Kreu i KLSH prezanton raportin në Parlament: 159 audite dhe 13 kallëzime penale

Në proces auditimi edhe Bankers Petroleum dhe anijet energjetike në Vlorë

41

Sebi Alla Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, prezantoi në Kuvend raportin e vitit 2024 të institucionit që drejton, duke dhënë shifra si mbi shtimin e auditimeve në institucionet shtetërore, ashtu edhe në referimet në prokurori për raste të shkeljeve të rënda.

Drejtuesi i KLSH-së theksoi se gjatë vitit 2024 janë kryer 159 auditime në të gjitha nivelet e qeverisjes.

“Gjatë 2024, kemi kryer 159 auditime në gjithë nivelet e qeverisjes. Sipas llojit, 45 auditime janë financiare, 43 përputhshmërie, 35 të kombinuara, 15 performance, 8 të teknologjisë së informacionit, dhe 13 mbi zbatimin e rekomandimeve. Janë kryer në 205 subjekte, 97 njësi të qeverisjes qendrore, 75 të qeverisjes vendore, 13 institucione të pavarura dhe 20 ende publikë”, tha Shehu.

Rekomandime dhe kallëzime penale

Pas auditimit të kryer në institucionet publike, qëndrore dhe lokale, KLSH për vitin 2024 ka dhënë një shifër të lartë rekomandimesh, por edhe opinione në lidhje me gjetjet e ekspertëve pas verifikimeve. “Për këto auditime, janë dhënë 194 opinione, shoqëruar me 4378 rekomandime dhe masa organizative e administrative”, tha Shehu.

Sipas tij, gjatë 2024, kanë bërë 13 kallëzime penale, që përfshijnë rastet kur auditimi ka konstatuar veprime apo mosveprime në shkelje të ligjit. Po ashtu, kanë vënë në dispozicion të Prokurorive edhe 35 materiale për hetime.

Shehu gjatë fjalës së tij konfirmoi se janë në proces auditimi edhe për Bankers Petroleum, rruga Thumanë-Kashar dhe anijet energjetike në Vlorë.

I pyetur se përse vazhdon pagesa për kontratat PPP të Check up Sterilizimit dhe dializës, ku vetë KLSH ka evidentuar pagesa të tepërta për raste që nuk janë kryer, ai tha:  “Duke pasur parasysh vëmendjen e cila është drejtuar institucionit nga deputeti Erion Brace për një vëmendje të veçantë të këtyre koncesioneve në tërësi, KLSH pas një analize të këtyre ditëve, ka vendosur kryerjen e veprimeve në mënyrë të veçantë për të plotësuar kërkesat. Për veprimet tona audituese do t’ju vendosim në dijeni.”

Shëndetësia dhe mjedisi

Duke u ndalur në të dhënat kryesore të raportit, Shehu tha se problematika të shumta janë zbuluar në sektorin e shëndetësisë dhe në çështjet mjedisore.

“Në sektorin e shëndetësisë, auditimet evidentuan mangësi në administrimin e pajisjeve edhe personelit mjekësor duke krijuar varësi nga shërbimet e jashtme dhe rritje të kostove. Shpërndarja e tyre nuk është në përputhje me nevojat reale të popullsisë, ndërsa përkujdesja ndaj pacientëve rezulton e pamjaftueshme”, tha Shehu.

Një tjetër pikë e nënvizuar ishte çështja e trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve urbane, por edhe atyre spitalore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis.

“Në fushën e mjedisit, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe spitalore paraqet problematika të ndjeshme, ku mungesa e infrastrukturës së duhur dhe praktikave të sigurta rrezikon shëndetin publik dhe ndikon negativisht në mjedis”, tha kreu i KLSH-së.