Kush fiton më 11 maj? Mandatet e partive sipas sondazheve të fundit

Nga projeksionet PS rezulton forcë e parë, opozita fituese në tre qarqe, partitë e vogla futen në Kuvend

181

Sa mandate mund të marrin partitë në zgjedhjet e 11 majit? Faktoje.al në bashkëpunim me ekspertin e ekonomisë, Ilir Brasha, sjell një projeksion të dytë për të kuptuar se si do të shpërndahen mandatet, bazuar në matjet finale të sondazheve të Barometrit dhe Notosontaggi (duke qenë se në lojë janë edhe parti të reja), me votat reale të fituara nga partitë kryesore në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Pse jo lokalet e 2023? Sepse ato nuk ofrojnë një pasqyrë të saktë të mbështetjes për partitë në nivel kombëtar.

Mandatet

Nga përllogaritjet e ekspertit Brasha rezulton se Partia Socialiste arrin të ruajë shumicën parlamentare për të qeverisur me 74 mandate

Gjithnjë sipas projeksioneve, PD- Koalicioni për Shqipërinë Madhështore arrin të sigurojë 50 mandate.

Partitë e reja ashtu si edhe në projeksionin e kaluar sigurojnë përfaqësim në Kuvendin e ardhshëm.

Ndryshimi kësaj here prek partinë “Mundësia” që sipas përllogaritjeve të ekspertit Brasha ajo rritet në numër mandatesh (nga 2 në 8 mandate) dhe tkurret koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet (nga 8 në 6). Sipas përllogaritjeve paraprake partia “Mundësia” në projeksion arrin 8 mandate në zgjedhjet e 11 majit, ndjekur nga Nisma Shqipëria Bëhet me 6 mandate, Lëvizja Bashkë me 1 mandat dhe Partia Social Demokrate me 1 mandat.

PSD

Nga përllogaritjet e deritashme PSD rezulton me një mandat. Eksperienca ka treguar se kjo forcë politike nuk ka rezultuar e rëndësishme në sondazhe as në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por në fund fitoi tre mandate deputeti.

E njëjta situatë, sipas ekspertit Brasha, pritet që të ndodhë edhe këto zgjedhje, ku PSD për shkak të votave të përqendruara mund të fitojë mandate deputeti më shumë se sa parashikohet  

Tirana

Sipas projeksioneve (përgatitur nga eksperti Brasha), ndarja në qarkun e Tiranës është 18 mandate për Partinë Socialiste, 13 mandate për PD-ASHM, 3 mandate “Mundësia”, 2 mandate Nisma Shqipëria Bëhet, si dhe një mandat Lëvizja “Bashkë”. Një mandat mund të fitojë në Tiranë edhe Partia Social-Demokrate.

Referuar projeksioneve PD-ASHM kryeson vetëm në qarqet e Kukësit, Lezhës dhe Shkodrës, ndërkohë që në të gjitha qarqet e tjera kryesuese është PS-ja.

Tabela e projeksionit te mandateve (per dy skenaret) pergatitur nga eksperti Ilir Brasha

Skenari i dytë

Skenari i dytë i cili paraqet edhe mundësitë e lëvizjes së mandateve të deputetëve na tregon se PS-ja mund të fitojë 72 mandate, duke siguruar përsëri shumicën parlamentare e vetme. Ndërkohë PD-ASHM siguron po njësoj 50 mandate. Partitë e reja sigurojnë sëbashku 18 mandate.

QarkuFitonHumbet
TiranëNSHB ose PSDPS ose PD-ASHM
FierNSHBPS
DurrësPS ose MundësiaPD-ASHM
KorçëPD-ASHMPS
VlorëNSHBPS

Diaspora jashtë 

Projeksionet janë bazuar vetëm në votat e qytetarëve brenda vendit dhe nuk përfshihen emigrantët, që janë element i ri këto zgjedhje. Eksperti Ilir Brasha sqaron se votat e emigrantëve janë shumë të rëndësishme dhe mund të ndikojnë qartazi në shpërndarjet e mandateve midis partive, sidomos në ndarjen e mandatit të fundit.

Rezultatet

Këto rezultate paraqesin vetëm një projeksion se si mund të shkojnë zgjedhjet e 11 majit, duke u bazuar në një metodologji të caktuar. Që do të thotë se ato përfundimtaret mund të ndryshojnë për shkak se edhe dinamikat janë të ndryshme.