Kuvendi i Shqipërisë, përmes një vendimi që mban datën 2 qershor, lejon vetëm gazetarët e RTSH dhe ATSH të kenë akses për të raportuar lirisht nga kuvendi. Pjesa tjetër e gazetarëve duhet të ndjekin seancën nga një sallë gazetarësh në ambjentet e kryesisë së Kuvendit dhe tek ambjenti i caktuar për gazetarët në sallën e seancave plenare. Ky vendim është kundërshtuar fort nga gazetarë dhe ekspertë të medias, të cilët deklarojnë se cënon rënde lirinë e medias dhe bllokon raportimin e pavarur.
Ekspertët ngrenë zërin kundër kufizimit të gazetarëve
Ekspertët e medias me të cilët ka biseduar Faktoje kanë ngritur njëzëri shqetësimin për vendimin e ndërmarrë nga Byroja e Kuvendit të Shqipërisë, e cila ndryshon “Rregulloren për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmedieve në Kuvendin e Shqipërisë” të citit 2014. Ata e kanë cilësuar privim të lirisë, centralizim të informacionit, si dhe ERTV-izim të Parlamentit.
Faktoje kontaktoi drejtuesin e Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali, për ta pyetur mbi mendimin e tij për vendimin e Byrosë së Kuvendit, dhe si ky i fundit e cënonte lirinë e medias në Shqipëri. Ndër të tjera, Cukali e ka konsideruar mbylljen e gazetarëve në një dhomë si ERTV-izim të Parlamentit.
“Vendimi i Parlamentit ka shumë probleme.
-Mbyllja e gazetarëve në një dhomë që punimet e Kuvendit t’i ndjekin nga TV është absurde, për të mos thënë qesharake. Media duhet të jetë aty ku ngjarja ndodh, në emër të publikut dhe për të informuar publikun. Dhe ngjarja ndodh sidomos në komisionet Parlamentare. Heqja e kësaj lirie është praktikisht heqje e lirisë për informim të publikut. Ky është defakto ERTV-zim i Parlamentit.
-Krijimi i diskriminimit, mes gazetarëve me badge të institucioneve të kontrolluara nga qeveria si RTSH e ATSH me gazetarët të mediave të tjera, është një tjetër dhunim në dëm të lirisë së informimit.”- thotë ai për Faktoje.
Flutura Kusari, këshilltare ligjore pranë Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias në Leipzig, thotë për Faktoje se pasojat më të mëdha do t’i mbajë publiku shqiptar, i cili do të mbetet i painformuar.
“Kufizimi i lëvizjes së gazetarëve në Kuvendin e Shqipërisë në praktikë do të thotë që ata nuk do të kenë më mundësi të raportojnë nga Kuvendi. Duke mos iu lejuar të marrin pjesë në komisione, të komunikojnë lirshëm me deputetët dhe stafin mbështetës të Kuvendit gazetarët nuk do të kenë se çfarë të raportojnë. Publiku shqiptar do të pësojë më së shumti, duke mbetur i painformuar. Kuvendi i Shqipërisë ka qenë ndër institucionet e pakta ku gazetarët kishin një lloj lirie të veprimit por tani janë privuar edhe nga ajo liri.” – tha ajo.
Më 7 qershor, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ka njoftuar dorëzimin e një letër ankese drejtuar kryetarit të Kuvendit, zotit Gramoz Ruçi, mbi ndryshimin e rregullores.
Njoftimi i UGSH në Facebook, 7 qershor 2021
Faktoje kontaktoi me kryetarin e UGSH, Aleksandër Çipa, i cili thotë se ky vendim krijon centralizimin e informacionit dhe prish stereotipin e një procedimi funksional të krijuar në 30 vite punë.
“Vendimi i Byrosë së Kuvendit për ndryshimin e rregullores së akreditimit të medias, imponon disa probleme në lidhje me pamundësinë e reporterëve për të garantuar një sigurim të pavarur të imazhit dhe komunikimit përmes prezencës fizike me komisionet parlamentare. Krijon centralizim të informacionit dhe prish stereotipin e një procedimi funksional të krijuar në gati 30 vite punë për mediat dhe reporterët.
Ky vendim është i beftë dhe i pakonsultuar paraprakisht me rrjetin e reporterëve, mediave, apo editorët e mediave shqiptare, si dhe me grupe të tjera interesi”, – thotë ai për Faktoje.
