO-së, për pezullimin nga detyra të Ballukut, kryeministri Edi Rama dërgoi ankesë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se ka ndërhyrje në kompetenca dhe ndarje të pushteteve me arsyetimin se pezullimi apo shkarkimi i një anëtari të kabinetit qeveritar bëhet vetëm nga kryeministri.

Gjithashtu, një tjetër pikë që qeveria pretendon se bie ndesh me Kushtetutën, sipas tyre, është se ministri gëzon imunitetin e deputetit dhe si i tillë nuk mund të merret asnjë masë shtrënguese pa marrë më parë aprovim nga Parlamenti. Megjithatë, në arsyetimin e vendimit të GJKKO-së thuhet se masa e “pezullimit nga detyra” është e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale.

Me vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese çështja do të shqyrtohet në themel më 22 janar dhe janë ftuar të gjithë palët e interesuara si qeveria, presidenca, Kuvendi, SPAK dhe GJKKO për të parashtruar pretendimet e tyre.