Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar kundër Dezinformimit, Erion Braçe, tha të enjten se, komisioni (që ai drejton) përcolli një mesazh të qartë politik: “Lufta kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj keqdashëse është tashmë prioritet kombëtar, që kërkon vëmendje të veçantë në nivelin më të lartë legjislativ”.
Braçe e cilësoi një sfidë. që asnjë vend nuk mund ta përballojë i vetëm. Ndaj, sipas tij, kërkohet bashkëpunim ndërkombëtar dhe ndërtim aleancash të reja.
Dokumenti strategjik i miratuar në komision nga deputetët e mazhorancës (opozita nuk merr pjesë), sipas Braces, shënon një tjetër hap drejt mbrojtjes së interesave kombëtare dhe stabilitetit demokratik përmes masave të koordinuara dhe mekanizmave të përforcuar institucionalë.
Skanimi i Bizneseve
Në hartimin e dokumentit strategjik që synon luftën kundër ndërhyrjeve të huaja keqdashëse dhe dezinformimit morën pjesë aktorë institucionalë, por edhe ekspertë të jashtëm, një prej tyre edhe Arben Malaj. Ky i fundit tha gjatë mbledhjes së komisionit se, përveç krijimit të një kuadri ligjor dhe institucional, i cili, sipas tij, duhet të jetë funksional dhe jo mbivendosës, nevojitet fokus konkret në identifikimin e burimeve të mundshme të ndikimeve të jashtme dhe financimeve të dyshimta.
Precedenti
Në këtë kontekst, Malaj vlerësoi të rëndësishme skanimin e bizneseve, që veprojnë në fusha delikate si: ndërtimi dhe lojërat e fatit.
Një nga rastet që ai përmendi (pa emër) ishte ai i një organizate të shpallur terroriste nga Presidenti Donald Trump, e cila, sipas tij, dyshohet se është futur në Shqipëri përmes një biznesi shqiptar.
“Rasti më konkret është rasti i akuzave për një organizatë terroriste e cila ka hyrë në Shqipëri nga një biznes shqiptar, por në të njëjtën kohë është shpallur nga Presidenti Trump si organizatë terroriste”, tha eksperti i ekonomisë Arben Malaj
Ky precedent, sipas Malajt, nënvizon nevojën për kontrolle të thelluara në ato sektorë ku dyshohet për ndikime të dyshimta dhe flukse të paqarta financiare.
Domosdoshmëria
Që do të thotë jo vetëm një veprim automatik i skanimit të bizneseve problematike, por edhe një instrument sigurie shtesë, në një kohë kur dezinformimi dhe ndërhyrjet e jashtme po shihen si kërcënim për institucionet dhe demokracinë
“Bizneset aktuale që janë në fushën e lojërave të fatit dhe në ndërtim aty ku ka, se nuk duhet t’i biem në qafë askujt kot, aty ku ka flamuj të kuq të ngritur, duhet të skanohen dhe ta mbrojmë ekonominë tonë nga paratë kriminale”, tha Malaj.
Ai i qëndron postulatit se, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm nëse tolerohet paraja kriminale
“Pra, në këtë rast nuk po mbrojmë ekonominë, por po mbrojmë të ardhmen e një vendi dhe po mbrojmë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe kjo do të jetë kategorike”, tha ai