Kuvendi i kthen përgjigje UGSH-së, por hidhet poshtë nga BE
Më 9 qershor, Kuvendi i Shqipërisë, përmes një publikimi në faqen e saj zyrtare, ka kthyer përgjigje pas shqetësimeve të ngritura nga UGSH, duke e adresuar si një përpjekje për të rritur transparencën, pasi ndër vite kishte qenë problematike teknologjia e vjetëruar duke krijuar vështirësi në regjistrimin dhe dokumentimin e mbledhjeve. Kuvendi e ka argumentuar këtë përpjekje si përgjigje ndaj rekomandimeve të Progres-Raporteve të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe në veçanti të projektit IPA 2013.
“Sistemi i ri audio-video është rekomanduar, financuar, konceptuar dhe ndërtuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri, nëpërmjet Programit IPA 2014 të Komisionit Europian për Shqipërinë, dhe Kuvendi është përfitues i këtij projekti/modeli të ri. Edhe specifikimet teknike të ndërtimit të këtij sistemi u përcaktuan dhe miratuan nga Komisoni Evropian, bazuar në standardet dhe përvojat më të mira të parlamenteve të vendeve të BE-së.
Projekti i sistemit i është dërguar BE-së në rrugë zyrtare më datën 27 Maj 2014 dhe i është prezantuar nga Kuvendi përfaqësuesve të BE-së në dy takimet e zhvilluara më datat 28 maj dhe 3 qershor 2014. Më datën 17 dhjetor 2014, Komisioni Europian miratoi paketën IPA 2014 për Shqipërinë, e cila përfshin edhe mbështetjen financiare për Kuvendin për instalimin e sistemit të ri audio-video.” – thuhet ndër të tjera në njoftimin e Kuvendit.
Por ajo, çfarë bie spikat më tepër është mënyra me të cilën e ka përmbyllur njoftimin e saj Kuvendi i Shqipërisë:
“Sqarojmë gjithashtu se që nga fillimi i prezantimit të këtij projekti dhe deri më sot, kolegët gazetarë dhe mediat janë informuar në vazhdimësi lidhur me sistemin, mënyrën e funksionimit dhe risitë që do të sillte për rritjen e transparencës parlamentare.
Sigurojmë gazetarët, mediat dhe publikun se transparenca mbetet një objektiv prioritar i agjendës parlamentare dhe garantojmë se Kuvendi i Shqipërisë do të vazhdojë të jetë në dispozicion të medias së lirë e të pavarur dhe publikut të gjerë”.
Menjëherë pas publikimit të Kuvendit ka ardhur edhe përgjigja zyrtare e delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, përmes një postimi në Twitter, duke e rrëzuar në mënyrë të hapur argumentimin e bërë nga Kuvendi. Në këtë postim thuhet qartë se “këto rregulla nuk janë në përgjigje të udhëzimeve të BE-së ose këshillave të dhëna nën ndihmën e IPA-s, të nisura në këtë kontekst në vitin 2014. 2/2“.
Reagimi i Bashkimit Europian në Twitter, 9 qershor 2021
Kryetari i UGSH, zoti Çipa ndalet tek përgjigjja e Kuvendit dhe specifikisht në reagimin e Bashkimit Europian, duke thënë se kjo iu jep të drejtë gazetarëve, e bën të domosdoshëm anulimin e vendimit të Byrosë së Kuvendit dhe rishikimin e rregullores.
“Përgjigjja e ardhur nga Kuvendi, edhe pse dëshmon korrektesën e komunikimit institucional, nuk sqaron dhe eviton kritikat tona për disa aspekte. Ndërkohë që dëshmoi se ka probleme me të vërteten e justifikimit te Kuvendi përsa i përket dijenisë së BE-së për projektin dhe strukturën funksionale të rregullores. Sidomos për çështjen e dhomës se mediave apo edhe për projektin e pretenduar si në dakordësi dhe dijeni nga BE. Reagimet e delegacionit të BE në Tiranë dhe ambasadores së Francës na japin të drejtë dhe e bëjnë të domosdoshëm anulimin e këtij vendimi të Byrosë dhe rishikimin e rregullores së Kuvendit”, – përmbylli ai.
Gazetarët i kërkojnë Kuvendit të tërhiqet
Gazetarët të cilët raportojnë nga Kuvendi zhvilluan mëngjesin e datës 9 qershor, një protestë përpara fillimit të seancës parlamentare për të kundërshtuar vendimin e Byrosë së Kuvendit për të kufizuar lëvizjet dhe raportimin e tyre.
