.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaKur do “rilindë” Biblioteka e degraduar Kombëtare?

Kur do “rilindë” Biblioteka e degraduar Kombëtare?

Biblioteka Kombëtare, një nga institucionet simbol të kulturës dhe edukimit në Shqipëri, në 3 vitet e fundit ka pësuar humbjen e mijëra botimeve nga thesari i saj. Edhe pse janë investuar rreth 27 milionë lekë në 7 vitet e fundit, kjo bibliotekë u përfshi nga zjarri si pasojë e sistemit të degraduar elektrik dhe më pas u përmbyt nga depërtimi reshjeve të shiut. Në 100 vjetorin e Bibliotekës ministrja e Kulturës, Margariti premtoi nisjen e rikonstruksionit brenda stinës së verës, por deri më sot, premtimi ka mbetur vetëm në letër.


Më shumë se 3 mijë botime, libra dhe materiale të tjera u dogjën apo u dëmtuan nga zjarri që përfshiu katin e tretë të nëndheshëm të Bibliotekës Kombëtare në vitin 2017. Një problem në rrjetin elektrik u raportua si shkaktari i zjarrit.

Një vit më vonë, më 23 qershor të 2018-s, Biblioteka Kombëtare u përmbyt nga reshjet e shiut. Më shumë se 12 mijë botime, përfshirë këtu libra, gazeta apo materiale të rëndësisë së veçantë u dëmtuan.

Biblioteka nuk është në standardet e duhura. Zgjidhja afatgjatë do të ishte një bibliotekë e re. Këshilli Bashkiak i Tiranës duhet të mendojë për një vendim shumë të rëndësishëm për një bibliotekë për qytetin. Situata e rëndë ku është lënë trashëgimia është përgjegjësi e të gjithëve, u shpreh ish-drejtuesja e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani në një konferencë për mediat më 26 qershor, tre ditë pas përmbytjes së institucionit.

Instituti i Ndërtimit, pas kësaj ngjarjeje doli me një raport vlerësimi për gjendjen e ndërtesës së Bibliotekës Kombëtare, sipas të cilit ndërhyrja në këtë institucion ishte urgjente.

Objekti ka një amortizim të tejskajshëm dhe kërkohet ndërhyrja e menjëhershme. Në kushtet e sotme nuk plotëson standardet. Për këtë arsye duhen marrë masa të menjëhershme – thuhej në raport, ku rekomandohej largimi i menjëhershëm i materialeve nga soletat për të bërë uljen e ngarkesës dhe lehtësimin e tyre.

Gjendja tejet e rënduar e Bibliotekës Kombëtare, edhe pas dy vitesh nga përmbytja, konfirmohet edhe nga drejtori aktual i këtij institucioni, Piro Misha.

Ende është dera prej alumini prej kohës së komunizmit. Asnjë institucioni në Shqipëri nuk i ka mbetur. Është një institucion të cilit i është rënë në qafë. Mjafton të hysh këtu, hyrja është depresive – tha ai në një intervistë për A2CNN më 1 korrik.

Tirana është i vetmi qytet pa bibliotekë. Ajo bibliotekë kombëtare është përmbytur prej 20 vjetësh, jo nga uji, por nga vetvetja. Libri nuk do lagej nëse s’do kishte mbingarkesë me libra. Aty nuk ka më korridor, por ka libra përtokë – u shpreh ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari më 9 korrik 2018, në një intervistë për Report TV.

Dëmtimet e Bibliotekës Kombëtare dhe deklaratat e zyrtarëve drejtues, kanë një të përbashkët: alarmin për situatën emergjente të ndërtesës. Në kuadër të 100 vjetorit të Bibliotekës Kombëtare, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, premtoi nisjen e punimeve për regullimin e rrjetit elektrik dhe rikonstruktimin e disa sallave brenda verës së këtij viti.

Këto ditë kemi marrë masa për problemin që kemi me impiantin elektrik në Bibliotekë. Mendojmë ta zgjidhim dhe brenda verës të fillojmë punimet e shumëpritura. Nuk do të jetë ajo zgjidhja përfundimtare e vështirësive që ka ajo hapësirë. Ky është një hap i mirë për t’i krijuar një tjetër ndihmë bibliotekës. Një
tjetër hap është restaurimi i disa sallave me fondin e vjetër të Bibliotekës – tha ajo.

Biblioteka Kombëtare, shtator 2020

Më 12 gusht “Faktoje”, pyeti në Ministrinë e Kulturës lidhur me investimet e kryera në 5 vitet e fundit tek Biblioteka Kombëtare.

Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Kulturës

Nga Ministria e Kulturës u komunikua se në 7 vite (2014-2020) janë kryer investime me vlerë 26,827,396 lekë.

Përgjigjja nga Ministria e Kulturës

“Faktoje” pyeti edhe në Bibliotekën Kombëtare lidhur me premtimin e ministres së Kulturës, Margariti për rregullimin e rrjetit elektrik dhe rikonstruktimin e disa sallave brenda godinës, nga ku u konfirmua se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Nga biblioteka u komunikua se Ministria e Kulturës nuk e ka përfshirë në listën e investimeve pasi planifikohet që Biblioteka Kombëtare të zhvendoset në një godinë të re.

Deklaratën e ministres Margariti lidhur me investimet në Bibliotekën Kombëtare do e kategorizojmë si “Premtim i pambajtur”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img