.

.

BallinaAktualitetKryeministri Rama pranon publikisht mosrespektimin e protokollit anticovid

Kryeministri Rama pranon publikisht mosrespektimin e protokollit anticovid

Grumbullimet e organizuara nga partitë gjatë dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit, kanë qenë në shkelje të protokollit të vendosur nga Komiteti i Ekspertëve. Një prej tyre, ishte edhe mitingu i fitores së PS, në sheshin Skënderbej pak ditë më parë. Edhe pse kryeministri Rama e pranoi publikisht këtë shkelje të protokollit, deri më sot nuk janë komunikuar masa administrative, edhe pse raportohet se grupet e monitorimit kanë qenë në terren.


Kryeministri Rama, i ftuar në emisionin Opinion, pas shpalljes së fitores në zgjedhje, pranoi se mitingu që u zhvillua në sheshin Skënderbej pasditen e 27 prillit, ishte në shkelje të protokollit anticovid.

Këtë shkelje e raportoi edhe Faktoje në një shkrim të datë 28 prill, ku tregoi standartet e dyfishta që u ndoqën para dhe pas zgjedhjeve elektorale nga partitë e ndryshme politike.

“Ajo që ndodhi në këtë aspekt në sheshin Skëndërbej ishte shkelje e pajustifikueshme për ne dhe për këtë çështje unë menjëherë prapa kam bërë edhe një komunikim me organizatorët, sepse nuk e kam kuptuar dot pse nuk duhej përsëritur e njëjta skemë me karrige shumë dhe me distanca. Por sigurisht në ato kushte nuk mund të anuloja takimin dhe të thosha po largohem se jemi në shkelje. Më shkoi dhe kjo në mendje,por do ishte e tepërt .”-u shpreh kryeministri të enjten në Opinion.

Më herët, të enjten, Komiteti Teknik i Ekspertëve u shpreh se gjatë zgjedhjeve elektorale grupet e monitorimit kanë qenë në terren për të mbikëqyrur shkeljet e protokollit anticovid.

“Siç jeni në dijeni dhe nga raportimet tona para zgjedhjeve është vendosur protokolli për Covidin, është vendosur në të gjitha qendrat e votimit. Komisioni Qendror i  Zgjedhjeve ka pasur një protokoll të përcaktuar se si do të zhvilloheshin zgjedhjet dhe në organizmat tona të Ministrisë së Shëndetësisë kanë qenë vazhdimisht në terren për ta kontrolluar këtë.”- u shpreh zëvëndësministrja e shëndetësisë Mira Rakacolli.

Faktoje kërkoi të dinte se cilat ishin gjetjet e grupeve të monitorimit, ndaj pyeti përmes telefonit zëvëndësministren e shëndetësisë Mira Rakacollin, por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje.

Screenshot nga komunikimi me zëvëndësministren e Shëndetësisë Mira Rakacolli.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img