Vizita e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Bosnjë dhe Hercegovinë më 6 dhjetor 2024 solli reagime të ashpra, por edhe kërcënime si nga Presidenti i Republikës Serpska, Millorad Dodik ashtu edhe nga zyrtarët në Beograd. Zyrtarët serbë përcollën shqetësim rreth vizitës, duke sugjeruar madje se ajo mund të ndikojë në njohjen e integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës nga Serbia. Vizita u pa si potencialisht destabilizuese për marrëdhëniet rajonale, me udhëheqjen serbe e cila nënvizoi se takimi binte në kundërshtim me natyrën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis Serbisë dhe BiH. Për të kuptuar gjithë narrativën e krijuar se vizita e Kurtit po sillte destabilitet në rajon, fillimisht duhet të shkojmë më thellë tek historia e marrëdhënieve mes dy vendeve
Bosnjë dhe Hercegovina
Prej nëntorit 1995, Bosnje dhe Hercegovina funksionon si shtet i përbërë nga dy entitete (që kur u arrit Marrëveshja e Dejtonit e cila i dha fund luftës gati 4 vjeçare). Federata e Bosnje-Hercegovinës e populluar nga kroatët dhe boshnjakët dhe Republika Srpska e populluar nga serbët.
BiH funksionon me një qeveri qendrore, me një presidencë 3 palëshe me rradhë midis boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve.
Që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës (2008), përveç Serbisë në rajonin e Ballkanit, shtetin e ri nuk e njeh edhe Bosnjë e Hercegovina.
Kjo për shkak të Republikës Serpska. Presidenti i saj Millorad Dodik nuk e njeh Pavarësinë e Kosovës, madje prej vitesh kërcënon me ndarjen e Bosnje Hercegovinës dhe bashkimin e Republikës Serpska me Serbinë. Dodik është sanksionuar nga SHBA për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Por pavarësisht problematikës në raportet mes Prishtinës dhe Sarajevës në epokën e pas luftës në të dy vendet, sot janë qytetarët kosovarë dhe ata boshnjakë që e vuajnë më shume këtë situatë pasi nuk mund të lëvizin me karta identiteti edhe pas marrëveshjes së firmosur në kuadër të procesit të Berlinit (Marrëveshja për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, që në muajin nëntor shënoi 2 vjetorin).
Autoritet kosovare kanë raporte e takime me drejtuesit boshnjakë dhe kroatë të Presidencës së Bosnjë Hercegovinës, por jo me atë serb.
Vizita
Vizita e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në BH në 6 dhjetor 2024 solli reagime të ashpra, por edhe kërcënime si nga Millorad Dodik ashtu edhe nga zyrtarët në Beograd.
Kurti takoi dy anëtarët e Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës (anëtarin kroat, Zhelko Komshiq dhe atë boshnjak, Denis Beqiroviq), si dhe kryeministrin e Federatës së Bosnje e Hercegovinës. Ata e falenderuan Kurtin për vendimin e njëanshëm të Kosovës sipas të cilit nga 1 janari 2025 shtetasit e Bosnje dhe Hercegovinës do të mund të udhëtojnë me letërnjoftim biometrik duke hequr kështu regjimin e vizave.
Për shkak të vizitës së Kurtit në Sarajevë, më 5 dhjetor ministrat nga Republika Sërspak thanë se nuk do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës. Kryeministri kosovar nuk zhvilloi takim me anëtaren serbe të Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, kryesuesen Zhelka Cvijanoviq.
Bllokimi që Republika Serpska i ka bërë Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor i ka penalizuar qytetarët e të dy vendeve.
Prishtina e ka ratifikuar e para, kurse BiH jo. Pas kësaj vizite të Kurtit, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Djuric reagoi ashpër. Ai tha se pritja zyrtare që iu bë Kurtit nga dy anëtarë të presidencës (kroati dhe boshnjaku), shkon kundër parimeve të fqinjësisë së mirë dhe respektit reciprok mes Serbisë dhe Bosnjes dhe ka gërryer bazat e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Zyrtarët serbë shkuan deri aty sa deklaruan se vizita e Kurtit, mund të ndikojë në njohjen e integritetit territorial të Bosnje-Hercegovinës nga Serbia.
Paralajmërimet nuk pinë ujë. Prishtina në anën tjetër zyrtarizoi premtimin e Kurtit për normalizimin e raporteve me Sarajevën.
Vendimi
Mbrëmjen e së enjtes 12 dhjetor 2024, qeveria “Kurti” mori vendim, që nga 1 janari qytetarët e BiH të lëvizin vetëm me karta identiteti drejt Kosovës.
Gjatë vizitës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kurti bëri homazhe pranë Memorialit të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës, për të nderuar 1.601 fëmijët e vrarë nga forcat serbe në vitet 1992-1996.
Kuvendi i Kosovës po ashtu më 7 korrik 2021 ka miratuar një rezolutë që dënon gjenocidin e kryer në Srebrenicë në korrik 1995. Rezoluta ndalon mohimin e gjenocidit dhe kërkon shënimin e 11 korrikut si Ditën e Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë.
Beogradi zyrtar vijon që ta shikojë si destabilizuese vizitën e Kurtit në Sarajevë, ndërsa prej kohësh Vuçiç dhe Dodik janë të angazhuar me projektin e botës serbe.