Gazetarët në protestë përpara Kuvendit, 9 qershor 2021
Gazetarët në protestë përpara Kuvendit, 9 qershor 2021
Faktoje ishte e pranishme në protestë, ku pati mundësi të bisedojë me gazetarët që protestuan, puna e të cilëve preket në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ky vendim i Byrosë së Kuvendit.
Esiona Konomi, gazetare pranë ABC News, 9 qershor 2021
Esiona Konomi, gazetare pranë ABC News, cilëson disa elemente në mënyrën se si ky vendim e cënon punën e saj të vazhdueshme. Ajo thekson rëndësinë e pranisë së gazetarit për të parë me sytë e tij dhe për të raportuar në mënyrë të pavarur.
“Nuk kam besim tek kamera që fiket dhe ndizet me kontroll politik nga Kuvendi sepse në një moment që mund të ketë një përplasje, një konflikt, ata mund ta fikin kameran për arsye etike, por çështja që vijon me kameran fikur për mua është me interes publik. Kështu që unë dëshiroj të jem në komisionet parlamentare fizikisht për të parë vetë me sytë e mi se çfarë ndodh, për të mos më thënë të tjerët se çfarë ndodh, por unë ta shoh me sytë e mi, ta dokumentoj dhe ta raportoj në mënyrë të pavarur”, – shprehet ajo për Faktoje.
Gazetarët në protestë përpara Kuvendit, 9 qershor 2021
Ardit Hoxha, gazetar pranë Euronews Albania, tregon se ky vendim bllokon impaktin e parë me zyrtarët, për t’i pyetur mbi informacioni që shkojnë përtej njoftimeve zyrtare.
“Do duhet të lejoheshin gazetarët e televizioneve dhe medias së shkruar që të marrin pjesë fizikisht për të pasur atë kontaktin e parë me deputetët por edhe me zyrtarë të tjerë të parlamentit që në shumë raste i kemi dhe si burime për lajme që shkojnë përtej njoftimeve zyrtare dhe përtej qëndrimeve të partive politike.” – thotë Hoxha.
Gazetarët në protestë përpara Kuvendit, 9 qershor 2021
Klesiana Omeri, gazetare pranë Klan News, shprehet se ky vendim e pengon misionin e gazetarit për të informuar publikun dhe për t’u kërkuar llogari ligjvënësve, ndërsa shton gjithashtu se gazetarët nuk do ta lënë me kaq.
“Ky vendim për të mos na lejuar për të ndjekur nga afër komisionet parlamentare cënon transparencën dhe prodhon censurë. Në këtë mënyrë i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të tërhiqet. Ne nuk do ta lëmë me kaq.
Do t’i drejtohemi Kuvendit të Shqipërisë edhe nëpërmjet një shkrese për t’i kërkuar që të tërhiqet nga ky vendim dhe po ashtu edhe faktorit ndërkombëtar për të pasur mbështetjen e tyre në këtë nismë.” – thotë Omeri.
Vendimi i debatuar i Byrosë së Kuvendit
Me një vendim që mbante datën 2 qershor 2021, Byroja e Kuvendit të Shqipërisë ka vendosur shfuqizimin vendimin nr. 4 të datës 12.02.2014 , mbi miratimin e “Rregullores për akreditimin, akomodimin dhe orientimin e masmedieve në Kuvendin e Shqipërisë”. Bashkëlidhur këtij vendimi ka miratuar dhe rregulloren e re, e cila sjell ndryshime për mënyrën se si gazetarët mund të lëvizin lirisht në mjediset e Kuvendit si dhe mënyrën e raportimit që ata bëjnë nga këto mjedise. Specifikisht Neni 17, nën Kreun IV (Orientimi i masmedieve) të këtij vendimi, specifikon hapësirat e kufizuara në të cilat personat e akredituar, në këtë rast gazetarët dhe kameramanët, lejohen të lëvizin.
Nga ana tjetër në po të njëjtin nen, në dy pikat që vijojnë, saktësohet se përjashtim nga ky kufizim bëjnë mediat shtetërore, Radio Televizioni Shqiptar, dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, të cilave iu rezervohet një “status i veçantë”.
Në nenin 12 përcakton ambjentet në të cilat duhet të rrijnë gazetarët, përkatësisht Salla e Gazetarëve tek Kryesia e Kuvendit dhe ambjenti i caktuar për gazetarët tek Salla e Seancave Plenare.
Nga ana tjetër, sic është përcaktuar në nenin 14, do të jetë Kuvendi ai që do t’i informojë gazetarët për veprimtarinë që zhvillon, një tjetër pikë e cilësuar problematike.